Sekrete per te qene te suksesshem! Keshilla te pakenaqurve dhe te zhgenjyerve

Sekrete për të qenë të suksesshëm! Këshilla të pakënaqurve dhe të zhgënjyerve
 Tek çdo njëri ekzostojnë antipodet e ambicies që e shtyjnë të provojë fatin: një lloj frike e brendshme, një lloj dembelizmi i qetë moral që e përmbajnë, e largojnë nga ëndrrat e tij të fuqishme e madhështore duke i pikturuar me bojra magjepëse kuadrin idilik të një ekzistence të qetë, të sigurtë nga të gjitha shtrëngatat e pështjellimet… Kjo formë frike e dembelizmi moral quhet në mënyrë mistike, kënaqësi me gjendjen aktuale: dhe kjo përbën aspektin më të zakonshëm, më të ulët dhe më të qortueshëm të mediokritetit njerëzor.

Mos lër të sigurtën për të pasigurtën

“Më mirë një vezë sot se një pulë mot; kush kënaqet gëzon”: mjaftojnë këto proverba mediokre për të treguar gjithë shtrirjen e budallallëkut të atyre që ndjekin filozofinë e meskinitetit e të nënshtrimit. Në realitet, megjithatë “të kënaqurit me gjendjen e tyre” nuk janë kurrë plotësisht të kënaqur siç duan të hiqen, sepse kushtet e tyre të jetës nuk janë kurrë kaq të shkëlqyera sa t’i tregojnë në thellësi të shpirtit ata që kanë diçka më shumë. Është në natyrën e njeriut që të ndodhë kështu. Ai fenomen i miopisë morale që konsiston në mosparjen e asgjëje jashtë apartamentit tënd është mjaft më i rrallë sesa besohet. “I kënaquri me gjendjen e vet” nuk mund të mos vërë re të paktën se fqinji i tij ka një shtëpi të bukur ndërsa ai s’e ka; se përgjegjësi i tij merr 800 euro në muaj e udhëton me makinë, ndërsa ai vetëm 80 dhe ecën me këmbë; se një i njohuri i tij vesh një peliçe luksoze, ndërsa ai nuk ka veç një pallto të vjetër. E këto konstatime, për inat të të gjitha proverbave të botës nuk janë bërë për të favorizuar kënaqësinë e gjendjes vetjake.

Merrni iniciativa

Iniciativa është, zakoni, metoda, mëyra për të vepruar përpara, spontanisht, sipas të dhënave të eksperiencës personale dhe aftësisë mbartëse e njohurive vetjake. Të dalësh nga shtigjet e rrahura tepër, të përçmosh traditat dhe rutinën, të përpiqesh të krijosh, të vësh diçka personale në tërë atë që bëhet, të influencosh në mentalitetin e publikut, të restaurosh sisteme e mënyra të harruara e të braktisura prej vitesh, të vësh në plan të parë atë që të tjerët kanë përcaktuar të padobishme, të vihesh në krye të një lëvizjeje, të drejtosh inteligjencën dhe vetëdijen, të grumbullosh e të bashkosh në koalicion vetëm prirje divergjente, t’i japësh turmës atë që dëshiron në formë të mjegullt dhe të pasaktë, të kryesh xhestin që presin të gjithë e që askush nuk ka kurajon ta kryejë. Ky është kuptimi i fjalës “iniciativë”. Nëse ti do të kesh në shoqëri rëndësinë tënde e pjesën tënde dominuese, përpiqu të formosh e të zhvillosh aktivisht në veten tënde shpirtin e iniciativës.

Vetëm mediokrit janë të kënaqur

Kam qenë 20 vjet një i pakënaqur. Si të gjithë të pakënaqurit e kësaj bote, kam ndërruar zanat dhjetëra herë, kam përshkuar botën gjërë e gjatë në kërkim të diçkaje që nuk e gjeja kurrë, jam endur si gjilpëra e një busulle e turbulluar nga tërheqje të shumëfishta, nga një ekstrem në tjetrin. E megjithatë e arrita suksesin. Ja, ajo që ka rëndësi. Prandaj disponoj një farë kompetence e një farë ekperience personale, për t’iu drejtuar me autoritet të pakënaqurve dhe të zhgënjyerve të të gjitha zanateve dhe të të gjitha aktivitetetve. Edhe këtyre mund t’u mësoj diçka. Gjëja e parë që dua t’u them është kjo: se e vlerësoj pakënaqësinë e tyre e që shoh tek ata shenjën me të qartë e më të dukshme të epërsisë së tyre morale e të parashikimit të suksesit të tyre. Vetëm mediokrit janë të kënaqur me gjendjen e tyre, e kam thënë tashmë diku, e për pasojë, të privuar në mënyrë të pandreqshme nga suksesi.

Si të jesh njeri i veprimit

Bota është e njerëzve të veprimit. Në qoftë se ti nuk je i tillë, nevoja më urgjente, për ty, është që të bëhesh deomos i tillë. Nëse je, duhet të preokupohesh që të bëhesh më tepër. Ja disa metoda:

   1. Të duash punën, energjinë, lëvizjen: Të urresh dembelizmin, rehatllëkun, mënyrat e panumërta të humbjes së kohës (kafe, diskutime të padobishme, spektaklet banale, miqtë mendjelehtë, klubet, zbavitjet e kota, gjumin e drekës).

   2. Të jesh i pasionuar me aktivitetin tënd professional: t’i kushtosh tërë kohën tënde, tërë mendimet e tua, tërë forcat e tua. Kur të kesh rrojtur shumë e të kesh njohur kotësinë e trishtuar të tërë atyre gjërave e tërë atyre preokupimeve të cilave u kemi dhënë gabimisht aq shumë rëndësi do ta çmosh më shumë punën tënde e do të pendohesh që je preokupuar kaq pak e kaq keq. Koha kushtuar punës është e vetmja e harxhuar mirë, sespe është e vetmja që pjell diçka.

   3. Të mos mërzitesh kurrë: Ose mos e lër veten të mposhtet nga mërzia. Mërzia na zë në momente kur truri ynë është i plogët. Të mbash vazhdimisht trurin në aktivitet, mos e lejo në asnjë moment të ndalojë, mos i krijo as pretekste, as mënyra të hutohet. Njerëzit që mërziten, janë për t’u mëshiruar dhe përçmuar në të njëjtën kohë.

   4. Mos i lër kurrë asgjë rastit: Parashiko gjithçka. Mos merr vesin e shëmtuar të varësh shpresat tek fati, tek rrethanat, tek e papritura: është një mënyrë shkatrrimtare që të çon në pasojat më të dëmshme.

   5. Mësohu të gjykosh dhe të vendosësh me shpejtësi: Në jetën kontemporane, gjithçka zhvillohet në kohë rekord. Mekanizmi dhe ritmi i punëve kërkojnë sot që një njeri të dijë të përcaktojë qëndrimin e tij e të formulojë masat paraprake në një të dhjetën e sekondës.

Të veprosh dhe të përtërihesh

Të veprosh: Ja fjala e ditës në epokën në të cilën jeton. Njeriu që arrin sukses është njeri i veprimit. Një shekull më parë mund të arrinte sukses edhe një idnivid që “dinte të fliste”. Sot, të dish të flasësh nuk është më mjaftueshëm; bile më tepër të bën dëm. Duhet të dish të veprosh. O të veprosh, o të pranosh humbjen. Nuk është më e mundur t’i shmangesh kësaj alternative të hekurt. Të krijosh, të provosh, të shesësh, të blesh, të lëvizësh, të sajosh idera e t’i kthesh në fakte, pa pushim, pa asnjë çast plogështie dhe shkujdesjeje: tërë jeta aktuale kalon nëpër furrën e kësaj nevoje, zhvillohet në këtë atmosferë të ethshme e tërë ankth. Njeriu i epokës tonë është një idnivid që e ka kuptuar me kohë këtë aspekt të realitetit dhe e ka pranuar. Punon me zell, mendon papushim të ngjallë interesa të reja rreth vetes, lufton me këmbëngulje për të mposhtur një rival apo konkurrent. Punët përfaqësojnë për të, tërë jetën e tij: në këtë fjalë ai sintetizon universin.

Vlerësojeni veten

Nëse do të dallosh në jetë, të kapërcesh nivelin e ambjentit shoqëror në të cilin je burgosur aktualisht, të dominosh të tjerët në vend që të jesh shërbëtor i përjetshëm, mbi të gjitha vendose veten mbi tjetrin. Vlerësoje veten më shumë se të gjithë, syno të bëhesh një nga njerëzit më të mëdhenj të kohës tënde, përfytyro veten vazhdimisht në një post komandues. Pozicioni që ti do të arrish të fitosh në shoqëri është ai që ti ndjen, deri në kohën që do mundesh e do duash ta arrish. Duke menduar shumë e në mënyrë të pandërprerë për energjinë, ka mundësi të bëhesh energjik; duke menduar në mënyrë të palodhur për bukurinë, ti brumos një mentalitet dhe një temperament prej artisti; duke menduar me bindje të thellë dhe me entuziazëm të papërmbajtur për ambicien, ti bëhesh i aftë të përfaqësosh në rrethin e hiearkive më të larta shoqërore një pjesë në planin e parë. Nëse mendimi yt dominues është “të arrish sukses”, të gjithë përbërësit e personalitetit tënd, të inteligjencës tënde, të instiktit tënd do të ndikojnë drejt këtij mendimi, do t’i nënshtrohen me ëmbëlsi, do ta forcojnë me ndihmën e energjive të tyre të shumëfishuara e do të marrin nga ai një gjurmë të vetme. Ti do të bëhesh në këtë mnyrë tipi ideal i njeriut të prirur për sukses: i vendosur, agresiv, e i pathyeshëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama