Në moshën 51-vjeçare, dezertori që e konsideron veten një "agjent 007 të vërtetë" jeton i qetë në një lokalitet amerikan, të cilin parapëlqen të mos e tregojë me saktësi. Banon në një shtëpi të bukur, në një në zonë plot me njerëz që e kalojnë kohën duke luajtur golf e duke organizuar festa. E shoqja Helen, lëviz me një makinë të tipit "Porsche", ndërsa e bija Ksenia, është diplomuar në një prej universiteteve më prestigjioze të Shteteve të Bashkuara. Familja Tretjakov e shijon gjithë ëndrrën amerikane falë parave të CIA-s.
Ish-koloneli e justifikon zgjedhjen për t‘u hedhur në palën tjetër me afshin e dikujt që ka ndërruar besimin fetar: "Nuk jam tradhtar, jam amerikan patriot". Që nga viti 1995, deri në 2000, Sergei Tretjakov ka punuar në departamentin e shtypit, në përfaqësinë ruse pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ky vend pune ishte veç maskim: në të vërtetë ishte spiuni më i rëndësishëm rus në Nju Jork. Por në vitin 1997 nisi të bashkëpunojë edhe me CIA-n e FBI-në, duke i njohur me projektet më të fshehta të Rusisë së Boric Jelcinit dhe Vladimir Putinit. Sergei Tretjakov u ka dorëzuar amerikanëve rreth 5 mijë telegrame top sekret, si edhe rreth 100 raporte të rezervuara. Sot konsiderohet një ndër të rekrutuarit më të rëndësishëm nga kundërzbulimi amerikan gjatë këtyre viteve të fundit. Sigurisht, edhe më i paguari.
Shoku J
Goditja e fundit që Tretjakov u dha Shërbimeve Ruse të Inteligjencës jashtë kufijve (SVR-ja, trashëgimtarja e KGB-së) është një intervistë e gjatë dhënë për Pit Wrli, një ish-gazetar i së përditshmes amerikane "New York Post". Pas saj, më 24 janar të vitit 2008 doli edhe libri "Shoku J" (i kthyer menjëherë në bestseller), ku Sergei Tretjakov kritikon me tone të ashpra botën e spiunazhit.
"Shoku Xhin", pseudonimi i tij, nuk tradhtoi për hir të parave, as për hir të famës. "Kush i kthen shpinën atdheut ka nevojë të japë shpjegime", thotë Wrli. Nga ana e tij, Tretjakov thotë se kërkonte "t‘u tërhiqte vëmendjen amerikanëve për kërcënimin rus". Pas publikimit të librit, SVR-ja ka vërejtur se "tradhtia është krim i dënueshëm nga ligji".
Një nëndetëse në Pallatin e Qelqtë
Sergei Tretjakov mbërriti në Nju Jork në prillin e vitit 1995. Ishte njeri shumë i ndryshëm nga ç‘është sot: një spiun tepër i aftë, i stërvitur nga shkolla sovjetike. Nisi të punonte në "nëndetësen" e SVR-së, në katin e tetë të godinës së misionit rus në OKB, mbi atë të diplomatëve të vërtetë. Për të hyrë në zyrë duhej të aktivizonte një mekanizëm të fshehtë, përmes një unaze apo përmes një monedhe. Muret qenë veshur me pllaka hekuri dhe një grilë që vibronte pa pushim për të penguar përgjimet. Dhoma ishte pa dritare dhe qëndronte pezull, falë disa mbajtëseve të posaçme. Për të kontaktuar burimet e veta, agjentët e SVR-së përdornin telefonat publikë të marketeve në rrugën 59.
Me fundin e Luftës së Ftohtë prioritetet ruse nuk qenë ndryshuar aspak, vëren Sergei Tretjakov: "Objektivat kryesorë mbeteshin gjithnjë Shtetet e Bashkuara, OKB-ja dhe Kina". Për hir të grumbullimit të informacioneve, spiunëve u ishte lënë dorë e lirë: nga manipulimet te shantazhi. Shpesh shfrytëzonin mërinë karshi amerikanëve e diplomatëve të huaj, përfshi edhe ata të vendeve aleate me Uashingtonin.
Disa shiteshin për pak, "pranonin të tradhtonin vendin e të rrezikonin jetën për ndonjë send ari që kushtonte disa qindra dollarë", rrëfen në libër ish-spiuni. Edhe gazetarët qenë burim i çmuar. "Nëse një diplomat rus të ftonte në ndonjë restorant me pesë yje dhe paguante pa kërkuar faturë, ishte agjent i SVR-së", shpjegon Sergei Tretjakov. Në kohën e tij, një gazetar japonez (me emrin e koduar "Samuraj") ishte rekrutuar pikërisht në këtë formë.
Shumë prej atyre që thotë ish-agjenti nuk mund të verifikohen. Por, sipas Tretjakovit, Eldar Kouliev, ish-ambasadori i Azerbajxhanit pranë Kombeve të Bashkuara ishte agjent rus. Ishte rekrutuar që kur kryente studimet universitare dhe ia kishte dalë të hynte në radhët e diplomacisë së vendit të vet. Rashid Alimov, ish-ambasadori i Taxhikistanit, qe rekrutuar përmes premtimit për një apartament dhe një vend pune si profesor në Moskë. Ndërsa për të detyruar Alisher Vohidovin (ish-përfaqësues i Uzbekistanit) të bashkëpunonte, SVR-ja i kishte bërë shantazh falë së kaluarës si agjent i KGB-së.
Sipas Tretjakovit, një prej goditjeve më të mira të SVR-së ishte infiltrimi i agjentit Aleksandër Kramar në programin "Oil for Food", i krijuar nga OKB-ja gjatë embargos së Irakut. Kramar ishte një ndër katër zyrtarët e ngarkuar me përcaktimin e çmimit të naftës së papërpunuar irakiane. Por, nga korriku i vitit 1999 deri në gusht të vitit 2000, pas dorëheqjes së të gjithë kolegëve të tij, asnjë prej të cilëve nuk u zëvendësua, mbeti fare i vetëm. Në atë kohë pati rast të bënte të pasur shumë funksionarë të lartë rusë, falë 35 centëve për çdo fuçi që shkonte për llogari të tyre.
Sipas gazetarit Wrli, funksionarët e lartë rusë kanë fituar prej këtij pazari jo më pak se 500 milionë dollarë. Kramari "i krijonte rrethit të ngushtë të Jelcinit mundësinë të vidhnin", pohon Tratjakovi, i cili e dënoi rëndë episodin në atë epokë, duke e konsideruar si jo të denjë për një vend si Rusia.
Spiunët rusë kanë bërë edhe vrima në ujë. Një diplomat i rremë rus ishte marrë vesh për një takim me ish-presidentin Henri Kisinger. Por në çastin e fundit i ishte dashur të hiqte dorë nga intervista: mësoi se bashkëbisedimi do të faturohej me tarifën 100 dollarë në minutë.
Një vend që s‘është më
Kur dhe si nisi Sergei Tretjakov të bashkëpunonte me CIA-n dhe FBI-në? Këtë nuk mund ta thotë. "Unë dhe familja ime arritëm në përfundimin se shërbimi i mëtejshëm ndaj qeverisë ruse ishte i pamoralshëm", shpjegon ish-agjenti, teksa nënvizon se nuk u ka kërkuar një qindarkë amerikanëve për shërbimet e vyera.
Në të njëjtën kohë ka nisur të dojë me shpirt Nju Jorkun dhe jetën amerikane. Por, sipas Wrli, çelësi ishte e bija: Tretjakovi nuk donte ta kthente më në Rusi. Në ato vite, kujton ish-agjenti, "armiku më i keq ishte frika". Dhe e dinte mirë se po të zbulohej "do kishte përfunduar dy metra nën dhe".
Kështu që mëngjesin e 11 tetorit të vitit 2000, Sergei Tretjakov vendosi se kishte ardhur çasti për t‘i dhënë fund. Bëri gati valixhet dhe u largua nga pallati në Bronks, ku banojnë diplomatët rusë. Për herë të fundit i dha identitetin agjentit rojë dhe priti që, siç e do procedura, dera të mbyllej pas krahëve të tij. Pas kësaj, nisi jeta e re.
Ndonjë peng? "Jo nuk më merr malli, pasi vendi im nuk ekziston më".
Nga Gazeta Shqip