Qeveria serbe ka thyer protokollin gjatë vizitës së sotme të Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, duke shmangur flamurin shqiptar në ceremoninë e pritjes. Në momentin që delegacioni ynë zbriti në aeroportin “Nikolas Tesla” rreth orës 10:00, ai u prit nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, por ajo që binte në sy ishte mungesa e flamurit kombëtar shqiptar.
Për të shkuar më tej në momentin që po këndoheshin himnet kombëtare në ceremoninë pritëse që u zhvillua në mjediset e aeroportit, sërish u vu re mungesa e flamurit tonë. Kryeministri Edi Rama gjatë kalimit para trupës ushtarake serbe u përkul në shenjë nderimi para flamurit serb. Një nderim i tillë duhej të bëhej edhe para flamurit shqiptar, që në komunikimin protokollar ndërkombëtar duhet të ishte i pranishëm. Megjithatë, në momentin që është kënduar himni ynë kombëtar kryeministri Rama ka vendosur dorën në zemër, ndryshe nga homologu i tij Vuçiç.