Autoritetet serbe lëshuan një urdhër –arrest për Ballist (Ismail) Morinën, 32 –vjeçarin shqiptar nga Maqedonia. Ai dyshohet se është autori i ngritjes së dronit me banderolën e Shqipërisë së Madhe në stadiumin e Beogradit, më 14 tetor. Gazeta serbe Kurir, shkruan se Morina mund të arrestohet së shpejti. Urdhër –arresti u është dërguar edhe disa vendeve të tjera ku dyshohet se mund të strehohet Morina. Sipas autoriteteve serbe ai është parë së fundi në Kosovë. Kurir thotë se këtë e vërtetojnë disa foto që ai ka postuar disa foto të bëra në shtëpinë e Adem Jasharit, në Drenicë (Kurir e quan terrorist heroin shqiptar). Po kështu, kjo gazetë e dalluar për ekstremizmin e saj, thotë se Ballist Morina 10 ditë më parë provokoi serbët në rrjetet sociale.
Ajo shkruan se pavarësisht se në Shqipëri ai po konsiderohet si hero kombëtar dhe ka marrë emrin “Spider Man”, autoritetet serbe do ta arrestojnë me siguri. Morina ka pasaportë italiane dhe shqiptare dhe sipas Kurir po kërkohet edhe në Itali. Lajmi për shpalljen në kërkim të Morinës është publikuar pak orë përpara se kryeministri Rama të takohej me homologun serb Vuçiç, gjatë punimeve të samitit të Kinës me vendet e Europës Juglindore, që po zhvillohet në Beograd. Kurir sjell në kujtesë faktin se për ngritjen e dronit u akuzua si organizator kryesor Olsi Rama, vëllai i kryeministrit shqiptar.