Se shpejti nje pavijon i ri per komunizmin

Se shpejti nje pavijon i ri per komunizmin

Muzeu Historik Kombëtar/ Nëndrejtori Dorian Koçi tregon rikonceptimin e ri të pavijoneve, dhe nevojën për rishikimin e tyre

Periudha gati 50-vjeçare e komunizmit, si pjesë e historisë sonë sado e trishtë që është, mungon në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar dhe pse gati dy dekada më pare  ky muze ishte i tëri me objekte të soc-realizmit.  Nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, e quan sfidë për institucionin ndërtimin e këtij pavijoni, i cili kërkon një angazhim serioz. Ruajtja e objekteve të asaj periudhe për t’i vendosur në këtë pavijon është e rëndësishme, pasi ndonjëherë imazhet flasin më mirë se dokumentet. “Rindërtimi i tij do të kërkojë angazhimin e një sërë studiuesish në disiplina të gjera shkencore duke mos u kufizuar vetëm te historia, por duke përfshirë edhe antropologjinë sociale, sociologjinë , psikologjinë etj”, thotë Koçi. Në Muze ekziston pavijoni i terrorit komunist, i hapur disa vite më parë, megjithatë ky pavijon nuk e përmbledh gjithë periudhën e Shqipërisë socialiste.

Për përmbajtjen e Pavijonit, ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistë të MHK, përfaqësues të përndjekurve politikë, si dhe të Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Materiali dokumentar dhe fotografik është organizuar në 62 stenda. Pjesë shumë e rëndësishme e Pavijonit janë dhjetëra objekte, të vendosura në vitrina të veçanta e që e bëjnë më të prekshëm realitetin e hidhur të 40 viteve diktaturë. Struktura e stendave të këtij pavijoni, ndjek linjën historiko-kronologjike e ndërthurur edhe me atë tematike,  që nga viti 1945 deri në fillimet e viteve ’90, me rrëzimin e Diktaturës komuniste. Materiali fotografik, dokumentar, si dhe objektet e shumta plotësohen nëpërmjet imazheve filmike, që jepen në 4 monitorë të vendosur në këtë pavijon. Ka vetëm pak ditë që Muzeu është bërë i vizitueshëm për publikun, pas një rikonceptimi të hapësirave të brendshme të tij. I ndërtuar dikur nën një koncept tërësisht ideologjik, një pjesë e pavijoneve si ai i Luftës apo periudhave të tjera kanë ende nevojë për rishikime. Muzeu Historik Kombëtar  u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. E ndërtuar në pjesën perëndimore të sheshit “Skënderbej”, godina e MHK është një nga veprat më të rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar.


Si është konceptuar struktura e re e muzeut? Nga ndryshon nga e para?

Muzeu Historik Kombëtar si të gjithë institucionet e tjera të kulturës ka hyrë në një proces reformimi, i cili nënkupton përveç përshtatjes me ndryshimet e herë pas hershme që kërkon koha edheinicimin e një politike të re menaxhimi, për të promovuar më mirë vlerat historike dhe të trashëgimisë kulturore që mbart ky institucion i rëndësishëm i historisë sonë kombëtare. Në këtë kontekst për të zbatuar më mirë edhe një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës, atë të edukimit artistik përmes kulturës, në Muzeun Historik Kombëtar janë ngritur dy seksione të reja: Sektori i Edukimit dhe sektori i Komunikim Zhvillimit që promovojnë dhe përçojnë vlerat muzeore dhe historike për të gjitha grupmoshat, si dhe tërheqin një audiencë sa më të gjerë. Për herë të parë janë futur koncepte të tilla si sondazhe, menaxhim vizitorësh, matja e audiencës, si dhe krijimi i një forumi të quajtur “Miqtë e Muzeut” që do të përfshijë sipas një koncepti modern si në të gjithë muzetë në botë, një grup miqsh e të pasionuarish rreth historisë e trashëgimisë kulturore.

Cili është koleksioni më i hershëm që ruhet në Muze?

Muzeu Historik Kombëtar është shumë i pasur me koleksione të ndryshme që përfshijnë periudha të historisë sonë kombëtare dhe më gjerë. Në përgjithësi, një nga karakteristikat e historisë së territoreve shqiptare është se ato janë të pranishme në të gjitha fazat e zhvillimit botëror duke qenë se Mesdheu dhe linja bregdetare Adriatik- Jon, si dhe territoret në thellësi të tyre janë nga trojet ku janë zhvilluar qysh herët format më rëndësishme të qytetërimit botëror. Objektet më të hershme në Muzeun Historik Kombëtar janë  pjesë e koleksionit të lashtësisë të ekspozuara dhe që i përkasin Paleolitit të Vonë (30.000-10.000 Para Krishtit). Ato janë ato të gjetura në një vendbanim shpellor parahistorik në Xarrë, rreth 10 km larg Butrintit. Gjetjet janë vegla pune prej stralli me forma të shumta dhe me funksione nga tehet prerëse te krueset e ndryshme, gur stralli kryesisht me ngjyrë të bardhë ose gri. Gjurmë të ngjashme njerëzore janë gjetur në vendbanimin shpellor parahistorik të Blazit, Mat, si dhe në shpatin e Malit të Dajtit, afër Tiranës. Po kështu e një interesi të veçantë është dhe koleksioni i periudhës së Mezeolitit 10000-6000 Para Krishtit, periudhës kalimtare nga paleoliti në neolit, një periudhë relativisht e shkurtër (10.000-6.000 p.e.sonë). Me epokën mezolitike lidhet vendbanimi i Vlushës (Skrapar) ku janë zbuluar vegla stralli tipike mezolitike. Këto vegla pune prej stralli të mikrolitikës, të cilat njerëzit primitivë i përdornin për punime të imta.


Një periudhë e rëndësishme e historisë sonë është Lufta Nacionalçlirimtare. Përtej debateve që ka për këtë periudhë, çfarë ka mbetur prej saj?

Periudha e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri është e pasqyruar me një pavijon të veçantë të përuruar në vitin 2004 dhe që përmban etapat dhe fazat kryesore të rezistencës shqiptare dhe pjesëmarrjes të popullit shqiptar në aleancën e madhe të popujve antifashistë. Ky pavijon është ngritur pas miratimit të një konsensusi të gjerë në atë kohë nga historianët më të shquar të kësaj periudhe, si dhe pas miratimit të Këshillit Shkencor të Muzeut Historik të asaj kohe. Në pavijon janë ekspozuar objekte të pjesëmarrësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si: violina dhe ditarët e Qemal Stafës, sendet personale të Margarita e Kristaq Tutulanit, të pushkatuar nga fashistët italianë, objekte personale të Ali Këlcyrës etj. Në përgjithësi është përpjekur për të pasur një pavijon sa më gjithëpërfshirës dhe sa më afër së vërtetës historike, por ashtu si çdo ngjarje që ka lidhje me këtë periudhë natyrisht që me zbulimin e dokumenteve të reja apo publikimin e tyre nga vendet aleate në kuadër të deklasifikimit të dokumenteve mund të ketë vend për rishikim. Një nga objektivat e Këshillit të ri Shkencor të Muzeut Historik Kombëtar do të jetë pikërisht edhe rishikimi me rigorozitet shkencor e profesional të të gjitha pavijoneve në bashkëpunim me Institutin e Historisë dhe Katedrat universitare të historisë.

 

A është menduar një pavijon për periudhën e komunizmit në Shqipëri?

Patjetër që është menduar dhe do të jetë një nga sfidat e Muzeut Historik Kombëtar dhe Këshillit Shkencor të tij për ta ngritur një pavijon të tillë. Në këtë kontekst është shumë e rëndësishme ruajtja e objekteve origjinale të kësaj periudhe pasi objektet flasin më shumë se dokumentet apo fotot. Kjo periudhë përbën një periudhë gati 50-vjeçare dhe pas një kohe gati një çerekshekulli pas braktisjes së tij si sistem qeverisës, është gati i panjohur për brezat e rinj. Dikur ky pavijon zinte një rol qendror në Muze, por sigurisht që ishte i ngarkuar politikisht dhe jo shumë afër realitetit. Rindërtimi i tij do të kërkojë angazhimin e një sërë studiuesish në disiplina të gjera shkencore duke mos u kufizuar vetëm te historia, por duke përfshirë edhe antropologjinë sociale, sociologjinë, psikologjinë etj

 

Ju e njihni mirë tashmë brendësinë e këtij institucioni. Cili prej personazheve historike ka më shumë hapësirë në të?

Personazhi qendror në Muzeun Historik Kombëtar, për sa i përket pasqyrimit është Heroi Kombëtar, Gjergj  Kastriot Skënderbeu, që ka një hapësirë të madhe ekspozimi të jetës dhe veprës së tij në pavijonin e Mesjetës. Sigurisht që Muzeu Historik Kombëtar ashtu si Muzeu i Krujës nuk posedon objekte origjinale të Heroit, por pasqyrimi i qëndresës shqiptare përmes gravurave, imitimit të armëve dhe dokumenteve të kohës nga kancelaritë e arkivat e ndryshme të Europës japin një panoramë gjithëpërshirëse të kësaj epoke.

 

A ka muzeu një dosje të patreguar gjatë këtyre viteve?

Muzeu Historik Kombëtar është një nga institucionet qendror të pasqyrimit dhe ekspozimit të historisë sonë  kombëtare dhe si i tillë shpeshherë përfaqësues të familjeve të personazheve historikë kanë dhuruar koleksione personale të tyre, duke bërë të mundur që të pasurohen fondet tona. Disa ditë më parë ne kishim një akt të tillë dhurimi, nga familja e kryediplomatit shqiptar, Rauf Fico, dhe në këtë kuadër u bëjmë thirrje të gjithë pasardhësve të figurave historike që disponojnë fonde personale të tyre t’i bashkëngjiten iniciativës së familjes Fico, pasi Muzeu Historik Kombëtar është vendi më i denjë dhe i duhur ku duhet të jenë të ekspozuara këto dokumente të rëndësishme për Shqipërinë. Në arkivat tona kemi disa fonde personale të disa figurave historike që herë pa here do të organizojmë ekspozita për t’ia paraqitur publikut, por ne dëshirojmë shumë fort që të arrijmë të fitojmë edhe statusin shkencor si institucion, në mënyrë të tillë që edhe Muzeu Historik Kombëtar të japë mendim dhe të përshihet në të gjitha iniciativat  dhe tentativat e shkrimit të historisë dhe pasqyrimit sa më saktë të saj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama