Që nga objektet e qeramikës, veglat e punës që përdornin njerëzit e lashtë, objektet e zbukurimit dhe stolitë, tashmë nëpërmjet futjes në një sistem dixhital do të mund të shikohen të gjitha brenda pak kohe nga vizitorët dhe turistët që nuk i mungojnë këtij muzeu. Këto imazhe do të shoqërohen edhe nga një informacion për çdo vepër. Për Cenollin, kjo është një nismë për të realizuar një ekspozim sa më bashkëkohor e të pasur të fondit të muzeut dhe objekteve të veçanta që ruhen aty.
"Projekti për dixhitalizimin e objekteve të muzeut ka filluar nga ana e specialistëve dhe punonjësve, duke synuar ta bëjë sa më bashkëkohor ekspozimin e këtyre objekteve. Ky projekt do ta zbatohet në dy faza.
Dixhitalizimi i objekteve që është dhe faza e parë është drejt përfundimit të plotë dhe në fazën e dytë do të bëhet hedhja e një database i të dhënave, për të kompletuar me informacionet e nevojshme shoqëruese për objektet mbi atë çfarë ato përfaqësojnë, të dhëna historike dhe të zonës ku janë gjetur, datimi i tyre dhe funksioni që kanë pasur në periudhën që janë përdorur.
Çdo objekt do të ketë të dhënat specifike që do të sqarojnë vizitorët mbi vlerat e tij, por edhe për punën kërkimore që është bërë për gjetjen e tyre.
Kështu, turisti do ta ketë më të lehtë të informohet rreth objekteve të rralla që ai do të shohë në këtë muze.
Sipas Cenollit, dixhitalizimi i objekteve të muzeut do të jetë hapi i parë për modernizimin e këtij institucioni, ndërkohë që nga ana e drejtuesve dhe specialistëve është në ndërtim edhe harta arkeologjike e Korçës që përfshin krejt rajonin.
Janë të paktën 100 pika arkeologjike që përbëjnë hartën e rajonit të Korçës ku përfshihen vendbanimet e shumta prehistorike, tumat, kalatë, e kështu me radhë. Harta e pikave arkeologjike do të jetë në shërbim të turistëve të interesuar për të vizituar këto vende. Kryesisht janë të huajt ata që kanë më shumë kureshtje për të eksploruar në pika të ndryshme historike të këtij qyteti.
Nga : Gazeta Shqip