Pakoja e masave të qeverisë së Serbisë parasheh një ulje prej 20 për qind të pagave në sektorin publik që janë më të larta se 60,000 dinarë, rritjen e TVSH-së për produktet jo të domosdoshme nga tetë në dhjetë për qind, ristrukturimin e ndërmarrjeve publike dhe uljen e subvencioneve, kursime në fushën e mallrave dhe shërbimeve, marrjen e kredive më të lira dhe përmirësimin e klimës për biznes.
Kryeministri Ivica Daçiç, pas prezantimit të masave të reja, tha se ky hap ishte i nevojshëm në mënyrë që Serbia të mos pësoj fatin e Argjentinës dhe Greqisë. Ndërsa ministri i Financave, Lazar Krstiç tha se këto masa janë të domosdoshme në mënyrë që Serbia të mos falimentojë në dy vitet e ardhshme.
Qeveria vlerëson se këto kursime mund të kapin shumën e rreth 500 milionë eurove, por ekspertët paralajmërojnë se ka ende një hendek në mes të dëshirave të projektuara dhe rezultateve praktike. Biznesmenët shprehen të kënaqur në reagimet e tyre të para me masat e qeverisë ndërkohë që opozita i kritikon ato.
Lideri i Partisë Demokratike (DS), Dragan Gjilas, thekson se "masat e qeverisë tregojnë se ajo nuk ka as njerëz as plan për të kapërcyer krizën". Ndërsa kreu i Partisë Liberale Demokratike (LDP), Çedomir Jovanoviç beson se "masat e qeverisë janë shprehje e pafuqisë dhe papërgjegjshmërisë". Ministrja e Energjisë dhe anëtarja e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) Zorana Mihajloviç tha se "Partia Demokratike (DS) e ka shkatërruar ekonominë serbe dhe Dragan Gjilasi është turp për Serbinë, kur thotë diçka të tillë".