Semundjet e gjakut shperthejne nga kimikatet e perdorura ne industri dhe familje

Sëmundjet e gjakut shpërthejnë nga kimikatet e përdorura në industri dhe familje
Doktor Ivanaj, sëmundjet malinje të gjakut, pse ndodhin dhe nga se vijnë?

Sëmundjet malinje të gjakut janë tërësi sëmundjesh në përgjithësi me origjinë të panjohur. Por trajtimi i tyre, pavarësisht nga origjina, është i mundur që të bëhet, nëse insistojmë në disa procedura të thjeshta. Praktikisht nuk ka një pyetje të saktë përfundimtare, por ajo që mendohet, është që një tërësi faktorësh ambientalë dhe jo vetëm ambientalë ndikojnë mbi kodin tonë gjenetik gjë që shoqërohet me një çrregullim që në momente të caktuara bëhet i pakthyheshëm dhe prodhon sëmundjen. Kjo është origjina e të gjitha sëmundjeve malinje, atyre që quhen kancere

Ka ndonjë kohë zhvillimi dhe ndonjë moshë, kur sëmundja malinje e gjhakut sulmon njeriun?

Janë disa grupmosha më të predispozuara se disa grupmosha të tjera sikurse ka patologji që prekin pa dsallim gjithë grupmoshat. Përshembull, gjenerata e tretë është më e predispozuar për prekje nga këto sëmundje. Kjo ka të bëjë edhe me faktin, që janë faktorët ambientalë, të cilë ndikojnë mbi gjenet tona, apo vetë kodi gjenetik vjen një moment dhe plaket. Kjo favorizon ndryshime që çojnë në sëmundje.

Atëherë, ka ndonjë gjen që njihet të jetë përgjegjës për sëmundjet malinje të gjakut?

Lidhja e deficiteve gjenetike me sëmundjet malinje është demonstruar për herë të parë në vitin 61, në atë që quhet kromozomi Filadelfia, shumë i njohur në sëmundjet e gjakut dhe pas publikimit për herë të parë të ADN-së, në 61-n u gjet deficiti gjenetik në sëmundjen e gjakut (leucemi). Që atëherë kemi këtë konfirmim që sëmundjet malinje në tërësi dhe hemopatitë malinje në veçanti kanë në origjinën e tyre një deficit gjenetik të fituar.

Meqenëse flitet për deficit gjenetik, atëherë këto sëmundje duhet të kenë edhe një bazë trashëgimie…

Është e vërtetë, janë disa lloje patologjish që janë të trashëgueshme, përshermbull, ajo që quhet Sindromi Fritman, i cili në një moshë të caktuar bën që anëtarët e familjes të preken prej tij.

A është mirë, që një person të dijë nëse ka predispozitë për tu prekur nga këto sëmundje, në mënyrë që të influencojë, apo kjo është tërësisht e pashpresë?

Historia familjare gjithnjë është e rëndësishme në të gjitha llojet e sëmundjeve dhe besoj se të gjithë janë mësuar me pyetjet që bëjnë mjekët, “a ke pasur në familje të sëmurë,” për vetë faktin se para se të zbulohej qeliza apo të shiheshin problemet gjenetike, është parë që janë disa lloje patologjish, që kanë të ashtuquajturën lidhje gjaku. Disa sëmundje gjaku janë të lindura si talasemitë, hemofilitë ose drepanocitozat, por sikurse ndodh edhe me ato që quhen rastësore, kur në pemën gjenealogjike nuk ka një rast të tillë.

Pikërisht ky fakt këtu si shpjegohet?

Këtu del problemi i studimit të faktorëve ambientalë-ka një fakt të konfirmuar: Incidenca e sëmundjeve malinje është rritur në progresion aritmetik. Ndërkohë, është rritur ndërgjegjësimi dhe marrja në ngarkim e disa lloj patologjive. Faktikisht, sëmundjet e gjakut merren në ngarkim dhe diagnostikohen shumë më mirë se më parë dhe nga ana tjetër, është realitet rritja e rasteve të patologjisë. Kjo lidhet me ndryshimet e ambientit.

Cilët janë faktorët ambientalë përgjegjës për sëmundjet beninje dhe malinje të gjakut?

Janë një numër faktorësh të njohur dhe të akuzuar si pathogen, përshembull rrezatimet e ndryshme apo kimikatet e ndryshme. Në krye të listës është benzeni, një kimikat që gjendet në të gjitha bojërat. Në industrinë kimike dhe aty ku përdoren këto produkte duhet bërë praktikisht shumë kujdes. Është bërë modë rikonstruksioni i banesave dhe shumë njerëz përdorin vetë materiale dhe substanca kimike për riparime të ndryshme, pa qenë punëtorë të industrisë kimike. Amvisat përdorin solucione larëse deri edhe acide për një pastrim të thellë.

Janë këto situata të tilla, që për një kohë të shkurtër të bëhen shkak për shpërthimin e sëmundjes?

Është një histori konkrete që ka ndodhur në disa vende evropiane, është rasti i një materiali shumë të përdorshëm në ndërtim në vitet 60. Ky ishte një material që përdorej në të gjitha ambientet e brendshme, në konstruksione, në ndërtimin e shtëpisë apo ambiente publike. Ky material (nuk po përmend emrin e tij), është një problem nuk di sa i studiuar në vendin tonë.

Por ky problem u bë legal në Evropë në mesin e viteve 90. Faktikisht është i ndaluar që nga ai moment dhe është një produkt tashmë i konfirmuar se jep sëmundje malinje. Aktualisht është një industri e tërë që po punon për eliminimin e atyre konstruksioneve që janë përdorur në atë kohë. Nuk dimë sa i përhapur ka qenë në vendin tonë ky material ndërtimi dhe nuk dimë sa është i shprehur. Sikundër janë një numër problemesh të tjera të predispozuara për të dhënë sëmundje malinje. Përshembll, pesticidet e Bajzës apo të Milotit ishte e domosshme të elimonoheshin dhe të hiqeshin nga vendi dhe të bëhej pastrimi i zonës, pasi këto lloje pesticidesh janë të njohura si materiale që japin sëmundje malinje.

Është i madh numri i substancave kimike, që bëhen shkak për shpërthimin e sëmundjeve të gjakut, përfshirë ato beninje dhe malinje?

Janë shumë, është një listë e tërë. Çdo ditë konfirmohen.

A është mirë të njihen për të pasur kujdes në përdorimin e tyre?

Sigurisht që është mirë për një situatë të formimit të përgjithshëm, por ky informacion është detyrë e organeve të Shëndetit Publik, të cilat merren me këto probleme. Një pjesë e njerëzve e kanë pasion të rrisin lule. Por lulet kërkojnë shumë shërbime, midis të tjerave kërkojnë të mbash pesticide, ushqim lulesh etj.

A janë të rrezikshme këto lloj preparatesh për lulet që përdoren qoftë edhe rrallë në shtëpi?

Sigurisht që çdo produkt kimik shërben si një bazë për të shpërthyer diçka të padëshirueshme. Çdo produkt artificial është një produkt potencialisht i rrezikshëm. Përshembull, para ca kohësh doli historia e dioksinës së pulave. Para 20 viteve kjo histori nuk njihej. Duhej kohë që të konfirmohej që është e rrezikshme.

Apo problemi i biberonave dhe i lodrave plastike. Këto histori nuk njiheshin para 30 vjetësh, sikurse materialet e rrezikshme të ndërtimit. Në Shëndetin Publik ekziston një parim që quhet “Parimi i kujdesit të predispozuar”. Që do të thotë, që për gjërat që nuk i dimë, në Shëndetësi duhet të jemi të kujdesshëm në përdorimin e tyre, ti konsiderojmë ato të rrezikshme. Përshembull, sot është në fokus debati për produktet e modifikuara gjenetikisht.

Nga parimi i kujdesit është e detyrueshme që publiku gjithnjë të informohet dhe pastaj publiku zgjedh vetë. Ne nuk e dimë për momentin sa dhe si ndikojnë produktet OMGJ në organizëm, por pikërisht për këtë arsye i referohemi atij parimit të mjekësisë që na bën të tregojmë kujdes.

Për sëmundjet malinje të gjakut, sikurse edhe për sëmundje të tjera diskutohet se mund të ketë faktorë të tjerë riskues si valët elektro-manjetike. Për momentin nuk ka një njoftim të konfirmuar katërcipërisht, pasi problemi është ende në fushën e hetimit. Të gjitha këto janë rrethana të panjoura dhe në këtë rast këtu hyn parimi i mosdijes dhe parandalimit.

Doktor Ivanaj, duke qenë në këtë lëmë, shihni të njëjtin fokus problematik në konsumin ushqimor të kafshëve që janë trajtuar me medikamente të ndryshme, me hormone etj?

Nuk e dimë sa dhe si. Se përshembull, në një deficit gjenetik të caktuar ne nuk dimë se nga vjen ai. Ne dimë se cilët janë produktet kimike të ambientit tonë të përditshëm, që kanë dhënë këtë çrregullim gjenetik dhe nga ana tjetër, në të njëjtin ambient edhe pse rrinë disa persona, vetëm tek njëri prej tyre apo tek pak prej tyre shpërthen sëmundja.

Përse të tjerët nuk sëmuren? Ekziston një numër i madh produktesh kimike të përdorimit të përditshëm. Presupozohet se ndikimi i tyre mbi shëndetin nuk ka rrezik, derisa janë hedhur në treg. Por, sikurse thashë më parë, pas 30 viteve mund të thuhet që x produkt ka qenë i dëmshëm për shëndetin. Prandaj, gjithnjë nisemi nga mekanizimi i parandalimit dhe ulja e ekspozimit ndaj gjithçkaje që nuk është provuar si e padëmshme.


Doktor, kur flasim për kimikatet, nga çlirimi i tyre në ajër, si arrijnë molekulat e tyre që futen në rrugët respiratore të njeriut, të dëmtojnë gjakun?Sepse në pamje të parë duket se gjithçka që lidhet me ajrin, lidhet me mushkëritë dhe gjithçka që preket, lidhet me lëkurën…

Qelizat e gjakut janë qeliza që shumohen shpejt, rriten dhe shkatërrohen shpejt. Këto qeliza janë të ndjeshme ndaj faktorëve ambientalë. Sigurisht që veprimi i tyre është biokimik dhe veprimi i tyre është në nivelin e gjeneve. Këto gaze hidhen në gjak në të njëjtën rrugë siç kalon edhe oksigjeni. Por sigurisht që disa probleme shëndetësore që lidhen me ajrin, ndikojnë më shumë mbi mushkërinë, sikurse dihet që alkooli lidhet më shumë me problemet e heparit- mëlçisë, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë ndikim mbi një organ tjetër.

Duhanin e fajësojnë për një sërë sëmundjesh, sidomos për kancerin e mushkërisë, të ezofagut, të buzës dhe për problemet e rënda të zemrës. A ka ai influencë serioze për sëmundjet malinje të gjakut?

Duhani është i njohur tashmë se është një problem i madh për sëmundjet e gjakut, pavarësisht se sa është faktor direkt, ai ka ndikimin e tij negativ. Duhani, alkooli, të gjitha llohet e drogave janë të pranuara si përgjegjëse direkte të një numri të madh sëmundjesh.

Ushqimet OMGJ dhe viruset, të dyshuarit e radhës për leucemitë.

Ka një mendim të gjetur në disa studime të reja, se ushqimet proteinike, sidomos mishi shtojnë toksinat në organizëm. Në mënyrë të ngjashme me fenë, këto sprova shkencore sugjerojnë pastrimin e organizmit me dieta të lehta apo me pushime (agjerim, kreshmë).

Ka ndonjë pikë lidhje këtu mes toksinave dhe sëmundjeve të gjakut?

Metabolizmi i produkteve çon edhe në prodhimin e disa toksinave, por proceset biokimike të organizmit janë të adoptuara në mënyrë të atillë, që të eliminojnë gjithçka dhe ta kthejnë në ujë dhe oksid karboni që nxirret me anë të frymëmarrjes. Nga ana fiziologjike është organiuzar gjthçka që mbetjet e panevojshme dhe të dëmshme të dalin në formën e ujit, fekaleve dhe gazeve.

Mishin, kohët e fundit kanë nisur ta akuzojnë si shkaktar të kancereve…

Produktet e mishit janë të domosdoshme për organizmin, për vetë faktin se janë një numër proteinash që merren vetëm nga produktet e mishit. Janë disa sëmundje të gjakut që e kanë të domosdoshme përdorimin e mishit. Ai parandalon disa lloje anemish. Absolutisht mishi është i domosdoshëm. Por ka një të vërtetë në konsumin e tij: Përshembull, nëse lexojmë librat e Odisesë, aty thuhet për mishin ku rridhte dhjami çurg-çurg. Nëse mishi konsumohet bashkë me dhjamin, kjo nuk është më një ushqyerje e mirë. Është provuar që shprehja tu bëftë gjak e dhjamë është mallkin. Të shëndoshesh do të thotë të predispozohesh për një numër sëmundjesh kardiovaskulare dhe një numër kanceresh. Pra, në zgjuarësinë popullore, konsumi i madh i produkteve është reflektuar në këtë, që të ngrënët e shumtë të bën keq.

Në mentalitetin popullor bëhet një lidhje mes bukurisë dhe shëndetit. Ekziston edhe ajo shprehja: “Je si molla e kuqe”. Në fakt, a është bukuria një tregues i shëndetit?

Kjo shprehje do të thotë se është kuptuar në inteligjencën popullore, që pamja e mirë tregon shëndet të mirë. Përshembull, një ndër shenjat klinike më të zakonshme është vuajtja që reflektohet në fytyrë. Dhe prej kësaj, urtësia popullore ka reflektuar në shprehjen “je si mollë e kuqe”. Janë një numër shenjash që shoqërohen me anemi dhe shfaqen me anemi. Dhe anemia reflektohet në kolorimin e lëkurës dhe të sklerave (të bardhës së syrit) si dhe në reflektimin e gojës (ngjyra e buzës dhe gjuhës). Nëse këto janë të kuqe, individi është mirë.

Doktor, për disa lloje kanceresh studimet bëjnë përgjegjës edhe viruset. Ekziston për sëmundjet beninje dhe malinje të gjakut, ndonjë lidhje e tillë?

Viruset janë akuzuar qysh herët në origjinë të sëmundjeve malinje. Përshembull, janë dy limfoma që akuzohen dhe lidhen me praninë e virusit. (Limfoma është një nga sëmundjet malinje të gjakut). Janë një numër viruesesh të izoluar që nuk rriten në Evropë, në rastin që thashë janë gjetur në Azi. Pastaj, janë disa viruse të kudogjetshme, edhe në Shqipëri dhe 60% e njerëzve janë seropozitivë të këtyre viruseve. Pra janë bartës por jo të sëmurë. Ka një numër punimesh që tentojnë të lidhin sëmundjen me praninë e infeksionit në organizëm. Ende nuk është konfirmuar, por një gjë është e qartë; Se prania e këtyre viruseve bashkë me faktorë të tjerë influencojnë në kodin tonë gjenetik për të dhënë patologjinë e caktuar. Pra, virueset mbeten të dyshuar për sëmundjet e gjakut, por jo të konfirmuar.

Po bakteret? A ka ndonjë lidhje mes infeksioneve bakterologjike dhe sëmundjeve të gjakut e leucemisë në veçanti?

Nuk kemi shumë të dhëna për sëmundjet e gjakut, por kemi disa të dhëna për patologji të tjera si patologjia e stomakut ku prania e helikobakterit është një argument që lidhet me karcinomën e sotmakut (kancer).

Çfarë duhet të bëjnë njerëzit, për të qenë sa më larg sëmundjeve malinje të gjakut, edhe pse ju thatë se në origjinë të tyre ato janë përgjithësisht të panjohura mirë?

Të jetojmë shëndetshëm. Ky është një koncept i shëndetit publik, shumë i gjerë, që do të thotë të ushqehemi shëndetshëm, të merremi me sport sipas mundësive, të bëjmë jetë aktive, të eliminojmë ato gjëra që nuk janë të domosdoshme për jetën e përditshme. Ajo që quhet natyrë duhet të zërë sa më shumë vend në ushqyerjen tonë. Gjithë porosia përmblidhet: Të jetojmë me natyrën dhe në natyrë.Hematologu Dr.Arben Ivanaj.



Ballkan


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama