Sezoni veror Rama premton Plazhi i qytetareve ligjin nuk do e beje me privati

Sezoni veror, Rama premton: Plazhi i qytetareve, ligjin nuk do e beje me privati

Një konferencë për masat që duhen marrë për pushuesit me nisjen e sezonit të ri turistik, është mbajtur sot në Tiranë. I pranishëm ka qenë kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizimit, Eglantina Gjermeni, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.

Kryeministri Rama, duke deklaruar se qeveria e tij nuk premton çudira, u shpreh i kënaqur nga paraqitja modeste e këtij plani të madh që vihet në lëvizje për herë të parë. “Nuk besoj se ka ndonjë gjë për të festuar kur fillon sezoni, si qeveria paraardhëse, prandaj nuk do premtoj çudira, – nënvizoi Rama. – Sa herë fillon vapa, qeveria shfaqet dhe premton çudira e mrekulli që do ndodhin, ndërkohë që për ne ky sezon fillon si një sfidë e parë për të sjellë një cilësi të re të turizmit”.

Sipas Ramës, motoja e këtij sezoni turistik është pastërtia në plazhe, ndryshe nga qeveria e shkuar: “Nuk është meritë e asnjë qeverie që turizmi funksionon, – vazhdoi Rama, – ne jemi një vend i bekuar për të qenë histori suksesi në turizëm. Kemi nisur punën kohë më parë, me çlirimin e territoreve ku vijnë turistët nga plehrat. Pastrimi dhe pastërtia janë fjala kyçe e këtij sezoni. Koha shumë e shkurtër nuk na lejon të bëjmë shumë më tepër se kaq”.

Rama premtoi se për turisstët shqiptarë do të marrë fund historia e zënies së plazheve nga privatët:  “Nuk do ketë plazh ku ligjin e bën privati, ai do ketë me kontratë nga pushteti vendor për të shfrytëzuar atë pjesë që do shfrytëzojë. Do pastrojë pjesën e tij dhe gjithë plazhin tjetër. Kontrata e tij do jetë në funksion të pastrimit. Do marrë fund historia që po shkele rërën do paguash lekë. E di që do kemi konflikte, por nuk do tolerojmë asgjë, plazhet janë të popullit shqiptar. Nuk do kenë më detyrim që të paguajnë para për të hyrë në det”, – përfundoi kryeministri i Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Ministri Tahiri renditi një sërë masash për parandalimin e aksidenteve, por edhe forcën e shtuar të policisë në akset më problematike të vendit. Ai u shpreh se në këtë sezon turistik priten rreth 3.5 milionë qytetarë nga trevat shqipfolëse dhe të huaj që do të frekuentojnë bregdetin tonë.

Ndërsa Ministrja Gjermeni, i siguroi të pranishmit, se në bashkëpunim me ministri të tjera, do të ketë shërbime publike cilësore dhe plazhe më të shëndetshme.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, theksoi gatishmërinë e FA-së për të qenë më pranë komunitetit gjatë sezonit turistik.

Ministri Haxhinasto tha se së shpejti do të nisë një fushatë e fuqishme sensibilizimi për drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama