Gjithçka nisi nga sheshi I Flamurit, ku dhjetëra ngjyra kostumesh, u bashkuan në Sheshin e Flamurit. Afrimi i përvjetorit të 100-të të Pavarësisë, duket se tërhoqi vëmendjen e festivalistëve të "Aulona Festival Internacional Folk", përfaqësues të grupeve folklorike të huaja, në Kosovë e Shqipëri, kanë nderuar me një homazh varrin e Ismail Qemalit, e më pas kanë ngritur flamujt e shteteve të tyre nën himnet kombëtare të secilit.
Ritmet popullore shqiptare kanë ftuar më pas të gjithë festivalistët të kapur përdore, duke kërcyer në sheshin e Flamurit. Gjithçka është kthyer në një festë të vërtetë, për tu zhvendosur më pas në ambjentet e plazhit, ku u bë edhe çelja zyrtare e sezonit turistik të këtij viti. Kryebashkiaku i Vlorës ka patur këtë herë në krah veç deputetëve Isaraj dhe Deda, edhe kryekomunarin e Klinës (Kosovë), si dhe konsullin italian në Vlorë, Sergio Strozzi, e kreun e dhomës së tregëtisë.
Nën një veshje sportive, Gjika ka kursyer fjalimet e gjata, duke thënë se do të vijojë të kontribuojë në mënyrë të dukshme në këto zhvillime, ndërsa ka uruar për një sezon të mbarë. Grupet festivaliste kanë vijuar të jehojnë edhe në skenën e vendosur tek moli, në zonën e plazhit, ndërsa shumë qytetarë sot kanë zgjedhur të frekuentojnë pikërisht zonën e Ujit të Ftohtë, ku edhe kanë vijuar aktivitetet sportive, kulturore. Dita e dielltë ka favorizuar plazhistët, të cilët këtë të shtunë kishin mbushur plazhin publik, një zonë kjo që sot ka përjetuar një ditë të vërtetë festive.