Zakonisht kur zihemi, tensioni rritet, duke shkaktuar efekte të ndryshme, të cilat mund të shfaqen me kalimin e kohës. Sipas “International Journal of Psychophysiology”, pasi kanë kaluar disa javë pas një zënke, na mjafton vetëm të mendojmë se çfarë ka ndodhur dhe tensioni fillon të rritet sërish.
Një zënkë me partnerin e cila zgjat gjysmë ore, ul të paktën një ditë aftësinë tonë për t’iu kthyer sërish gjendjes normale. Te çiftet që zihen rregullisht, kohëzgjatja për t’iu rikthyer normalitetit dyfishohet. E qeshura i bën mirë zemrës, por me zemërimin tensioni rritet ndjeshëm, duke sjellë pasoja të tjera. Xhelozia shkakton dobësi dhe pagjumësi, ndërsa stresi rrit rrezikun e diabetit dhe sëmundjeve të zemrës. Nga kërkimet e shumta studiuesit kanë zbuluar se kur biem në dashuri, nivelet e faktorit të rritjes së nervave (Ngf) rriten dhe qëndrojnë kështu për rreth një vit. Kjo substancë i ripërtërin qelizat cerebrale, duke ndihmuar në rregullimin e sistemit nervor dhe përmirësimin e kujtesës. Fatkeqësisht, nivelet ulen pas një periudhe rreth njëvjeçare, kur në dashurinë romantike do të hyjë realiteti.
Të jetuarit në një gjendje konstante presioni shkakton efekte të cilat tashmë njihen mirë. Një profesor i njohur në shkencat biologjike në Universitetin e Stendfordit ka pohuar: “Kur duhet të zgjedhim mes një pune të rëndësishme për ta çuar deri në fund apo ta lëmë përgjysmë, trupi ynë vë mënjanë çdo projekt ndërtimi: kujtesa dhe saktësia e ndiejnë, kjo gjë na lodh më lehtë dhe kështu mund të rrezikojmë duke kaluar një gjendje depresioni”. Veç të tjerash, stresi rrit nivelin e kolesterolit.
Disa shkencëtarë nga Kalifornia kanë zbuluar se e qeshura të relakson muskujt, djeg hormonet përgjegjëse të stresit dhe tensionit. Sipas disa kardiologëve nga Universiteti Marilend, e qeshura zvogëlon rrezikun e një infarkti, sepse ul stresin, i cili mund të shkatërrojë pjesën e brendshme të venave të gjakut. Veç të tjerash, një e qeshur me shpirt djeg kaloritë e tepërta dhe vë në lëvizje rreth 400 muskuj. Disa kërkues theksojnë se 100 të qeshura janë të barasvlershme me 10 minuta aerobi, kështu që qeshni sa më shumë të keni mundësi, por jo vend e pa vend.
Si ta shfrysh inatin, ashtu edhe ta mbash përbrenda, ka pasoja negative. Sipas një studimi në Miçigam, femrat e akuzuara padrejtësisht, që e kanë mbajtur përbrenda inatin, janë të prirura dyfish për të vdekur nga infarkti, iktusi ose kanceri. Ndërsa shfryrjet mund të rrisin adrenalinën, tensionin dhe rrahjet e zemrës deri në pesë herë. Rreziku i një infarkti apo damllaje mund të shfaqet vetëm te personat mbi 50 vjeç. Forma të ndryshme inati, si padurimi, ngacmueshmëria dhe hatërmbetja mund ta dobësojnë sistemin imunitar dhe shfaqin rrezik për një infeksion.
Kur qajmë çlirohemi nga emocionet e këqija. Një biokimik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka analizuar lotët e shkaktuara nga emocionet dhe ato të nxitura nga qepët. Lotët e shkaktuara nga emocionet paraqesin nivel më të lartë hormonesh dhe neurotransmetuesish të bashkuar me stresin dhe e qara e tyre ul tensionin e gjakut dhe ritmin kardiak. Doktori ka arritur në përfundime se e qara me ngashërim eliminon substancat që shkaktojnë stresin. Frenimi i të qarit do ta bënte trupin tonë të ndjeshëm ndaj efekteve negative të ankthit, mes tyre dobësimi i sistemit imunitar, aftësive të kujtesës dhe probleme në aparatin tretës.
Nga të gjitha emocionet njerëzore, xhelozia është një nga ndjesitë më të njohura e më të dhimbshmet, e kryesorja më e vështira për t’u kontrolluar. Meshkujt bëhen xhelozë kur dyshojnë për një rival tjetër, ndërsa femrat bëhen xheloze kur dyshojnë për ndonjë tradhti të mundshme. “Me xhelozinë ndërthuret stresi, frika dhe inati. Kush është viktimë e saj vuan nga ankthi, pagjumësia, tensioni i lartë, të rrahurat e shpeshta të zemrës dhe nivelet e adrenalinës”, pohon një mjek i përgjithshëm londinez. Duke qëndruar te thënia e një tjetër mjeku, është oksitocina “hormoni i dashurisë” që ngjall te një çift dëshirën për t’u përkëdhelur, që në rastin e tij nxit prodhimin e dheas, hormoni kundër plakjes dhe stresit që sjell ndreqjen qelizore.
Një ndihmues tjetër është edhe masazhi. Sipas doktorit, masazhi ndihmon në zvogëlimin e kohës së shërimit dhe rrezikun e ndërlikimit te pacientët që i janë nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe transplanteve të zemrës.
Të ndihesh mirënjohës ndaj dikujt ndihmon në forcimin e sistemit imunitar, ul tensionin dhe shpejton shërimin. Doktori ka zbuluar se mirënjohja dhe kënaqja, të cilat janë baras me dashurinë, prodhojnë ositoksinë që “çaktivizojnë stresin dhe përmirësojnë oksigjenimin e indeve”.
Depresioni, pesimizmi dhe plogështia janë të shoqëruara me nivele të ulëta serotonine dhe dopamine, neurotransmetues që shkaktojnë një ndjesi mirëqenieje. “Serotonina ndihmon në rregullimin e perceptimit të dhimbjes, gjë e cila do të shpjegonte arsyen se pse 45% e njerëzve vuajnë nga depresioni. Një moral jo i mirë shoqërohet edhe me pagjumësi, përfundon doktori.