Se shpejti Task Force per mishin ne gjithe vendin

Se shpejti, Task Force per mishin ne gjithe vendin
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka zhvilluar sot mbledhjen e Task Force për të bërë të ditur se brenda pak ditësh nisin aksionet për kontrollin dhe mbylljen e çdo thertoreje dhe aktiviteti të paligjshëm që tregton mish në vend. Këtë ka bërë të ditur personalisht edhe ministry i MBUMK, Genc Ruli. Brenda pak ditësh pritet ndërhyrja e organizuar e strukturave të katër ministrive dhe disa institucioneve për të ndaluar aktivitetin e jashtëligjshëm në therjen e kafshëve dhe tregtimin e mishit.

Tregtimi i mishit, në kushte të rënda

Në mbledhjen e Task Force, që vjen pas nxjerrjes së Aktit Normativ nga ana e qeverisë morën pjesë zëvendës ministrat e katër ministrive, asaj të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatori, të Brendshme, të Shëndetësisë dhe ministrisë së Mjedisit. Në mbledhje ishte i pranishëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ai i Tatimeve, i AKU-së dhe punonjës të Ministrisë së Bujqësisë. Situata aktuale është problematike, dhe vetë ministri Genc Ruli vuri në dukje rëndësinë e ndërhyrjes për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve dhe mjedisin. “Nxjerrja e Aktit Normativ u detyrua nga situata shqetësuese në lidhje me therjen dhe tregtimin e mishit jashtë standardeve që garantojnë higjienën, jetën, që garantojnë shëndetin publik dhe mjedisin. Problematika e vënë re gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë, së pari veprime krejt të paligjshme të therjes së kafshëve në ambiente publike, në sheshe në lokale, që nuk përmbushin standardet e sigurisë dhe ushqimore, tregimi i mishit në kushte primitive apo tregtimin pa iu nënshtruar më parë kontrolleve të nevojshme nga veterinerët.”, u shpreh ai.

Subjektet, 25 ditë kohë

Si kryetar i grupit Task Force, ministri Ruli kërkoi që të mos ketë asnjë tolerim, dhe kjo sipas tij do të arrihet dhe nga plotësimi i legjislacionit që sjell Akti Normativ. “Subjekteve, Akti Normativ u jep një afat të mjaftueshëm, rreth 25 ditë që të përmbushin vetë në mënyrë vullnetare të gjitha kushtet bazë higjieno-sanitare që të garantojnë sigurinë e njerëzve. Që nga data e hyrjes në fuqi, subjektet që do të duhet të kryejnë aktivitet të therjes së kafshëve, apo tregtim të mishit duhet të jenë vetëm ato që janë regjistruar si të tilla në QKR. Nuk do të tolerohet dhe bëhet asnjë therje në ambiente publike. Do të kontrollohen të gjitha pikat e therjes nëse i përmbushin standardet higjieno- sanitare.

Gjoba nga 50-250 mijë lekë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka evidentuar të gjitha “pikat e nxehta” dhe vendet ku theren kafshë apo tregtohet mish. Brenda pak ditësh pritet që fillimisht  të ndërhyhet në aksin Durrës- Fushë Krujë, në aksion Fushë Krujë-Milot, në Rrogozhinë, Fier dhe zona të tjera. Sipas Aktiti Normativ, subjektet me shkelje do të penalizohen nga me gjoba që variojnë nga 50 mijë deri në 250 mijë lekë. Veç kësaj, në pothuajse të gjitha raste kur ka shkelje të sigurisë ushqimore dot bëhet konfiskimi i mallit dhe mjeteve të punës, ndërsa masa më e rreptë për bizneset tërësisht të paligjshme është shembja e ndërtesës ku ky aktivitet i jashtëligjshëm kryhet.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama