Strategjitë europiane duket se janë zënë vetë në rrjetë të një nacionalizmi njëdimensional dhe më pak në fazën e çështjeve reale të një Europe solidare dhe të aftë për zgjidhje të reja.
Pas vitesh e vitesh plumbash e gjaku, vendosja e një protektorati, shumë shpesh sinonim i mjerimit dhe i korrupsionit, një pavarësi e shpifur për të maskuar sindromën e varësisë, më në fund në Kosovë shpresohet të dilet nga labirinti i luftërave të fundit jugosllave. Të rikujtojmë disa spirale të një labirinti në të cilin u vunë në lajthitje një numër diplomatësh e ekspertësh.
Kthim prapa. Mars 1989, Slobodan Milosheviç i jep fund një autonomie rajonale, që i garantonte Kosovës paritet me Serbinë në kuadër të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë. Fundi i “viteve të arta” të Kosovës, vendosja e një regjimi të aparteidit. Diskriminimi i rritur dhe represioni policor i autoriteteve serbe margjinalizojnë pacifistin Ibrahim Rugova dhe favorizojnë ngritjen në fuqi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Pas masakrës së Reçakut (15 janar 1999), konferenca e Rambujesë mblodhi në Paris përfaqësuesit serbë e kosovarë. Nën trysninë e madhe perëndimore, këta të fundit (kosovarët) nënshkruan marrëveshjen, që parashihte një autonomi domethënëse, mbajtjen e referendumit për vetëvendosje si dhe shpërbërjen e UÇK-së, por serbët dhe rusët kundërshtuan klauzolat ushtarake.
Konflikti kështu u bë i pazgjidhshëm. Ndërhyrja “humanitare” e NATO-s (24 mars deri më 10 qershor 1999) imponoi përfundimisht kushtet e Marrëveshjes së Rambujesë përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit: Tërheqjen e forcave serbe dhe vendosjen e një administrate të përkohshme të OKB-së. Vitet e protektoratit shënojnë fundin e një “Kosove multietnike” dhe verifikojnë strukturën e re demografike të vendit, më saktësisht krijimin e enklavave serbe si dhe ndarjen e Mitrovicës. Veç kësaj, dhuna dhe mjerimi përmbledhin pasluftën shpërthyese.
Tronditje edhe në Beograd: Rrëzimi, pastaj arrestimi i Milosheviçit (1 prill 2001). Kryeministri i ri Zoran Gjingjiç angazhohet për bashkëpunim efikas me Gjyqin Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi dhe përpiqet të bëjë zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera në Kosovë. Nëse hapësirat post-jugosllave tani ngjajnë të paqësuara, çështja e Kosovës megjithatë ende nuk është rregulluar. As Gjingjiçi, i vrarë më 12 mars 2003, as Boris Tadiçi, politika e të cilit nuk pati asnjë konsensus, nuk do të jenë në gjendje të njohin pavarësinë e asaj, të cilën shumë serbë tradicionalisht dhe gjithnjë e konsiderojnë si “djep” të kombit të tyre.
Kosova megjithatë shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Megjithëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë legalizoi Deklaratën e njëanshme në korrikun e vitit 2010, pavarësia mbetet gjithnjë virtuale. Në të vërtetë, me gjithë përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare, të shënuar me mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare (10 shtator 2012), NATO-ja qëndron aty sikur dhe misioni civil europian EULEX, i cili që nga viti 2008 është në Kosovë për të promovuar shtetin e të drejtës. E pavarur, por jo autonome, e ndarë dhe buzë falimentimit, Kosova duhet të zgjidhë dallimet me Serbinë: Vendi, i cili për vete shihte datën e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, të caktuar me kushte në Samtin e Selanikut, për shkak të mungesës së marrëveshjes me Prishtinën.
Në majin e vitit 2012, kthimi i qeverisë me orientime nacionaliste në Beograd dukej se do të shuante çdo shpresë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ironia e historisë, jo pëllumbat por skifterët, do të bëjnë, më 19 prill 2013, hapin e madh. Në të vërtetë Ivica Daçiç, ish – “besnik” i Slobodan Milosheviçit, dhe Hashim Thaçi, ish–lider i UÇK-së, nënshkruan marrëveshjen historike. Vijat e forta të këtij kompromisi: Nënshkruesit angazhohen të mos bllokojnë përpjekjet e palës kundërshtare për pranim në Bashkimin Europian, Kosova pajtohet për krijimin e një rajoni të përbërë nga komuna serbe në veri të Kosovës, dhe në fund e në veçanti, Serbia – për shkak të mosnjohjes së Kosovës si shtet –komb, pranon në fakt që atje të mos e adresojë më sovranitetin e vet.
Shpesh e kritikuar, diplomacia e Bashkimit Europian më në fund kthen “kostumin” e vet. Këtu duhet parë përfundimin e një procesi të gjatë negociatash filluar në Rambuje (1999) dhe vazhdimin nga Martti Ahtisaari (2007). Kuptohet, ky është gjithashtu një sukses domethënës për Catherine Ashton-in, përfaqësuese e lartë e Politikës së Jashtme dhe e Sigurisë, e cila nuk i ka reshtur përpjekjet që nga vera e vitit 2012.
Me gjithë krizën që po e shtrëngon Bashkimin Europian, ky organizëm mbetet perspektiva unike si për Kosovën, ashtu dhe për Serbinë. Rruga që shpie në pranim do të jetë shumë e gjatë, BE-ja në të ardhmen dëshiron të shmangë përsëritjen e rastit të skenarit qipriot dhe atë të Bullgarisë e Rumanisë. Ashtu si Kroacia që do të bëhet anëtare e BE-së më 1 korrik 2013, Kosova e Serbia duhet t’u nënshtrohen negociatave edhe më të vështira sesa mekanizmave vazhdues, më të ashpërsuar, më të përforcuar e më sqimatarë në fushat e shtetit të së drejtës, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Vërtet, projekti europian duket “paksa i lodhur”, aktualisht shtetet e Unionit janë pak të prira për integrim anëtarësh të rinj e rëndësi i jepet ridefinimit të kahut e të drejtimit të një projekti të “hutuar” nga një krizë që nuk është veçse ekonomike. Së këndejmi, edhe rëndësia për t’u dhënë fund ndarjeve që ia shtojnë brishtësinë BE-së – përçarjet ndërmjet vendeve të zonës me euro dhe të zonës jashtë euros, ndërmjet Veriut e Jugut, por edhe ndërmjet Perëndimit e Lindjes. Nëse projekti i një Europe të mbisunduar nga ekonomikja, është i dedikuar për dështim, nëse strategjia e zgjerimit denominon “këmbimin me tregti” (Wandel durch Handel) që ka treguar limitet e veta, nuk duhet imagjinuar Gjermania si një kurban dhe aq më pak për mundësinë e kundërsulmit mbi “perandorinë latine” (Franca, Spanja, Italia).
Madje edhe politika rajonale duket se po kthehet në kahun e projektit europian dhe në rastin e Kosovës, shmang rrezikun që veriu i këtij vendi të bëhet një “Republika Srpska” e re – entitet që përpiqet për përçarje dhe për fragjilizim të Bosnjë-Hercegovinës në prag të ndarjes. Bashkëpunimi rajonal transkufitar tejkalon kuadrin konceptual, duke e kufizuar bashkëpunimin rajonal vetëm në relacionin ndërmjet shteteve. Skemat e reja të bashkëpunimit janë dinamike dhe shumëdimensionale, ato përpiqen njëherësh për tërësi aktorësh të ankoruar në nivele të ndryshme (komunale, rajonale e kombëtare) e në vende të ndryshme në rrjete të përqendruara në çështje konkrete: Krijimin e poleve të formacionit, zhvillimin e projekteve ambientale, drejtimin e urbanizmit dhe zhvillimin si demografik, ashtu dhe atë ekonomik. Nga rrjete të tilla – pa e vënë pikëpyetje ekzistencën e shtetit – gjenerojnë relacione të reja dhe solidaritet që tejkalojnë hegjemonizmin dhe statizmin e zakonshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore.
Për t’u çuditur, në kohën që programet e bashkëpunimeve transrajonale kanë qenë të zhvilluara nga Unioni për të “operuar” zgjerimin e vet, ato mungojnë në “kutinë për mjete” të përdorura në hapësirën post-jugosllave. E si të mos vërehet relevanca e tyre për një përafrim inovativ të problemeve të lidhura me pavarësinë e Kosovës, që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me relacionet e rajonit të Preshevës (e shtrirë në Serbi) ose dhe madje me relacionet “natyrore” me Shqipërinë. Një bashkëpunim i tillë përfaqëson alternativën më dinamike dhe hap të ardhmen e prerjes së kufijve ose të fantazmës së një “Shqipërie të madhe”. Strategjitë europiane duket se janë zënë vetë në rrjetë të një nacionalizmi njëdimensional, dhe më pak në fazën e çështjeve reale të një Europe solidare dhe të aftë për zgjidhje të reja.
*Wolfgang Petritsch, ish i dërguar special i Bashkimit Europian për Kosovën, negociues europian në Grupin e Kontaktit për Ballkanin në Rambuje dhe Përfaqësues i Lartë në Bosnjë- Hercegovinë. Christophe Solioz, Sekretar i Përgjithshëm i Qendrës Europiane për Integrime Strategjike (CEIS) në Gjenevë.