Disa e konsiderojnë "diarreja e fjalëve" dhe në të gjitha rastet është një gabim, por në disa raste është edhe fatale, siç mund të jetë të folurit e pakontrolluar në vendin e punës dhe me kolegët. Ka disa gjëra që personat që punojnë në të njëjtin vend nuk duhet t‘i dinë për njëri-tjetrin: planet për të bërë një fëmijë, zënkat me bashkëshortët, lindjen e një dashurie të re. Por ka gojë që zor se ia dalin për t‘i mbajtur sekretet kyçur. Ka nga ata që flasin vetëm për të dëgjuar se si tingëllon zëri i tyre, të tjerë flasin se nuk kanë ç‘të bëjnë, apo se nuk kanë me kë ta bëjnë, duke harruar se kështu bëjnë më shumë dëm se sa zgjidhin punë.
Duke qenë se kalojmë pjesën më të madhe të kohës në punë, pra ndajmë një sasi të madhe të kohës me kolegët, rreziku më i madh qëndron në vendin e punës. Disa prej nesh e kanë të vështirë që të bëjnë dallimin mes biznesit dhe miqësisë dhe kjo i çon në situata shpesh të komplikuara dhe pa rrugëdalje. Duhet pasur gjithmonë parasysh se ka një ambient shoqëror, një ambient pune dhe një ambient miqsh. Nëse nuk arrijmë që të bëjmë dallimin dhe të flasim gjërat e gabuara në ambientet e gabuara, atëherë do të përballemi me probleme. Shumë persona nuk e kuptojnë se ato që nxjerrin nga goja në vendin e punës kanë një ndikim shumë të madh në imazhin e tyre profesional. Llafazanët, që nuk rreshtin së treguari për veten, apo për të tjerët, konsiderohen si jokompetentë, joprodhimtarë dhe që nuk meritojnë të promovohen profesionalisht. Ja disa këshilla për të shmangur "diarrenë e fjalëve" në vendin e punës.
Informacion për pagën
Rroga juaj është një çështje shumë më personale nga sa mund ta mendoni. Është një çështje që ju takon dhe duhet të mbetet vetëm mes jush dhe punëdhënësit tuaj. Nëse e rrëfeni do të thotë që nuk jeni të aftë për të mbajtur një sekret me vlerë për ju.
Problemet mjekësore
Edhe pse mund të mendoni të kundërtën, realiteti është se askush në vendin e punës nuk do t‘ia dijë për dhimbjet tuaja të kurrizit, ndërhyrjen e fundit kirurgjikale, problemet e fertilitetit, apo se sa e pasur është kutia jote e ndihmës së shpejtë me ilaçe. Ndërsa, nëse punëdhënësi juaj do të merrte vesh për sa më sipër, atëherë me siguri që do të mendonte se kishte të bënte me një person problematik, të papërqendruar tërësisht në punë dhe mbi të gjitha që mund t‘i kushtonte shtrenjtë ndërmarrjes.
Thashethemet
Për një gjë të jeni plotësisht të sigurt, që nëse bëni thashetheme me ndokënd, ai patjetër do t‘u thotë edhe të tjerëve në lidhje me bisedën tuaj. Si rregull nëse një koleg bën thashetheme me ju, ai do të bëjë thashetheme edhe për ju.
Ankesa për punën
Ankimet e vazhdueshme për ngarkesën në punë, stresin që përjetoni, apo shoqërinë e pakëndshme që ju rrethon do t‘ju shndërrojë në personin që nuk do të marrë asnjëherë ftesë për drekë. Nëse nuk ndani të njëjtin mendim me politikën e kompanisë dhe mënyrën e procedimit të gjërave, adresojani vërejtjet tuaja një kanali zyrtar, ose heshtni, por mos bëni thashetheme për vendin i cili ju jep bukën.
Vlera e blerjeve
Mos u jepni të tjerëve shumë informacion në lidhje me mënyrën dhe koston e jetesës suaj. Do të përdorej gjithmonë për keq në momentin më të keq.
Detaje intime
Mos ia besoni detajet intime, ato në lidhje me jetën personale askujt. Kolegët, bashkëpunëtorët me të cilët ndani ditën dhe vendin e punës nuk do të hezitonin që informacionin ta përdornin kundra jush.
Politika dhe feja
"Njerëzit kanë mendime pasiononte dhe të fuqishme për të dyja çështjet e mësipërme. Nëse do të shpreheshin me të njëjtin pasion me të cilin mendoni, apo diskutoni me familjarë e miqtë e afërm për politikën dhe fenë, atëherë pa e kuptuar do të bënit që disa njerëz të largoheshin prej jush dhe në këtë mënyrë karriera juaj do të dëmtohej shumë.
Ndryshimet e mënyrës së jetesës
Zënkat, ndarjet, divorcet, planet për të bërë fëmijë duhet të ndahen me kolegët vetëm në rastin kur është e domosdoshme njohja e tyre, pra, kur në njëfarë mënyre gjërat janë bërë zyrtare. Në rast të kundërt, e gjithë jeta juaj private do të bëhet objekt diskutimesh e madje edhe shakash nëpër tavolina kolegësh, të cilët nuk do të hezitojnë të përflasin intimitete, të cilat ju vetë nuk ua ka mbajtur goja kyçur. Ajo çka është më e keqja, se jeta jote private mund të shfytyrohet e shtrembërohet, por ta dini se zanafilla ishit ju.
Profilet e ndryshme sociale, apo blogjet
Ajo çka thoni në komunitetin e rrjetit shoqëror apo në blogun tuaj personal mund të jetë shumë më e dëmshme nga ato që mund të thoni personalisht. Komentet online shihen nga shumë sy dhe nëse jeni në një ditë të keqe, një shpërthim inati mund t‘ju dëmtojë shumë.
Pikëpamjet negative të kolegëve
Nëse nuk bini dakord me mendimin e një kolegu, me veshjen, mënyrën e jetesës, aftësitë profesionale, atëherë përballeni personalisht atë person në vend që ta përflisni lart e poshtë me kolegë të tjerë që qëllojnë të jenë miq të tutë, sa edhe të tutë. Dhe mos harroni që vendi i punës nuk është shesh beteje dhe do të ishte vendi i fundit për lindjen dhe ashpërsimin e kontradiktave.
Dhimbjet e kokës dhe "fundjavat e egra"
Nuk ka asgjë të keqe që të kalosh fundjava të veçanta, por mos ua trego ato shokëve të punës. Pra, çka ndodh të shtunën e të dielën mos ua rrëfe kolegëve të hënën. Është një informacion që do të bënte të dukeshit joprofesional.
Problemet personale dhe marrëdhëniet brenda e jashtë zyre
Romancat afatshkurtra, sidomos kur janë të përsëritura, e bëjnë punëdhënësin të mendojë se jeni një person i paqëndrueshëm. Kur ato janë brenda zyrës është akoma më keq, pasi bëhen qendër thashethemesh. Për të qenë sa më në rregull mjafton të ndjekësh rregullin: mos jep informacion në vendin ku merr paratë.
Marre nga : Gazeta Shqip