Sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë ishte programuar seanca gjyqësore për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeminstrit Berisha, dhe kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Ballës. Por kjo seancë nuk është zhvilluar, pasi mungonte Balla, pasi siç sqaron ai, ndodhej në një një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare.
Por bashkëshorti i Argita Berishës, vajzës së Sali Berishës, akuzon Ballën se po i fshihet drejtësisë. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Malltezi thotë se Taulant Balla po mashtron gjykatën.
“Pas shpifjeve ndaj qytetarëve, tani, Taulant Balla po mashtron gjykatën. Pasi ishte ankuar kundër vendimit të shkallës së parë të gjykatës së Tiranës që e shpalli shpifës ndaj meje, Balla iu fsheh sot përballjes në seancën e caktuar nga Gjykata e Apelit në Tiranë dhe kërkoi shtyrjen e gjykimit me pretendimin se ishte në një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Ndërkaq mësojmë se ky komision ka 3 javë që nuk mblidhet!!!”, -thuhet në njoftimin për shtyp që Jamarbër Malltezi u ka dërguar medieve.
Por Malltezi shkon edhe më larg kur e cilëson deputetin socialist si frikacak dhe mashtrues, me pretendimin se Balla shpif për qytetarët dhe mashtron gjykatën.
“Shpreh keqardhje që në parlamentin shqiptar kemi deputetë që përveçse shpifin për qytetarët sipas qejfit dhe interesit, shkojnë deri dhe mashtrojnë gjykatën. Kjo është shpërfillje dhe tallje me gjykatën e një bande që nuk njohin shtet, ligj dhe moral. Është trishtuese të shohësh që përfaqësohemi nga frikacakë si Balla që nga një anë përbetohen për respektim të ligjeve të vendit, e nga ana tjetër shpifin për qytetarët dhe mashtrojnë gjykatat. Shpresoj që të gjejë forca dhe të mos i përvidhet përballjes me shpifjet e tij në Gjykatën e Apelit në seancën e ardhshme”, -përfundon njoftimi për shtyp i Malltezit.
Balla: E garantoj dhëndrin e babit ish-kryeministër, familjen klanore në tërësi, se drejtësia do të vendoset shumë shpejt. Edhe për ju!
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Ballës, i cili nëpërmjet një njoftimi për mediat, sqaron arsyet se pse nuk u paraqit sot në sancën gjyqësore. Balla thotë se është kërkuar shtyrja nga avokati, për shkak të angazhimeve të shumta që ai ka si nënkryetar i Grupit Parlamentar Socialist, si kryetar i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Parlamentin Evropian, si nënkryetar i Komisionit të Integrimit Evropian dhe si anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
Deputeti Balla deklaron ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore, pasi ai do të jetë i pranishëm për të shprehur qëndrimet e tij kundër klanit familjar të Sali Berishës.
Balla nuk lë pa përmendur akuzat ndaj Malletzit, që sipas tij vodhi klubin e futbollit “Partizani” me vendimet, siç i quan ai, të vjehrrit, babi Saliut.
Në fund Balla shprehet: “E garantoj dhëndrin e babit ish-kryeministër, familjen klanore në tërësi, se drejtësia do të vendoset shumë shpejt. Edhe për ju! Sa për frikacak, Jamarbëri bën mirë të pyesë Sali Berishën, se ky më njeh mirë”.
Fjala e plotë e Ballës:
Të dashur miq,
Sot në Gjykatën e Apelit ishte programuar zhvillimi i seancës gjyqësore me dhëndrin e babit ish-kryeministër Sali Berisha. Pas një vendimi qesharak në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku dhëndri i Sali Berishës nuk u paraqit në asnjë seancë gjyqësore për të dhënë shpjegime, sot dëgjova se dhëndri qenka ankuar për një shtyrje normale dhe ligjore të seancës.
Është kërkuar shtyrja nga avokati, për shkak të angazhimeve të shumta që unë kam si nënkryetar i Grupit Parlamentar Socialist, si kryetar i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Parlamentin Evropian, si nënkryetar i Komisionit të Integrimit Evropian dhe si anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
Është kërkuar shtyrja sepse edhe në këtë seancë gjyqësore në apel unë dua të jem përsëri aty personalisht, për të rishprehur qëndrimet e mija kundër klanit familjar të Sali Berishës, që sot është rrëzuar nga pushteti, në pritje të drejtësisë.
Të gjithë shqiptarët e dinë se dhëndri i Sali Berishës vodhi klubin e futbollit Partizani, me vendimet e vjehrrit, babi Saliut.
Shqiptarët duan transparencë dhe procesi sapo ka filluar. Hetimi i pasurive të politikanëve dhe familjarëve të tyre është pjesë e këtij procesi transparence. Procesi i reformës në drejtësi është në hapat e parë, por e sigurt është që kjo mazhorancë do bëjë gjithçka për vendosjen e drejtësisë në binarët dhe standardet e duhura.
E garantoj dhëndrin e babit ish-kryeministër, familjen klanore në tërësi, se drejtësia do të vendoset shumë shpejt. Edhe për ju! Sa për frikacak, Jamarbëri bën mirë të pyesë Sali Berishën, se ky më njeh mirë.