Vazhdojnë gërmimet në Rudincë, afër Rashkës në Serbi, në vendndodhjen e varrezës masive. Sipas raportit nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML), numri i viktimave që janë zbuluar deri më tani, vlerësohet të jetë 45. Drejtori i DML-së, Arsim Gerxhaliu, informon se pjesa më e madhe e këtyre gjetjeve mortore janë zbuluar në pjesën veriore të varrezave masive.
“Gjetjet mortore të ekzaminuara i janë nënshtruar procesit të autopsive dhe identifikimit të mbetjeve mortore, kurse në javët në vazhdim parashihet të bëhet hulumtimi i terrenit në afërsi ku supozohet të ketë edhe një varrezë tjetër në këtë vendndodhje”, ka thënë Gerxhaliu. Në këtë vendodhje po kryhen hulumtime me ekspertë nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, nga misioni i EULEX-it, nga Serbia, Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe ICMP.
Në varrezën masive të zbuluar në Rudnicë, lokalitet në jug të Serbisë, mendohet se janë varrosur të paktën 250 shqiptarë të vrarë e të masakruar në Kosovë. 15 vjet pas luftës, Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të 1700 qytetarëve të saj të zhdukur.