Kultura e ndërprerë është rezultat i një akti të jashtëm, i dhunshëm madje, mbi formacione që parim zhvillimi kanë zhvendosjen e traditave. Efekti i një ndërprerje të tillë marrëdhëniesh midis të shkuarës dhe të tashmes, është i njëjtë me atë të helmeve në zonat industriale ku lindin fëmijë e shtazë të gjymtuar.
Konkretisht? Një grua e huaj vjen guvernante tek Vrionët, ngjiz një kulturë "barbare", mëson fëmijë të flasin frëngjishte dhe të sillen me botën, por "mënyra" e zonjushës pritet në mes, kurse familja e shqiptarëve të saj të sërës, syrgjynoset në atdhe.
Sa për të sjellë një shembull nga libri "Kulturë e ndërprerë" ku Donika Omari për herë të parë tregon kujtimet e fëminisë që përfshijnë me mprehtësi brendinë e Tiranës së lagjeve në vitet '40.
Janë shkruar me sinqeritetin e fëmijës, me pjekurinë e intelektuales që vazhdon të shqetësohet për "djegien e etapave", e bashkë me to edhe të njerëzve dhe vlerave që krijohen pa u dukur në shoqërinë shqiptare. Libri (Botimet Elena Gjika, 2009) përmban jo pak publicistikë të mirë po edhe shënime letrare që Omari ka botuar në shtypin e përditshëm këto 20 vite.
Kujtimet janë e reja e këtij libri që sado pak në vëllim, janë autentike në serinë e kujtimeve që kanë ardhur vitet e fundit nga kultura jonë e ndërprerë. Futini në bibliotekë!
Të vjen keq që te libri juaj "Kulturë e ndërprerë" ju i ndërprisni aq shpejt kujtimet nga fëminia, sepse janë kujtime që lidhen me jetën private sa edhe shoqërore e historike të vendit në dekadën e viteve '40. Përse i keni lënë me aq?
Sepse nuk pata synimin të shkruaja kujtime. Në fakt ishte problemi që doja të ngrija, pra shqetësimi se sa pak përfitojmë nga fqinjësia me vende që janë djepi i qytetërimit, ishte ky shqetësim që më shpuri vetvetiu në të kaluarën dhe te njohjet e kohës së pushtimit fashist italian, që janë edhe katër nga vitet e fëmijërisë sime.
Disa zhvillime pozitive që pati shoqëria shqiptare nga kontakti me një qytetërim më të ngritur, siç qe ai italian, duhet pasur para sysh se i pati në kushte pushtimi. A nuk është një shqetësim i madh që sot, në kushte lirie, nuk po dimë të orientohemi drejt vlerave pozitive, të shëndetshme të botës, qoftë asaj perëndimore qoftë asaj lindore?
Përse keni ndjekur një strukture ku përzihet jetëshkrimi me punët që keni bërë në jetë, publicistikë dhe shkrime letrare?
Ky qe një vendim që e mora pasi kisha ndërruar kaq herë mendje: të botoja veç publicistikën e shkrimet letrare dhe veç kujtimet, pasi t'i zgjeroja, apo ta botoja të gjithë materialin në një përmbledhje, në një vëllim të vetëm. Shpesh, duke u rrekur të arrish më të mirën e mundshme, gjërat mbeten pa u realizuar fare. Kështu që më në fund vendosa "ta hiqja qafe" këtë ngurrim, këtë ndërdyshje, duke e botuar librin siç e keni në dorë.
Ju thoni: "Nuk mund t'i lejojmë vetes luksin që, për hir të gabimeve të njeriut, të lëmë mënjanë a të mohojmë autorin e veprën e tij, kur kjo sjell ndihmesë edhe sot në ndërtimin e kulturës shqiptare."
Përsëri e keni fjalën për kulturën e ndërprerë. A mund të përmendni disa shembuj delikatë që shprehin kontradiktën e jetës së njeriut me veprën e tij?
E kemi bërë shpesh, shumë shpesh gabimin e pafalshëm që i kemi gjykuar autorët nga biografia e jo nga veprat. Lista është shumë e gjatë, për sa i përket periudhës së monizmit.
Por për fat të keq kjo mendësi ka ndikimin e vet edhe sot në qëndrimet ngurruese për të botuar autorë që në një çast të jetës së tyre mund të kenë pasur pikëpamje e qëndrime të gabuara, të pasqyruara ndonjëherë edhe në veprat e tyre. Për raste të tilla të vjen në mend emri i Nebil Çikës.
Nuk mund të them se e njoh aq sa duhet veprimtarinë e krijimtarinë e tij sa të mund të jap gjykime të sigurta për to. Kam lexuar elozhet që i bën në një vepër fashizmit italian gjatë kohës së pushtimit.
Por po në këtë vepër bën analiza e konstatime shumë interesante e të thella për mendësi, tipare, sjellje, qëndrime të shqiptarëve të kohës së vet, e sidomos të intelektualëve shqiptarë, që tingëllojnë me një aktualitet të habitshëm edhe sot. Edhe botimet e veprave të Mustafa Krujës po bëhen me vonesë e me ngurrim të madh.
Nga ana tjetër është ana tjetër e medaljes, janë autorë revolucionarë veprat e të cilëve nuk parapëlqehet të bëhen të njohura, megjithëse kanë vlera të mëdha artistike dhe i shërbejnë më së miri edukimit patriotik e estetik të brezit të ri.
Siç është për shembull poezia: Si e dua Shqipërinë, e Sejfulla Malëshovës, shkruar me një pathos të fuqishëm e me një dhembshuri prekëse për vendin. Vargjet e Lame Kodrës nuk janë vetëm të shkruara, nuk i sheh vetëm syri, ato i dëgjon edhe veshi se buçasin.
Është një poezi e Hygoit ku shprehet mendimi se një mbret i mençur di se si të vërë në shërbim të vendit mundësitë e aftësitë e secilit qytetar, që nga më i afti e deri te ai më i humburi. Pra, jep idenë se te çdo njeri ka një mundësi të veçantë, që duhet shfrytëzuar.
Tani merrni me mend se ç'humbje është kur hedhim poshtë ose lëmë mënjanë e harrojmë vlera tashmë të krijuara, të dëshmuara, jo si mundësi por të realizuara...Këto ditë jam duke lexuar librin e Isuf Luzajt Filozofia e bukurisë. Habitem si ka mbetur deri tani i panjohur një autor i një kalibri të tillë.
Nuk besoj se këtu ka të bëjë ndonjë arsye biografie. Ndofta është pamundësia financiare e familjarëve që i ka lënë veprat e tij të pabotuara deri tani. Por, në raste të tilla, me vlera të tilla që i përkasin të gjithë kombit, a nuk duhet ta marrin përsipër këtë ndërmarrje institucionet përkatëse?
Se çdo lënie në harresë e veprave që janë vërtet ndriçuese për kulturën e një vendi, madje jo vetëm të një vendi, është përsëri një ndërprerje e kulturës.
Po ju bëjmë një pyetje që ju vet e shtroni për përgjigje në libër: Ç'të mbron nga cenimi i pavarësisë së mendimit? Është një pyetje për të rimarrë edhe një herë në këtë bisede veprat më të rëndësishme që ju rendisni tek leximet që keni bërë gjatë jetës.
Të kesh interesa: interesa shoqërore, letrare, artistike.
Të bësh pyetje. Thotë Ajnashtajni: "Është e rëndësishme të mos pushosh së pyeturi." Të kesh kontakte me njerëz më të mençur se vetja.
Të dëgjosh me kujdes, se edhe një fëmijë a një analfabet mund të të mësojnë gjëra që të hapin sytë. Të mbash sytë hapur. Për të gjitha këto të ndihmojnë leximet e shumëllojshme, nga autorë të pikëpamjeve të ndryshme.
E kam pasur fatin që të kem pasur mundësi të më bien në dorë qysh në rininë e hershme revista e libra si të një Noli, me poezitë e tij prej tribuni të popullit, ashtu edhe shkrime të një Branko Merxhani, që shpjegonte se përse nuk ishte marksist.
Si romanin pesimist Pse? të S. Spases ashtu edhe romanin optimist Nëna të Gorkit, si letërsi me karakter fetar ashtu edhe Prometeun kryengritës të Eskilit, etj. Natyrisht ka edhe faktorë të tjerë që të mbrojnë nga shpëlarja e truve, dhe që janë shtjelluar në libër.
Janë me dhjetëra shkrimet publicistike tuajat në shtypin e përditshëm ku trajtoni çështje të "sjelljes shoqërore", të moralit, të besimit, të simboleve kombëtare. Janë shkrime për të cilat ju i njihni vetes një cilësi: mendimin objektiv. Çfarë ka ndikuar që ju të ruani një mendim objektiv?
Kam bërë një rezervë: Njeriu mund të ketë edhe mendim të gabuar, subjektiv, për veten. Sidoqoftë, për të qenë objektiv në gjykime duhet të jesh i ndershëm me veten. Të respektosh mendimin e lirë edhe kur vjen ndesh me interesat e tua. Për këtë duhet jo vetëm një mendje e hapur por edhe zemërgjerësi.
Ndofta një nënë që i ngjante figurës femërore të tregimit At Sergei të Tolstoit them se ka ndikuar që të kem gjithnjë parasysh se duhet "hyrë në lëkurën e tjetrit" për të ndier atë që ndien tjetri. Do të kursenim mosmarrëveshje e fatkeqësi të mëdha familjare, shoqërore e kombëtare po të kishim si udhërrëfyes këtë qëndrim moral.
Të bën përshtypje që ju as keni abuzuar dhe as mbrojtur me partizanizëm në ligjërimet tuaja publike të drejta të gruas (duke ju referuar pozitës suaj si intelektuale). Ka një shpjegim kjo?
Kam shkruar vetëm dy artikuj në mbrojtje të një qëndrimi emancipues ndaj gruas. Por në libër nuk kam përmbledhur gjithë ç'kam shkruar.
Meqë u përmendën librat dhe jeta juaj është e lidhur me librat: shtëpia juaj botuese "Elena Gjika" ka sjelle vitet e fundi autorë si Kaneti, Cvajgu, që e keni përkthyer vetë, Gëte apo Hese. Autorë që orientojnë jo vetëm drejt shijeve estetike të padiskutueshme, po edhe drejt një etike.
Arti është patjetër edhe edukues vlerash njerëzore. Përjashtimet janë të rralla: një Niçe, një Oskar Uajlld, një Vagner kanë pasur (pjesërisht), në krijimtarinë e tyre edhe vepra jo të shëndetshme.
Përgjithësisht arti i madh, edhe kur është tragjik, ngushëllon, jep shpresë, çka do të thotë i shërben jetës. Autorët që përmendni në pyetjen tuaj përcjellin mesazhe njerëzore të gjithëmbarshme jo vetëm për çdo lexues, por veçanërisht Gëtja dhe Heseja e kanë pasur temë të veçantë në veprat e tyre çështjen e edukimit të rinisë.
Ekziston një keqkuptim te ne sipas të cilit synimi edukues nuk përputhet me artin. Keqkuptim i lindur, mendoj, nga vepra edukuese të dobëta artistikisht.
Por s'është e drejtë që nga këto raste të kalohet në përgjithësim. Ngjan pak me paragjykimin sipas të cilit vajzat e bukura nuk janë të zgjuara.
Arti, letërsia, piktura, poezia janë edukuese edhe kur nuk përçojnë ndonjë ide a mesazh: edukojnë shijen e mirë, çka nuk është e paktë për cilësinë e njeriut e të jetës.
Për jetën nën diktaturë, do donim ta shtjellonit më tej opinionin tuaj: "Nuk ishte e paktë ta shpije jetën deri në fund pa u njollosur. Në këtë aspekt, mbiemri Omari çfarë peshe ka pasur?
Ma ka forcuar më tej besimin te ruajtja e një integriteti moral. Për figurën e Bahri Omarit kam pasur admirim qysh në fëmijëri (kam qenë nëntë vjeçe në kohën e gjyqit special).
Im atë kthehej nga puna i tronditur: si ishte e mundur të dënohej me pushkatim një patriot i tillë, me një ndershmëri të kulluar, i përkushtuar gjithë jetën atdheut... Ajo tronditje e tij, fjalët plot admirim që kam dëgjuar më vonë për të nga të tjerë, patjetër që më kanë lënë mbresa të thella.
Hyrja në familjen Omari ishte vazhdimësi e një edukimi të marrë tashmë nga familja ime. Prandaj shtëpia jonë, duke u nisur edhe nga shembulli që jepte vjehrra ime, Fahria, që i priste me dashamirësi e gëzim të gjithë, ka qenë gjithnjë e hapur për këdo.
Te im shoq dhe tek unë nuk zinte vend as në mendësi e as në veprime konkrete propaganda dhe praktika e luftës së klasave. Pavarësisht lidhjeve familjare me Enver Hoxhën, mbanim gjithashtu lidhje edhe me, siç quheshin, të deklasuar, a me të dënuar nga pushteti, herë haptas e herë, natyrisht, fshehtas.
Raste kur mund të ishe i detyruar ta dëmtoje tjetrin, ose të mos i jepje ndihmën e duhur, i kthenim, jo pa rrezikuar, në raste për ta ndihmuar. Kjo është, ndër të tjera, të mos biesh në poshtërsi.
Po t'u ktheheshim prapë kujtimeve të fëminisë, a keni lënë jashtë këtij libri për arsye të caktuara, histori nga koha kur mbanit mbiemrin Sahatçiu?
Patjetër që kam lënë shumë pa rrëfyer. Kam folur vetëm për një periudhë fare të shkurtër të kohës së fëmijërisë. Siç e thashë më sipër nisa t'i shkruaja ato pak kujtime e shtyrë nga synimi të shtjelloja një ide, të jepja një mesazh. Dhe s'kisha si shtrihesha më tej: përndryshe rrëfimi do të humbiste koherencën.
Bukur kur citoni Merxhanin: "Shqipëria është si një spital popullor i sëmundjeve psikologjike." Do të na thoshit se cilat janë shfaqjet më të rënda të këtyre sëmundjeve sot?
Po ato që kanë qenë në kohën kur shkruante Merxhani: mosndërgjegjësim për veten si individ e si komb, çka lë shteg për paragjykime e keqkuptime të mëdha. Marrëdhënie mosbesimi, çka vështirëson ndërtimin e një komuniteti të vërtetë njerëzor. Një klasë politike e intelektuale e preokupuar vetëm për veten, pa një ideal, pa aspirata të larta për shoqërinë e për atdheun, etj.
Elsa Demo:Gazeta Shekulli