Sezoni Turistik/ Drejtori i Rrugores 60 perqind e aksidenteve u bene nga turistet dhe emigrantet

Sezoni Turistik/ Drejtori i Rrugores: 60 perqind e aksidenteve u bene nga turistet dhe emigrantet

E ndërsa vendi ynë e la pas sezonin turistik, duket se përmirësimet në trafikun rrugor kanë qenë të dukshme. Së paku, aksidentet fatale të mjeteve të transportit publik apo vdekshmëria në akset e njohura si të rrezikshme janë minimizuar. Drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola, shpjegon se rezultati pozitiv në shmangien e problematikave ka ardhur kryesisht si pasojë e një plani masash 6-pikësh. Në një intervistë për ‘Java News’, Drejtuesi Tola bën të ditur me shifra hyrje-daljet në Shqipëri, ndërsa thekson se risi këtë vit kanë qenë edhe fushatat sensibilizuese për turistët dhe vendasit.

Z. Tola, tani që sezoni turistik përfundoi, a kemi një shifër sesa automjete kanë hyrë në vendin tonë?

Unë dua t’i referohem të dhënave për periudhën që shënon edhe pikun e vizitorëve. Bëhet fjalë për periudhën Korrik-Gusht, ku sipas Policisë Shtetit në “pikat e kalimit kufitar” janë futur në vendin tonë 95,4307 mjete të kategorive të ndryshme. Ndërkohë që po sipas statistikave të Policisë Kufitare në Shqipëri nga këto “Pika Kufitare” dhe “Porte” kanë ardhur në Shqipëri 304,0469 shtetas.

Ky vit duket se nuk ka qenë problematik sa i përket aksidenteve. Apo më saktë, nuk kemi pasur raste që shpesh i cilësojmë edhe si tragjedi. Përse ky rezultat, nëse mund të na e përktheni në shifra…

Duke konsideruar mangësitë dhe eksperiencat e përftuara vitin e kaluar në trajtimin e sezonit turistik 2014, ku u evidentuan problematika që nuk lidhen vetëm me Policinë Rrugore, por me çështje më gjithëpërfshirëse të sigurisë rrugore, u synua në maksimum evitimi i mangësive dhe parandalimi i aksidenteve me pasojë jetën e shtetasve vendas dhe të huaj. Kështu, nga ana e Policisë Rrugore u trajtua në kohë gjendja problematike e sistemeve të sinjalistikës dhe infrastrukturës rrugore, veçanërisht e theksuar kjo në rrugët inter-urbane dytësore, rrugët urbane dytësore dhe ato lokale. Gjithashtu, u konsideruan mangësitë në përvojën dhe eksperiencën e përdorimit të automjeteve, mosnjohjen sa duhet të legjislacionit rrugor e akteve normative e për rrjedhoje moszbatimin e tyre  nga përdoruesit e rrugës. Në çdo kohë nga shërbimet policore është pasur në konsideratë niveli jo i duhur i edukatës rrugore nga të gjitha kategoritë e përdoruesve të rrugës, mjedisi dhe bindja për respektimin e ligjit në fushën e qarkullimit rrugor, etj.

A kemi një shifër sesi klasifikohen rastet e aksidenteve me automjet?

Dua të theksoj se këtë vit, në planifikimin e shërbimeve, u konsiderua rritja e numrit të mjeteve që kanë hyrë në territorin tonë gjatë kësaj periudhe, e cila rezulton rreth 30% më shumë se e njëjta periudhe e vitit të kaluar. Në shumë raste, në aksidentet e ndodhura, rreth 60% e të përfshirëve në këto aksidente, janë emigrantë apo turistë, të cilët kanë pasur humbje të kontrollit të mjetit, kjo më tepër si pasojë e lodhjes apo përgjumjes nga udhëtimet me orë të gjata. Një numër jo i vogël i personave të përfshirë në aksidente, të cilët nga ekspertimet mjeko-ligjore, kanë rezultuar më probleme shëndetësore (kronike) të mëparshme.

Masat e marra për sezonin turistik 2015:

– U ridimensionuan forcat e shërbimit sipas ngarkesës kohore të trafikut në sezonin turistik, ky ridimensionim është bërë në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Policisë së Shtetit, e detajuar me plane të veçanta masash e kryesisht në zonën bregdetare, aty ku dhe fluksi i mjeteve ishte më i madh.

– Dhënia e mesazheve sensibilizuese në media e në pikat e kalimit kufitar, nëpërmjet shpërndarjes së fletë-palosjeve për “normat e sjelljes” së drejtuesve të mjeteve.

– Intensifikimi i përdorimit të teknologjisë së Policisë Rrugore, kryesisht i radarëve dhe aparateve alkooltestues per nje kontroll me kapilar te shkeljeve burim i shtuar i aksidenteve me pasoje.

– Bashkëpunimi me shërbimin policor të Republikës së Kosovës, që ka të bëjë kryesisht me patrullimin e përbashkët në akset kryesore e sidomos në Rrugën e Kombit, akset Milot – Lezhe – Shengjin dhe Durres Milot.

– Rivlerësimi i njollave të zeza, si duke përqendruar shërbimet kryesisht në këto    pika si dhe duke rritur kërkesën e bashkëpunimin  me entin pronar të rrugës  në nivel qendror dhe vendor.

–  Mbajtja e marrëdhënieve të pandërprera me mediat elektronike lokale e kombëtare për sensibilizim të opinionit mbi respektimin e normave të legjislacionit rrugor, informacion për akset që paraqesin probleme në rrjedhshmërinë e trafikut por dhe përgjithësime te rasteve qe kane impakt ne publik si kujdesi ndaj fëmijëve, përdorimi agresiv i ciklomotorëve por dhe motorëve nga mosha te reja etj.

– Komunikimi direkt me masen e pushuesve ne plazhe dhe ne diskoteka e bare duke percjelle midis tyre mesazhin dhe sloganin “Kur je ne timon jo alkool !”. Policia Rrugore shkoi “miqësisht” ne diskoteka dhe ne lokale te njohura dhe te frekuentuara ne zonat e plazheve dhe ne kryeqytet, per tiu dhene mesazhe informuese dhe ndergjegjesuese te rinjve drejtuess mjetesh.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama