Këshilli Bashkiak i Sarandës miratoi sot vendosjen e një busti të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton në Bulevardin qendror të qytetit.
Vendimi u mor pas propozimit të kryetares së Bashkisë së Sarandës Floriana Koka, në nderim të mbështetjes së saj për shqiptarët. Busti është vepër e skulptorit Idriz Balani.
Këshilltarët bashkiakë të qytetit në skajin më jugor shqiptar vlerësuan kontributin e zonjës Hillary Clinton për çështjen shqiptare dhe miratuan njëzëri propozimin.
Në Shqipëri dhe Kosovë janë vendosur vitet e fundit buste të figurave të njohura amerikane, përcjell VoA.
Krahas bustit të presidentit Willson në Tiranë dhe bustit të Presidentit Bill Clinton në Prishtinë, një bust i presidentit George Bush është ngritur në Fushë Krujë në nderim të vizitës së tij në këtë qytezë të vogël. Ndërkohë në Fier është vendosur një bust i diplomatit Richard Holbrooke.