Janë bllokuar sot në Peqin 232 mijë litra hidrokarbure të padeklaruara në organet doganore dhe tatimore. Në kuadër të operacionit “Rafineria” Drejtoria e Policisë së Elbasanit ka bërë të mundur bllokimin e një autoboti me një sasi prej rreth 32 mijë litra solar në fshatin Çopanaj të Peqinit.
Në të njëjtin vend policia arriti të zbulonte dhe më pas sekuestronte 5 depozita me rreth 200.000 litra hidrokarbure. Këto depozita të ndërtuara në mënyrë të fshehtë, nga hetimet e kryera rezultoi të ishin në pronësi të shtetasit Drini Ceka, me banim në Peqin, i cili është shpallur në kërkim.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se sasia e hidrokarburit të gjetur nuk është deklaruar në organet doganore dhe tatimore. Sipas policisë, Ceka furnizohej me solar në Fier dhe më pas e tregtonte atë në Tiranë, Elbasan dhe Peqin.
Sipas njoftimit të policisë hetimet për këtë çështje po vazhdojnë.