Serish perplasje ne seline e PSD-se Gjinushi mbetet jashte

Serish perplasje ne seline e PSD-se, Gjinushi mbetet jashte

Zyra e Përmbarimit dhe përfaqësues të policisë private kanë shkuar sërish sot në zyrat e Partisë Socialdemokrate. Selia ndodhet prapa Ministrisë së Drejtësisë në rrugën''Fortuzi''. Përmbaruesit kanë arritur të futen me forcë, në godinën e PSD-së duke marrë nën kontroll godinën. Përmbaruesit i bënë thirrje kreut të PSD-së Skënder Gjinushi të dorëzojë çelësat e godinës, në përputhje me vendimet e gjykatave, që siç thonë ata, i kanë dhënë të drejtë pronarit të truallit dhe godinës.

Kjo mosmarrëveshje mes përmbarimit dhe policisë private, po ndodh për të dytën herë radhazi. Ajo që bëhet e ditur është se policia e shtetit nuk ishte prezente në skenën, kur ndodhi konflikti, por ka mbërritur më vonë në vendngjarje. Përmbaruesit privatë bashkë me pronarët kanë hapur të gjitha ambientet nisën të nxirrnin  jashtë sendet dhe materialet që ndodhen brenda zyrave të Partisë Socialdemokrate. Sapo është futur në brendësi të godinës, njëri prej pronarëve është ndjerë keq dhe është transportuar me ambulancë në spital, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Avokati i pronarëve ankohet për Policinë e Shtetit

Avokati i pronarëve, Riza Hicka deklaroi se përmbaruesit i kanë kërkuar ndihmë Policisë së Shtetit, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Nuk kishte pse të ndodhte gjithë kjo kundërshti. Nëse do të ishte e pranishme policia e shtetit nuk do të kishim gjithë këtë anomali. Njoftimet për policinë janë bërë por s’mund të them pse nuk erdhi. Nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje. Në vijim pronari do marrë në zotërim godinën”,- deklaroi zoti Hicka.

Gjinushi nuk lejohet të hyjë brenda

Situata u tensionua së tepërmi, kur përpara portës kryesore të godinës mbërriti makina e kreut të PSD-së, Gjinushi, i cili tentoi të hynte në zyrat e tij. Përmbaruesit nuk kanë lejuar që Gjinushi të futet në selinë e PSD-së, duke tentuar të hapin portën kryesore, për të liruar godinën. Zoti Gjinushi ka qëndruar për pak çaste në pritje dhe më pas ka dalë nga makina dhe i është drejtuar një lokali pranë godinës.

Gjinushi i cilësoi personat që pretendojnë pronësinë e godinës, si një grup hajdutësh që duan të rrëmbejnë pronën me dokumente false. Sipas kreut të PSD-së, në Gjykatë vijon ende gjyqi për pronësinë e godinës.

Mbërrin Policia e Shtetit

09:45: Pas marrjes së një telefonate nga ish-pronarët, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë së shtetit dhe forcat speciale. Policia ka kërkuar largimin nga godina të të gjithë personave që ndodheshin në ndërtesë dhe për pasojë janë shënuar edhe përplasje mes policisë së shtetit dhe përmbaruesve.

Policia shoqëron përmbaruesit

Dy nga personat që pretendojnë se janë pronarë të truallit ku ndodhet selia e PSD-së, janë shoqëruar për në ambientet e Komisariatit numër 3. Aktualisht në godinë ndodhen forcat e policisë private që ka marrë nën ruajtje selinë e PSD-së, ndërsa nuk janë të pranishëm përmbaruesit privatë.

Gjithashtu edhe personat që pretendojnë që janë pronarë të kësaj toke, nuk janë aty. Forcat e Policisë së Shtetit, ndodhen në  vendin e ngjarjes, por duke vëzhguar situatën me qëllim që të mos ketë përplasje.  

Përmbaruesit padi ndaj Policisë së Shtetit

Përmbaruesi privat Baftjar Nela është shprehur se tashmë ish-pronarët kanë marrë ndërtesën sipas edhe vendimit të gjykatës. Ai theksoi se zyra e përmbaruesve ka ngritur edhe një padi ndaj policisë së shtetit për shkak se nuk ka dhënë ndihmë.

“Kjo është gjysma e marrjes së kreditorit. Pronarë të kësaj prone janë Astrit Manopulli dhe të tjerët. Ne e kemi marrë katin e parë të godinës së selisë së PSD-së. Kemi bërë kallëzim penal ndaj policisë për mosmbështetje. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje me Policinë e Shtetit që të na mbështesë kur ne e kërkojmë. Por dokumentet këtë radhë nuk janë përcjellë nga zëvendësdrejtori. Policia nuk vjen të lirojë, për të na mbështetur ne”, tha Nela.

Gjinushi: Duhet shfuqizuar akti normativ, po sjellë shumë probleme

Në një prononcim për mediat, kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi është shprehur se duhet të shfuqizohet akti normativ, pasi krijon shumë probleme.

Ai ka theksuar se ka falsifikim të aktit të pronësisë dhe Enti i Banesave po shpërdoron detyrën.

“Ish-struktura e shtetit që ra, e ka nxitur këtë sherr. Ky pronar ka vetëm 1/3 e truallit të selisë. Ai është keqpërdorur. Përmbaruesi privat është pa licencë.  Akti duhet shfuqizuar, pasi ka sjellë shumë pasoja. Ish-pronari të vijë që nesër të marrë pjesën që i takon, por nuk do të lejojmë të grabitet prona shtetërore. Përmbaruesi nuk mund të vazhdojë një veprim që është ndaluar nga ministri. Këto janë lojëra politike. Të tre ministrat kanë rënë dakord që akti është i paligjshëm. Me vendim gjykate kemi fituar ne”, u shpreh Gjinushi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama