Sekretet e nje lidhje romantike

Sekretet e nje lidhje romantike
Ka raste që kur takojmë për herë të parë dikë të gjinisë së kundërt e vëmë re menjëherë se jo vetëm kemi gjëra të përbashkëta, por edhe tërhiqemi në një mënyrë shumë të veçantë. Kjo është një premisë për të vazhduar më pas një tjetër lloj marrëdhënie, sigurisht nëse bëhet fjalë për një reciprocitet pëlqimesh.

Dhe ky është vetëm fillimi i një marrëdhënieje, që edhe pse mund të shndërrohet në një marrëdhënie ekskluzive, mund të zgjasë një jetë të tërë. Pëlqimi është hapi i parë, por më pas kur futesh në bisedë mund të kuptosh që tërësia e gjërave të përbashkëta është shumë më e madhe nga sa e kishe menduar në fillim. Me një person të tillë ke dëshirë që të lësh edhe një tjetër takim për ta thelluar më tej njohjen dhe dalëngadalë e kupton që pëlqimi shndërrohet e merr formën e romancës.

 Dhe kur kjo ndodh, atëherë gjërat shkrihen dhe të duket se atë njeri që e pëlqeve aq shumë në fillim e ke njohur prej një jete të tërë dhe nuk arrin të kuptosh dot se si ke mundur më parë të mos e kesh pasur në jetën tënde. Por kjo lloj marrëdhënie, kjo romancë që mund të shndërrohet në një gjë shumë të rëndësishme, nuk ndodh pa arsye. Studiues të ndryshëm kanë dalë në shumë përfundime në lidhje me këtë fenomen dhe së fundi është botuar një libër, në të cilin pasqyrohen edhe arsyet e një lidhjeje “magjike”. Në fakt, bëhet fjalë për 5 faktorë që ndikojnë në një lidhje të tillë. Ata janë: vulnerabiliteti, proksimiteti, rezonanca, ngjashmëria dhe mjedisi.

Të kuptuarit e të gjitha këtyre proceseve e bën më të lehtë faktin e lidhjes mes njerëzve dhe mbi të gjitha shpjegon faktin se përse në disa raste arsyet e lidhjes apo pëlqimit kanë të bëjnë pikërisht me atë person dhe jo me ndonjë person tjetër. Le t’i shohim të gjithë këta faktorë në veçanti.

Vulnerabiliteti

I pari i faktorëve të sipërpërmendur është tërësisht i kuptueshëm. Kur kemi brenda vetes dëshirën për të qenë të hapur ndaj ambientit të jashtëm edhe personat që na rrethojnë e ndiejnë dhe janë më të predispozuar për të marrë mesazhe nga ne dhe për t’u lidhur. Madje, në shumë raste, demonstrime të vogla të dobësisë njerëzore na bëjnë shumë më të pranueshëm dhe tërheqës se sa shprehje të forcës sonë apo të qenët në komandë të situatave të ndryshme. Nëse do të themi “Më vjen keq” për një shkelje këmbe, për një mungesë kujtese apo gjëra të vogla të tjera na afron më shumë me të tjerët përreth. Njerëzit, duke qenë se janë të ndërgjegjshëm që janë qenie me gabime, duan të kenë të bëjnë me qenie të tilla dhe jo me ata që mund të hiqen si perfektë. Dhe kur kaloni barrierën e parë të intimitetit me dikë që pëlqeni është shumë më e thjeshtë rruga që të çon drejt një lidhjeje më të thellë me personin tjetër.

Ka një linjë ndarëse të qartë mes të shfaqurit të pëlqimit ndaj një tjetri përmes metodave të buta e njerëzore dhe të shfaqurit të kësaj ndjenje në mënyrë prepotente e shumë të hapur. Vulnerabiliteti të bën edhe që t’i besosh personit tjetër. Kur je i hapur për të treguar me sinqeritet se cili je dhe cilat janë dobësitë e tua, krijon një lidhje më të fortë se në rastin kur përpiqesh që të tregohesh se je i pathyeshëm dhe në zotërim të vazhdueshëm të situatës. Një njeri i tillë është i lodhshëm dhe në disa raste e për disa tipa i frikshëm. Dhe nuk ka gjë më të mirë se kur të dyja palët luajnë në këtë mënyrë, pra duke qenë të hapur e të çlirët.

Menjëherë mes tyre krijohet një atmosferë shumë intime dhe një terren i përshtatshëm për të vazhduar më tej në faza të tjera të marrëdhënies. Një sjellje e tillë e hapur përmes shfaqjes së dobësive personale kursen edhe shumë kohë për dy persona në një marrëdhënie që në rast të kundërt mund të kërkonte shumë më tepër ditë për t’u krijuar dy të njohurve një intimitet të denjë për një marrëdhënie që mund të konsiderohet si romancë.

Afrimiteti

Mund të jetë fati ai që ju bën që të bini kokë e këmbë brenda me një njeri që e shihni për herë të parë, por në këtë rast mund të ndikojë edhe fakti i aftësisë me këtë person shumë të veçantë. Si për shembull, në rastin kur bëhet fjalë për dikë që banon afër jush.

Studimet kanë nxjerrë në dritë se një numër i madh romancash lulëzojnë me persona me të cilët kemi afri qoftë për sa i përket banimit, apo edhe të punuarit bashkë. Pra bëhet fjalë për shanset e mëdha që të jep afërsia me njerëzit. Nëse keni ndërmend që të gjeni shpirtin binjak, bëni mirë që para se të kërkoni në fund të botës të hidhni sytë rrotull më me vëmendje se më parë, sepse ka të ngjarë që është pikërisht afër jush e të mos ta keni vënë re.

Rezonanca

Por sigurisht që afërsia nuk është kushti i vetëm për lindjen e një romance, sepse në një rast të tillë të gjithë do të përfundonim në marrëdhënie me shokët e bankës, apo fqinjët e pallatit. Një nga arsyet më të forta të këtyre lidhjeve është edhe rezonanca. Kjo ka të bëjë me ndjesinë që ke kur je i bindur në shumë aftësi të tuat dhe ndihesh tërësisht komod në lëkurën tënde. Dhe kur arrin në këtë ndjesi ta gjesh  edhe te një tjetër dhe së bashku të krijoni një ndjenjë komforti të përbashkët është një fillim i mirë për një lidhje romantike. Një ndjenjë e tillë vetëbesimi të bën shumë tërheqës për mjaft njerëz rrotull dhe i tërheq të tjerët pas teje si me “mastiç”. Sigurisht që një rezonancë e tillë është më e fortë në kushtet e stimujve alkoolikë, por ka më shumë efekt kur është në kushte normale.

Dhe kur dy veta tërhiqen me njëri-tjetrin, situata është shumë “e nxehtë”. Sipas një studimi, ne influencohemi shumë nga ambienti ku jetojmë dhe kemi shumë më tepër shanse që të qeshim për një barsoletë kur jemi në grup se sa po ta dëgjonim të njëjtën barsoletë po të ishim vetëm. Është e vështirë të lidhesh me dikë që nuk ka një sens humori, që nuk është i muhabetit dhe që nuk përçon miqësi. Të gjitha këto në të njëjtën kohë janë shumë të domosdoshme edhe për një lidhje të gjatë e të qëndrueshme.

Ngjashmëria

Harrojeni shprehjen që thotë se të kundërtat tërhiqen. Kjo mund të ndodhë për 5 minutat e para të një njohje deri në momentin që e gjeni veten në një kundërshti me personin që jeni pranë. Një lidhje e mirë nuk mund të ndodhë kurrë në rast se nuk do të ketë mes njerëzve shumë të përbashkëta. Sipas shumë studiuesve, ne jemi të destinuar që të kërkojmë dhe të ndihemi mirë mes njerëzve, me të cilët kemi ngjashmëri, pra kemi ose tipare të përbashkëta, ose ndajmë të njëjtat interesa. Pra jo të kundërtat, por të ngjashmet tërhiqen me njëra-tjetrën.

Mjedisi

Në jetën tonë e dimë mirë se herë pas here takojmë njerëz me të cilët krijojmë marrëdhënie të mira miqësie, pra takojmë njerëz me të cilët shkojmë mirë, të cilëve ua pëlqejmë bisedën, humorin dhe shumë gjëra të tjera. Por sigurisht që një lidhje e qëndrueshme kërkon shumë më tepër se aq. Dhe në një rast të tillë është një lidhje që jo vetëm të çon në martesë, por mbi të gjitha në një marrëdhënie miqësore që zgjat për vite të tëra.

Një nga gjërat që i bëjnë njerëzit bashkë është të kaluarit së bashku të vështirësive, si në rastin e sëmundjeve, të fatkeqësive personale, apo kolektive. Në raste të tilla mes njerëzve vendoset një raport shumë i thellë e i qëndrueshëm, që nëse gjen terrenin e duhur mund të shndërrohet në një raport dashurie të gjatë. Madje, sipas studimeve, del se sa më e madhe të jetë vështirësia aq më të mëdha janë shanset që dy persona që mbrujnë marrëdhënien e tyre në këtë vështirësi t’ia dalin mbanë në krijimin e një lidhjeje afatgjatë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama