UPDATE/ Sevija fitoi për të tretën herë radhazi Europa League duke mundur Liverpulin në finale. Ekipi i udhëhequr nga Unai Emeri mposhti djemtë e Jurgen Klopit me rezultatin 1-3.
Fillimisht, Liverpuli kaloi në avantazh në minutën e 35´ të pjesës së parë. Kur çdo gjë dukej se po ecte sipas parashikimeve për anglezët, Kevin Gameiro barazon shifrat me një gol të shpejtë me nisjen e pjesës së dytë (minuta e 46´).
Kur pritej një reagim i anglezëve, ndodhi krejtësisht e kundërta. Ishin spanjollët ata që dyfishuan rezultatin në minutën e 64´ me anë të Koke. Ky i fundit u bë sërish protagonist me dopietën e tij gjashtë minuta më pas.
Pas pësimit të golit të tretë Liverpuli pati vështirësi në ngritjen e aksioneve sulmuese, ndërsa spanjollët u tërhoqën në mbrojtje duke ruajtur rezultatin.
Ndeshja nisi me tensione në shkallët e stadiumit. Një përplasje mes tifozëve anglezë dhe atyre spanjoll u shënua pak minuta para se të fillonte takimi në "Jakob-Park".
Me këtë rezultat spanjollët dominojnë me ekipet e tyre në Evropë, pasi edhe finalja e ardhshme në Ligën e Kampionëve do të luhet mes Realit të Madridit dhe Atletikos.
Liverpul - Sevija 1 - 3
Gol: Sturridge 35'/ Gameiro 46´, Coke 64´, 70´