Dirigjenti rus, Sergei Tararin, vjen për herë të parë në Shqipëri. Do të drejtojë Orkestrën e Radio Televizionit në një koncert që do të mbahet sot në mbrëmje, ora 19.00 në Akademinë e Arteve, nën interpretimin e pianistit shqiptar, Red Radoja. Autorë botërorë si Çajkovski dhe Shopen vijnë me pjesët e tyre më impenjuese. Ndonëse kontaktet me Shqipërinë dhe me artin shqiptar i ka vetëm përmes disa artistëve, si Oleg Arapi, i cili i bëri edhe ftesën për të ardhur në Tiranë, Tararin e di mirë historikun e marrëdhënieve mes dy vendeve. Nisur nga kjo e shkuar, ai beson se me pak vullnet marrëdhëniet artistike mund të rikthehen si dikur. “Do të dëshiroja që koncerti im të shënojë rifillimin e këtyre marrëdhënieve që edhe ne të njohim muzikën shqiptare dhe kompozitorët shqiptarë. Pse të mos e interpretojmë atë”, thotë Tararin. Me një karrierë të shtrirë suksesshëm në Rusi dhe jashtë saj, sidomos në Meksikë, Tararin vlerëson rëndësinë e shkollës dhe punën e palodhur si bazë për suksesin e një dirigjenti dhe çdo artisti tjetër.
Destinacioni i radhës është Shqipëria. Sot, në orën 19.00 ju do të jepni një koncert në Akademinë e Arteve në Tiranë. Si ndodhi e gjitha kjo?
Shkurt dhe thjesht, mund të them se ky bashkëpunim me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar u bë i mundur falë ftesës së Dr. Oleg Arapit.
Keni pasur ndonjë kontakt të mëparshëm me Shqipërinë?
Nuk kam pasur kontakte të mëparshme me vendin tuaj dhe kjo është hera ime e parë këtu. Por mund të them se kam pasur lidhje me përfaqësues të veçantë të Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar. Unë jam dirigjenti i parë i Orkestrës Filarmonike të Moskës dhe mund të them se mysafirët më të shpeshtë të koncerteve tona janë diplomatët që punojnë e jetojnë atje. Një nga këta është edhe ambasadori shqiptar në Rusi, Z. Sokol Gjoka së bashku me familjen e tij. Njëkohësisht ne kemi jo vetëm kontakte pune, por edhe kontakte miqësore me ambasadën shqiptare në Rusi. Është për t’u admiruar interesi i z. Gjoka në zhvillimin e shkëmbimeve kulturore midis dy vendeve tona. Shpresojmë që diçka e mirë do të dalë nga këto kontakte.
Çfarë do të jetë karakteristike e koncertit tuaj?
Mund të them se si Simfonia No:4 e Çajkovskit dhe Simfonia No: 1 e Shopen janë veprat më të mira të këtyre kompozitorëve botërorë. Simfonia no: 1 e Shopen është vepra më poetike e këtij autori të madh. Unë shpresoj se së bashku me pianistin Redi Radoja, ne do të arrijmë të shprehim të gjithë ato ngjyra të holla që tejçon muzika e këtij kompozitori. Edhe Simfonia No: 4 e Çajkovskit është një ndër majat e muzikës botërore dhe pikërisht kjo shpreh atë dramaticitetin dhe fuqinë e muzikës ruse që është shfaqur dendur këto vite në Rusi. Të dy këto vepra janë shumë të vështira për t’u vënë në skenë nga çfarëdo lloj orkestre. Unë shpresoj se edhe këtë provë ne do ta kalojmë me sukses.
Çfarë shpreson të marrë me vete publiku shqiptar nga ky koncert?
Mund të them se çdo takim me muzikën klasike është një ngjarje e madhe për auditorin. Për mua, kontakti live me një muzikë të tillë është një privilegj i madh. Për ne, qëllimi mbetet gjetja e një gjuhe të tillë që ta kuptojë publiku. Kështu, ne përpiqemi ta tejçojmë këtë muzikë me një sinqeritet të madh në mënyrë që ajo të depërtojë te dëgjuesit.
Si po e përjetoni bashkëpunimin me orkestrantët shqiptarë?
Sapo kam filluar provat e para me orkestrantët shqiptarë e kuptova menjëherë se kjo orkestër i njeh veprat në fjalë dhe ajo ka mënyrën e vet të interpretimit. Por shfaq në të njëjtën kohë edhe traditën e interpretimit rus. Dhe unë do të mundohem që t’i tejçoj këto momente të karakterit rus në interpretimin e orkestrës. Kontaktet e para i kam pasur me Z. Oleg Arapi para një viti. Ishte fat që ai dinte rusisht, sepse kishte studiuar në Moskë. Ne shpresojmë t’i zhvillojmë këto kontakte edhe më tutje. Se si do të shkojnë këto kontakte le t’ia lëmë kohës. Nuk është sekret të thuhet se kohë më përpara marrëdhëniet ruso-shqiptare (në fushën e artit) kanë qenë shumë të mira dhe përse mos t’i kthejmë përsëri ato kohëra. Në ato vite, shumë muzikantë shqiptarë kanë studiuar në Rusi dhe në të njëjtën kohë muzika shqiptare interpretohej atje. Fatkeqësisht falë politikës, këto marrëdhënie u ndërprenë dhe u tretën. Do të dëshiroja që ky koncert të shënonte rifillimin e këtyre marrëdhënieve që edhe ne të njohim muzikën shqiptare dhe kompozitorët shqiptarë edhe më mirë, bile edhe ta interpretojmë atë. Falë këtyre kontakteve, ne shpresojmë ta risjellim muzikën shqiptare në Rusi. Me pak fjalë, mbas këtij bashkëpunimi të parë, ne mund ta intensifikojmë këtë bashkëpunim në nivel shkëmbimesh kompozitorësh e artistësh.