Se shpejti nje film mbi racizmin

Së shpejti një film mbi racizmin
Theo Angelopoulos

Në një intervistë dhënë për spektaklin "E Diell" në "Top Channel", drejtuar nga Adi Krasta e Xhemi Shehu, regjisori i madh grek, Theo Angelopoulos, vjen në një rrëfim për veten dhe krijimtarinë. Flet për marrëdhëniet e tij me kinemanë, me aktorët, ashtu sikundër edhe për arsyen se përse zgjodhi të merret me kinematografi. "Për mua kinematografia erdhi si një nevojë për të folur dhe për të kuptuar", thotë ai. Theo Angelopoulos erdhi në Tiranë në kuadër të "Tirana Film Festival" gjatë së cilit në kuadër të programit special u shfaqen tre prej filmave të tij

"Eternity and a day" ishte "fundi" i shfaqjes së filmave në kuadër të "Tirana Film Festival". Salla e kinema "Imperial" në Tiranë u mbush plot. Publiku preferoi të qëndronte edhe në këmbë vetëm për ta parë. Nën drejtimin e regjisorit të madh grek, Theo Angelopoulos, ai nuk mund të mos ngjallte kureshtjen e publikut shqiptar, njësoj si ndodhi edhe me shfaqjen e filmit "Landscape in the mist" që u shfaq më 4 dhjetor ashtu edhe "Ulysses Gaze" në datë 5. Të tre filmat ishin pjesë e programit special të TIFF. Angelopoulos erdhi në Tiranë ashtu si edhe u premtua. Mbrëmë, ditën e fundit të festivalit ai u shfaq për shqiptarët edhe në ekranin e "Top Channel", në spektaklin e së dielës "E Diell". Në intervistën e drejtuar prej Adi Krastës, regjisori grek, erdhi në një rrëfim ekskluziv për shqiptarët, të cilët duket se i njeh mirë. Jo rrallëherë kanë qenë pjesë e filmave të tij. Premton se shumë shpejt do të realizojë një tjetër film, i cili do të flasë për paragjykimin, diskriminimin, apo racizmin njësoj si ka ndodhur mes grekëve e shqiptarëve. "Puna ime është që të kuptoj historinë, ngjarjet dhe fatin njerëzor", thotë regjisori e për këtë vazhdon të krijojë. Ai nuk e ndal ritmin. E ka të pamundur. "Kur isha i ri, arrija të ndaja jetën nga kinemaja. Tani e kuptoj se jeta ime, gjithnjë e më shumë ngjan me një film: nëse duhet të jetoj atëherë duhet të vazhdoj të xhiroj filma", ka thënë më parë ai.

Përse nuk shfaqeni në televizionet greke? Çfarë mendoni ju për televizionin?

Mendoj se televizioni duhet të ketë një rol shumë më të rëndësishëm sesa ky që luan sot. Është një mjet tepër i rëndësishëm, është një mjet përtej programeve dëfryese, por mund të kishte më tepër programe edukative.

Kjo është vizita juaj e parë në Shqipëri?

Jo, është e dyta. Unë kam qenë në Shqipëri para 16 vjetësh. Tani që hyra brenda në Tiranë, pashë një qytet tjetër. Ka ndryshuar shumë, për mirë sigurisht. Në përgjithësi mendoj se ka ndryshuar sa i përket asaj që pashë në rrugë, ka një ndryshim jashtëzakonisht të madh, ka një zhvillim shumë të madh Shqipëria, për të cilin duhet të jeni të gëzuar.

Në ç‘rrethana mësuat për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Unë jam i hapur dhe në favor të popujve dhe kundër kufijve për të gjithë njerëzit kudo në botë. Më pëlqen që njerëzit të jenë më të bashkuar sesa janë sot, të jenë njerëz të lirë në vend të lirë dhe të kenë një jetë më të mirë.

Sot flitet shumë për filmat, kinematografinë, Hollivudin, por a janë filmat aq magjikë sa kanë qenë më parë?

Ka një ndryshim, dhjetëvjeçarin e parë të viteve ‘50 kur unë nisa të shikoj kinema, kishte me të vërtetë një kinema të madhe amerikane, ishte epoka e Elia Kasan, Fordit, Hjustonit dhe e shumë të mëdhenjve të tjerë. Tani sigurisht gjërat janë ndryshe. Europa bëri një shpërthim shumë të madh për sa i përket kinematografisë dhe kjo ndodhi në fillim të viteve ‘60. Ishte një gjuhë e re, ishte një propozim i ri që në ditët e sotme sikur ka humbur paksa, por kjo nuk do të thotë se ka humbur gjithçka, gjërat mund të shkojnë më mirë.

Përgjithësisht në filmat tuaj ndihet atmosfera ballkanike, është kohë e zymtë, ka shi, pluhur pak... Është një zgjedhje e juaja kjo apo ka rastisur kështu?

Sigurisht që unë e përgatis këtë atmosferë. Unë vij nga një vend i cili ka shumë diell. Nuk e di pse, por edhe pse jam jugor, preferoj veriun. Shiu nuk më duket aspak melankolik. Mua më duket shumë poetik, mua nuk më pëlqejnë ngjyrat e ndezura. Më pëlqen ngjyra gri, ngjyrat e murrme, të errëtat e më pëlqen shumë uji, shiu, bora...

Duhet të vini më shpesh në Shqipëri atëherë...

E pashë nga aeroplani. Kishte lumenj e liqene, është një vend special, i volitshëm për mua.

Në filmat tuaj kanë marrë pjesë aktorë shumë të mëdhenj të kinematografisë botërore si Marcelo Mastroiani, Heisel... Si ka qenë të punosh me ta. A janë atë më të vështirë nga sa perceptohet prej filmit?

Me ta, unë kam realizuar filmat më të lehtë. Ata e respektonin në mënyrë absolute punën dhe regjisorin. Më kujtohet Harvi Hazel. Ne ndodheshim në një fshat të varfër e të mërzitshëm. Brenda në dhomë temperatura ishte shtatë gradë nën zero. Ai ishte nervozuar shumë e pashë në një moment që fliste shumë i tensionuar me producentin. U afrova dhe pyeta se çfarë ka ndodhur. Ai ma ktheu: absolutisht asgjë. Unë jam përherë në dispozicionin tuaj. Ai tregoi një respekt shumë të madh për njeriun që drejton punën, që drejton veprën edhe pse vetë në atë kohë ishte në majat më të larta të karrierës së tij, gjë që shumë aktorë të vegjël nuk e kanë.

Përpara se të jeni një regjisor i madh me famë botërore, ju jeni një grek. Çfarë është një grek?

Si gjithë njerëzit e tjerë. Ç‘mund të jetë tjetër?

Cila është një temë e madhe, një kauzë njerëzore që Theo Angeloupolosin e ka shqetësuar e vazhdon ta shqetësojë aktualisht?

Përveç kinematografisë, unë shikoj si problem të madh botën e së nesërmes. Unë nuk e di se si kinematografia mund ta trajtojë, por nëse dikush më pyet kështu dhe duke qenë se unë kam fëmijë e nipër atëherë them se kjo është. Edhe pse kinematografia e ka paska të vështirë për ta trajtuar këtë temë. Ka dokumentarë tepër të rëndësishëm rreth kësaj teme, por puna ime është e fokusuar në atë që unë do ta quaja hapi i njeriut, qoftë ky grek, shqiptar, apo çfarëdo që të jetë.

Angeloupulos ka pasur në filmat e tij shqiptarë dhe situata shqiptare. Duke pasur parasysh se Shqipëria e Greqia janë dy vende që kanë pasur gjithmonë shumë lidhje me njëri-tjetrin dhe ne kemi një pjesë të madhe të popullatës atje, përveç dashurisë së madhe që u kanë dhënë grekët shqiptarëve, nuk kanë munguar edhe elemente sjelljeje racizmi që është e kuptueshme. Çfarë ndjesie keni për këtë si një njeri që e shikon këtë nga larg, nga bota e kinemasë.

Filmi i ardhshëm për të cilin unë jam duke u përgatitur flet pikërisht mbi këtë temë të ndjeshme.

Çfarë marrëdhëniesh keni ju sot me kinematografinë, me suksesin dhe me punën?

Unë fillova të merrem me kinematografi në vitet ‘60-‘70. Ika në Paris, studiova atje dhe u ktheva në Greqi në një periudhë shumë të rënduar. Për mua kinematografia erdhi si një nevojë për të folur dhe për të kuptuar se përse po ndodhnin ato që po ndodhnin në vendin tim. Unë jam i lindur në vitin 1935. kur isha një vjeç ndodhi diktatura, kur isha pesë, filloi lufta me Italinë, kur isha gjashtë hynë gjermanët në Athinë, kur isha nëntë vjeç filloi lufta civile në Greqi, babai u arrestua, një kushëri ishte për t‘u pushkatuar dhe shumë episode të kësaj natyre lanë shenjë. Unë kam lindur në një periudhë të trazuar. Puna ime është që të kuptoj historinë, ngjarjet dhe fatin njerëzor.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama