Ekspozita për nder të Gjergj Fishtës, që ishte ekspozitë për nder të padër Gjergj Fishtës, kishte dy kontribues kryesorë: Provinca Françeskane të Shqipërisë, me fretërit minorë që drejtonin vizitorët (të gjithë kishin të ngjitur në jakat e xhaketës një portret të vogël të Fishtës) ato dy orë të mbrëmjes së 24 tetorit, dhe Shoqata e Bukinistëve dhe e Koleksionistëve të Shqipërisë. Kjo ka kontribut special në gjurmimin e objekteve të Fishtës.
Fra Mikel Pllumaj që udhëheq guidën për ministrin e Kulturës Aldo Bumçi dhe drejtorin e MHK-së, Luan Malltezi, e për një radhë që dyndej, e nis me objektet e ruajtura për gjysmë shekulli nga komunistët. Fra Mikeli (ka qëndruar vitet e fundit pranë padër Zef Pllumit që ishte një nxënës i Fishtës), tregon historinë e ruajtjes së objekteve nga Muhamet Alia. Kujton që shumë objekte të kishave me ndalimin e fesë, u shpërndanë në familje komunistësh. Disi ndryshe qëndronte puna me Muhametin. “Ishte fort i besueshëm me ruejt objektet e padër Gjergjit, njëkohësisht i ka ble këto.” Është një tavolinë, një tapet i kuq, dhuratë prej Persie të cilin e kanë shkelur pak majat e këpucëve të ministrit. “Domethënë ne po shkelim në qilimin e padër Gjergjit?!”, pyet dhe habitet ministri. Fra Mikeli sqaron se janë përpjekur që ky kënd i veçantë i ekspozitës të duket familjar. Mbi tryezë varet një “lampadar që është ruejt në shtëpinë e Muhametit. Ai kishte dhe shumë pajisje të tjera, siç ishte kompleti i dhomës.” Ministri Bumçi tërheq pak vëmendjen që nuk iu thanë këto detaje njerëzve. “Është interesante që një komunist i run këto objekte”, shton frati, “por i ka rujt për një arsye që e ka pranuar. Ai kishte studju në shkollën françeskane “Illyricum” dhe disa herë i ka çu kafe padër Gjergjit.” E themeluar shkollë më 1861, “Illyricum” mori statusin e gjimnazit më 1921 falë Fishtës, drejtor i saj prej vitit 1902. Madje në ekspozitë të bën përshtypje një reskript i Sulltanit të Stambollit dërguar at Fishtës më 1909, e me të cilën njeh shkollën françeskane.
“Pra ia ka dit vlerën dhe i ka ruejt këto materiale”, shton fra Mikeli. “Një diçka tjetër të veçantë që e ka familja e Muhametit edhe sot, është një pikturë e bam prej padër Gjergjit, të cilën e run vajza e tij në Romë dhe më ka premtu se edhe atë do të na e kthejë.”
Mbi tavolinë ndodhet një makinë shkrimi, pjesë e Kuvendit të fretërve minorë dhe dy kupa të bardha porcelani për karramele.
“Të gjitha këto objekte për t’i sjellë deri këtu, ka ndihmuar Shoqata e Bukinistëve dhe Koleksionistëve të Shqipërisë” konfirmon Shpëtim Sala, kryetar i shoqatës, “ndodheshin te një person privat, Muhamet Alia, prej 55 vjetësh. Tani do t’i ketë Kuvendi i Gjuhadolit.”
Eksponati që qëndroi vetëm pak orë në qendër të ekspozitës mbante një botim të hershëm të “Lahuta e Maltsiis” me një përkushtim nga dora e Fishtës: “Atij kolegjalit qi di “Lahuten” permendsh”, Romë, 2.11.1939. Ky kolegjiali është padër Zef Pllumi, një nxënës i devotshëm i lirisë që kishte kënduar në librat e Fishtës. “Me interes është edhe ruejtja e këtij bastoni. Është ruejt prej Markut nga Hajmeli i cili ishte te fretërit dhe ka qëndru me Padër Justin Rrotën, deri kur janë mbyllur kishat, tek Arra e Madhe. Ka marrë bastonin e padër Gjergjit e ka ruejt; ka marrë kelkun me të cilën ka çuar meshën dhe kandilin e tina me të cilin padër Gjergji ka shkru shumë vepra.” Fra Mikeli mendon që ky bastun i zi, i lëmuar, i gdhendur me finesë nga maja në kërrabë, duhet të jetë i vitit 1933. Prifti shkrimtar, intelektual i angazhuar në çështjen kombëtare politike, arsimore, kulturore për disa dekada, e ka përdorur këtë bastun për disa vjet, kur i kishte lënë të gjashtëdhjetat. Fra Mikeli komenton me entuziazëm simbolet që janë gdhendur në bastun ku përfytyrohet ferri dhe parrizi: “Në pjesën e poshtme është njeriu i cili sheh tokën, simbol i personave egoistë të cilët shohin vetveten e tyre dhe interesin e kësaj bote, të cilët hahen nga kulshedra, gjarpri i vjetër dhe njëkohësisht njeriu i ri, altruisti, Krishti në kryq që është simboli i dhurimit të vetvetes për të mirën e të tjerëve. Jo pa qëllim i ka zgjedhë këto të dyja me shumë domethënie.”
Provinca Françeskane ruan sende të tjera të Fishtës që pritet të vihen në një muze të vërtetë. “Edhe ne urojmë që do ta realizojmë shpejt”, thotë ministri. “Shpresojmë Zotin që edhe bashkëpunimi të jetë..”, thotë fra Mikeli. “Patjetër”, konfirmon ministri, “dëshira nuk mungon. Mund të mungojnë mjetet, mundësitë, dëshira nuk mungon.”
“Atje në Stare, është vendi ku ka shkruejt vëllimin e parë të “Lahutës…”. Tashma është një kishë totalisht në shkatërrim. Është vendosur vetëm një pllakat. Duam të vëmë dorë, por është ndryshe kur vepron shteti”, thotë frati. “Patjetër”, thotë ministri, “na takon neve”.
Zyra e shtypit pranë ministrit Bumçi njoftoi dje se përvjetori do të shtrihet edhe gjatë vitit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë. Aty flitet me folje në kohën e ardhme: “Shtëpia e At Gjergj Fishtës, në fshatin Fishtë, në Zadrimë të Lezhës do të rikonstruktohet dhe do të shndërrohet në një muze bashkëkohor në lartësinë e këtij personaliteti të kulturës kombëtare si dhe po shqyrtohet mundësia e vendosjes në skenë për herë të parë të një vepre të tij nga Teatri Kombëtar. Gjithashtu po punohet për botimin e një albumi fotografik nga fondet e Fototekës Marubi ku në mënyrë kronologjike pasqyrohet jeta dhe aktiviteti i Fishtës i parë nga fotografët si dhe në bashkëpunim me Provincën Françeskane do të ribotohet vepra e plotë e tij.”
Ministri shprehur gjithashtu te ai njoftim respektin për aktin e ruajtjes së objekteve të Fishtës, “një provë unike për popullin tonë. Pavarësisht dënimeve që ekzistonin në atë kohë, populli i ruajti objektet e Fishtës, dhe kjo tregon respekt”.
Vepra e plotë
Një pjesë e mirë e veprës së Gjergj Fishtës është botuar nga Provinca Françeskane. Ekzistojnë botime alternative të veprave kryesore letrare për programet shkollore. E tani Ministria premton tjetër botim të plotë. Shtëpia botuese “Gjergj Fishta” e Lezhës ka deklaruar ndërkaq se e prezanton kolonën me dhjetë vepra të Fishtës në panairin e librit në Tiranë nëntor 2011. Padër Aurel Gjerkaj, superior i Kuvendit të Shën Fraçeskut në Shkodër, ku ka jetuar Fishta, shpreson të botohet një ditë krejt vepra e tij, edhe ato që “ala nuk kanë parë dritën e diellit”. Por kujton që e drejta e pronësisë intelektuale e fretërve françeskanë i mbetet gjithmonë Provincës. “Shtëpia Botuese ‘Gjergj Fishta’ e ka botu edhe pa qenë koha, edhe pa u ba 70 vjet pas vdekjes. Provinca nuk ka qenë dakord me këto botime sepse asnjë vepër nuk mund të botohet me tekst të alterum.”
Ndërsa fra Mikel Pllumaj është më i prerë: “Nëse ata prezantojnë veprën e plotë ne do të dalim kundër.”
Koleksionistët
Shoqata e Bukinistëve ka kontribut për ekspozimin e botimeve françeskane të Gjergj Fishtës deri më 1944. Ajo ka sjellë edhe pak foto që ekspozohen për herë të parë si për shembull njëra e vitit 1936 ku padër Gjergji është me gjeneralin e përgjithshëm françeskan botëror Leonardo Bello.
Shpëtim Sala thotë se Shoqata ka dijeni për objekte të tjera të Fishtës që “i kanë pak njerëz, por nuk i japin. Një pjesë janë zhdukur, qoftë edhe nga memoria jonë. Prandaj edhe ardhja e këtyre objekteve në Muzeun Kombëtar përbën një risi.”