Së fundmi do të publikohet një autobiografi, e cila do të përmendë vetëm aspektet pozitive të aktorit më të famshëm britanik. Megjithatë "Daily Mail" ka vendosur të publikojë pjesën që ndoshta nuk do ta lexojmë kurrë, duke i ulur kështu prestigjin, mitit të kinemasë. Koprracia dhe nevoja për të mbledhur sa më shumë para, duket se e kanë kushtëzuar jetën e Connery-t, duke e bërë kështu të zihet me të gjithë, përfshi dhe producentin Albert Broccoli, njeriu që e bëri të famshëm duke e përzgjedhur mes shumë aktorëve të tjerë, si protagonistin e serialit "007".
Në fakt nuk duhet të ishte ai interpretuesi i 007-ës. Aktorët që producenti kishte zgjedhur ishin James Mason ose David Niven, por u zgjodh Connery sepse në atë kohë asnjëri prej tyre nuk ishte i disponueshëm. Ishte Terence Young, regjisori i filmit të parë "James Bond" (Dr No, 1962), ai që e rekomandoi Sean Connery-n, pasi kishte punuar me të në filmin "Action of the Tiger". Connery ishte kaq i panjohur, saqë spektatorët, për shkak të theksit skocez, mendonin se ishte polak. Young e përgatiti për takimin me Broccoli-n, duke i shpjeguar se ishte një mundësi e mirë, të cilën nuk duhej ta humbiste. Gjithashtu nuk duhej të kërkonte shumë para dhe meqenëse do të luante një rol elegant, duhej të vishte diçka të hijshme. Connery u paraqit në zyrën e Broccoli-t, në Mayfair, i rreckosur si gjithmonë, me një xhaketë të vjetër, të cilën e kishte hedhur mbi shpinë. Nuk kishte asgjë të përbashkët me Bond-in, ishin shumë larg njëri-tjetrit. Kur do të firmoste kontratën filloi të bënte shumë fjalë për pagesën dhe refuzoi t‘i nënshtrohej një provimi. Në këtë mbledhje kishte qenë i pranishëm edhe Ian Fleming, i cili më vonë komentoi: "Kisha ardhur të shihja komandantin Bond, jo një ‘palaço‘ të rritur".
Ashtu siç do të ndodhte në shumë seri të 007-ës, ishte një grua që e shpëtoi Connery-n. Pasi përfundoi takimi, bashkëshortja e producentit Broccoli, Dana, e vuri re nga dritarja ndërsa po kalonte rrugën. "Lëviz si një panterë - tha - dhe ka një paraqitje shumë shprehëse, pikërisht ajo që i nevojitet një agjenti sekret. Femrat, por edhe meshkujt do ta adhurojnë". Opinioni pozitiv i Danas ishte vendimtar për shtëpinë e prodhimit "United Artists" dhe kështu kontrata u firmos. Përveç një gardërobe të madhe me veshje shumë të shtrenjta, grupi i prodhimit i dha Connery-t edhe një aksesor që do t‘i nevojitej në të gjitha seritë e filmit, një paruke e cila i fshihte flokët e rënë që në moshën 31-vjeçare. Gjatë realizimit të "Goldfinger" filloi të mendonte se po paguhej shumë pak. Pesë për qind të fitimeve të filmit (14 milionë sterlina, një rekord për epokën) nuk mjaftonin më dhe "duhej ta mbyllte menjëherë me këta producentë të mëdhenj, që mblidhnin para në kurriz të aktorëve". Vite më vonë, pasi ia dorëzoi rolin e Bond-it aktorit Roger Moore, Connery hodhi në gjyq për 225 milionë dollarë Broccoli-n dhe "United Artists", duke pranuar më pas një marrëveshje. Për një shumë të vogël, rreth 100 mijë dollarë shpërblim, hodhi në gjyq një tjetër shtëpi produksioni, "Allied Artists", ku kishte punuar së bashku me Michael Caine për filmin "The man who would be king". "I çova drejt falimentimit dhe jam krenar për këtë", tha Connery pas dënimit. Në fillim të viteve ‘80, Connery kishte hedhur sërish në gjyq për 2,5 milionë sterlina administratorin e financave të tij, Kenneth Richards. Edhe këtë të fundit e çoi drejt falimentimit, por ky e kishte hak.
Diane Cilento, gruaja e parë, thekson se Connery nuk i ka dhënë kurrë as një qindarkë djalit të tyre Jason, një mënyrë kjo për t‘i mësuar atij t‘ia dilte mbanë vetë. Gruaja aktuale, Micheline, martuar në 1975-ën, duket se është shoqja e duhur: kontrollon të gjitha llogaritë që zotërojnë dhe ishte pikërisht ajo e cila zbuloi shkeljet e Richards. Ashtu si Sean, edhe Micheline mendon se "paratë janë gjithçka" dhe ndoshta qëndron ajo pas vendimit të bashkëshortit, që të xhirojë filma jo cilësorë, por me pagesë të majme. Kur një shok i tij e pyeti, se pse nuk jepte kurrë autografe, Connery iu përgjigj se askush nuk e paguante për këtë dhe se ai që ka nevojë për një autograf, mund ta blejë atë në internet, në faqen e tij zyrtare. Nëse dëshiron të bëjë për vete botën, është më mirë të mos e takoni James Bond-in. Por nëse e gjithë lufta bëhet për para, atëherë është më mirë të qëndroni larg Sean Connery-t.
Connery u paraqit në zyrën e Broccoli-t, në Mayfair, i rreckosur si gjithmonë, me një xhaketë të vjetër, të cilën e kishte hedhur mbi shpinë. Nuk kishte asgjë të përbashkët me Bond-in, ishin shumë larg njëri-tjetrit
Kur një shok i tij e pyeti, se pse nuk jepte kurrë autografe, Connery iu përgjigj se askush nuk e paguante për këtë dhe se ai që ka nevojë për një autograf, mund ta blejë atë në internet, në faqen e tij zyrtare
Nga : Gazeta Shqip