Ka diçka të çuditshme në Vilkabamba. Diçka që i lejon banorët e saj të jetojnë deri në 110 vjeç, madje edhe në 140 vjeç. Ata jo vetëm që arrijnë të jetojnë gjatë, por arrijnë të kenë një shëndet të përkryer deri në fund të jetës dhe gjithçka pa ua vënë veshin fare këshillave të doktorëve. Banorëve të këtij vendi të vogël dhe të humbur në jug të Ekuadorit u pëlqen edhe ta teprojnë herë pas here: pinë duhan dhe alkool me shumicë. Megjithatë, në moshën që secili prej nesh nis të mendojë për vdekjen, ata jetojnë edhe 40 vjet të tjera. Por si arrijnë ta bëjnë këtë? Sipas studimeve të bëra nga organizatat ndërkombëtare, mundësitë që njerëzit të jetojnë më gjatë regjistrohen në vende të qeta dhe të pasura, si principata e Andorrës në Europë, apo ishulli i Okinavës në Japoni.
Në Vilkabamba, njerëzit janë të varfër, jetojnë në kushte të këqija shëndetësore dhe punojnë shumë për gjithë jetën. Por, pavarësisht kësaj, këtu gjen dhjetë herë më shumë 100-vjeçarë se në çdo vend tjetër të botës. Ndoshta është misteri i luginës. Sapo hyn në fshat gjëja e parë që të sheh syri janë dy tabela. Njëra që u uron mirëseardhjen turistëve, ndërsa tjetra që thotë se vendi gjendet 1500 metra mbi nivelin e detit, ka 4200 banorë dhe një temperaturë mesatare prej 20 gradësh. Pak më tutje sheh një tjetër tabelë me të ngjyrosur dhe tërheqëse që lexon “Welcome in Vilkabamba”, ku sipër gjendet imazhi i një prej banorëve të saj. Sigurisht një 100-vjeçar. Një burrë me pamje të qetë, i gatshëm për të shkuar të punojë. Në Vilkabamba të moshuarit ndahen në dy grupe të mëdha: jetëgjatët, që i kalojnë 90 vjetët dhe 100-vjeçarët. Jose Medina është një 120-vjeçar që jeton në fshat. Nuk dëgjon mirë nga veshët, por ka një motër, edhe ajo 104 vjeçe, që dëgjon dhe shikon për bukuri. Të dy jetojnë në një shtëpi të vogël dhe të thjeshtë fshati. Në fund gjendet një terren, ku Medina kultivon një pjesë të mirë të asaj që konsumon: lakra, misër dhe fasule. Çdo ditë Josenë e gjen në kopsht duke punuar tokën, punë që nuk e ndërpret edhe kur në shtëpi ka vizitorë. Nuk ka nevojë për syze dhe ka një formë shumë të mirë fizike. Në trup mban veshur të njëjtën veshje që përdorin thuajse të gjithë banorët e Vilkabambas: pantallona njëngjyrëshe dhe këmisha të bardha.
Medina tregon se nuk ndien asnjë lloj dhimbjeje në trup, vetëm se kur tymos i merren pak mendtë. Ai tregon se tymos shpesh chamico, një bar që të parët e tyre kanë nisur ta përdornin që në Antikitet. Tani është bërë një zakon për banorët e këtij vendi. Në fillim efektet e saj janë të ngjashme me atë të marijuanës, por pas disa thithjesh ngjasojnë me kokainën. Provokon halucinacione, humbje kujtese, eksitim të madh dhe zemërim. Disa i atribuojnë edhe veti afrodiziake. Por në të vërtetë, chamico është një bimë krejtësisht helmuese. Jose Medina, 100-vjeçari i parë që takon në fshat, drogohet thuajse përditë. Përveç chamico-s i pëlqejnë edhe cigaret. Kohët e fundit, edhe pse ka pasur probleme me marrjen e mendve, nuk ka hequr dorë nga vesi i tij, madje tregon se kur ishte më i ri, 70 vjeç, tymoste shumë herë më tepër. Për sa i përket alkoolit, Medina tregon se ka hequr dorë tashmë, por herë pas here i rikthehet zakonit të vjetër.
Rruga e jetëgjatësisë
A mund të shpjegohet prania e kaq shumë 100-vjeçarëve në Vilkabamba? Sigurisht që po. Gjithçka lidhet me ambientin, ushqimin biologjik, ajrin e pastër dhe ujin e freskët të burimeve. Në këtë luginë, natyra është thjesht e mrekullueshme, por edhe njerëzit e kanë ruajtur me kujdes atë. Ndoshta për këtë arsye i ka vlerësuar “fëmijët” e saj me një shëndet të mirë dhe një jetëgjatësi ekstreme. Megjithatë, shumë janë ende skeptikë nëse janë vërtet këto gjëra që i bëjnë këta banorë të jetojnë kaq gjatë, sepse në të vërtetë ata konsumojnë alkool, pinë duhan, madje edhe drogohen. Ndryshe nga ajo që ndodh në pjesën tjetër të botës, në Vilkabamba burrat jetojnë më shumë se gratë. Vetëm burrat deri tani kanë arritur t’i kalojnë 130 vitet. Por edhe gratë nuk ngelen pas. Ndodh shpesh që të bëjnë fëmijë pas të 50-ave, madje ka raste se ka pasur gra që kanë lindur edhe 70 vjeçe.
Një dietë origjinale
Josefa Ocampo është 105 vjeçe. Ora është thuajse 04.00 e mëngjesit dhe ajo po shkon për të fjetur. Do të qëndrojë në shtrat deri në mesditën tjetër. Këtu flenë të paktën 13 orë. Ka pamjen e një gjysheje të mirë. Është thuajse e verbër dhe për të dëgjuar dëgjon shumë pak. Ka më shumë se 50 nipër dhe 20 stërnipër. Pjesa më e madhe e të huajve që vijnë të vizitojnë këtë vend, gjënë e parë që bëjnë pyesin për regjimin ushqimor të zonës. Edhe në luginë janë të gjithë të bindur se një dietë e shëndetshme të zgjat jetën. Në Vilkabamba njerëzit përdorin një përzierje frutash dhe perimesh që nuk ndodhet në asnjë vend tjetër të botës: “Yuka, misër, banane”. Është një dietë natyrale që nuk përmban asnjë lloj kimikati.
Përveçse jetojnë shumë gjatë, banorët e këtij vendi vdesin në një mënyrë që ne nuk jemi mësuar. Shkojnë për t’u larë dhe vdesin, dalin për të punuar dhe vdesin, shkojnë për të fjetur dhe nuk zgjohen më. Pa paralajmërim, pa shtrime nëpër spital apo zënka. Ndaj këtu askush nga fëmijët nuk ankohet se i duhet të kujdeset për prindërit. Të moshuarit e Vilkabambas kujdesen për veten deri në fund të jetës. Pastaj, sa hap e mbyll sytë vdesin. Nuk sëmuren thuajse kurrë dhe jetojnë një pleqëri që nuk ka nevojë për kujdes. Këtu askush nuk sëmuret nga zemra, madje edhe ata që janë të sëmurë shërohen me kalimin e kohës. Kur mbërriti në Vilkabamba Nadao Kimura, asistenti personal i ish-kryeministrit japonez, nuk arrinte të bënte dot dy hapa, sepse vuante nga një sëmundje zemre që mjekët në Tokio nuk e shëruan dot. Por, gjithçka u zhduk brenda më pak se 30 ditëve. Banorët vendas sigurojë se janë të shumtë njerëzit e famshëm me probleme kardiovaskulare që vijnë të kalojnë pak kohë nga këto anë. Në rrethinat e vendit janë shtëpitë e miliarderëve që jetojnë ose përgatiten të jetojnë pjesën tjetër të ditëve të tyre në këtë zonë.
Disa janë vila të vërteta me të gjitha komoditetet dhe shërbimet, që sigurisht nuk janë në pronësi të vendasve. Uilson Correa është doktori i Vilkabambas prej më shumë se 25 vjetësh. Në zyrën e tij gjen vetëm një barelë, një dollap, një tavolinë dhe 3 karrige. Nuk ka asnjë lloj mjeti tjetër, veçse një stetoskop dhe një aparat për matjen e tensionit, që i ruan të mbyllura në një kuti. Doktori është i bindur se njerëzit që vuajnë nga zemra dhe tensioni i gjakut këtu shërohen plotësisht. Ai vetë ka kuruar me qindra. Po ashtu tregon se janë të paktë personat me diabet apo sëmundje të tjera metabolike. Gjithçka duket si përrallë. Në këtë luginë ka diçka që e ngadalëson plakjen dhe vdekjen e qelizave të trupit. “Këtu njerëzit hanë në mënyrë të shëndetshme, sepse nuk ka kimikate. Njerëzit për mëngjes konsumojnë gjëra të shëndetshme dhe kjo i ndihmon shumë. Ajri është i pastër. Në këtë zonë rritet vilco, pemë tipike e kësaj zone që prodhon shumë oksigjen. Pastaj edhe lidhjet familjare janë mjaft të forta”.