Prostitucioni kulturor dhe mediokriteti janë armiqtë më të mëdhenj sot, si në politikë, ekonomi, muzikë, art, teknologji, në sistemin e drejtësisë, arkitekturës etj. Sot, dallueshmëria e kualiteti i mentalitetit kombëtar matet me aftësitë e konkurrimit në të gjitha sferat, posaçërisht në arenën ndërkombëtare. Duke filluar prej produkteve vendore dhe origjinalitetit të tyre, pastaj në artin narrativ, pra në film, në dizajn dhe vlerën shtesë të saj në kreativitetin ekonomik, në hulumtime shkencore dhe arkeologjike, sport, poezi, politikë, në muzikë, në artet pamore etj.
Kosova është gjithnjë një gjendje në jetën e Sislej Xhafës, e cila shpesh shfaqet përmes shtëpisë së dikurshme në Pejë, vështrimit të dy motrave, apo qiellit bri maleve të Rugovës… Ajo është gjithnjë një gjendje, që s’mund të ikë asnjëherë prej trupit të tij, e cila shpesh i vjen si frymëzim apo si revoltë. Sislej Xhafa është një nga artistët më të njohur bashkëkohorë shqiptarë. Ka lindur në Pejë në vitin 1970, ndërsa vitet e fundit jeton dhe punon në Nju Jork.
Xhafa ka prezantuar punimet e tij në ekspozita të shumta në vende të ndryshme të botës, si: Kaliforni, Itali, Turqi etj. Për punën e tij artistike ai është shpërblyer me çmime të shumta si “Onufri” në Tiranë, “Biella 2001” nga fondacioni “Pistoletto” etj.
Xhafa është i njohur për hetimet artistike në realitetet sociale, ekonomike apo politike, duke i parë ato në kontekstin e shoqërisë moderne. Sipas tij, kjo është një mënyrë për të treguar përmes artit “Shqipërinë moderne”. Ai përdor një gjuhë ironike për të treguar kaosin në të cilin janë përfshirë fusha të ndryshme të zhvillimit në vend, si turizmi media, apo arkitektura.
“Realiteti është më i fortë se arti. Si artist unë nuk dua të pasqyroj realitetin, por ta vë në pikëpyetje atë”, shprehet Xhafa. Punët e tij dallohen lart për vetë mesazhin që përçojnë. Në vitin 2005 ai do të ngjallte kureshtjen e mijëra vizitorëve në Bienalen e Venecias, ku prezantoi pavijonin shqiptar, me “obeliskun” gjigant që ndërtoi në hyrje të saj. Hulumtimet artistike të Xhafës përfshijnë një mori qasjesh, duke filluar nga hetimi i statusit ligjor të Kosovës me “Pavijoni Klandestin” në Bienalen e Venecias më 1997-n deri në refleksionin mbi konceptin e sigurisë dhe stabilitetit me vepra të ekspozuara në Nju Jork. Një artist nuk mund të jetojë i veçuar nga realiteti i vendit të tij, pavarësisht se ku jeton. Kjo ndodh dhe me Xhafën, i cili është kthyer në një zë për problemin shqiptar përmes artit. Por Xhafës i pëlqen t’u japë një gjuhë universale punëve të tij, ndoshta se edhe vetë arti është i tillë.
“Unë besoj në vlerat njerëzore dhe kur njerëzit besojnë në këto vlera, atëherë ata bëjnë veprime magjike. Puna ime është e lidhur me shoqërinë, duke e parë atë si universale, pasi arti është një gjuhë universale”, thotë ai. Xhafa ndalet te një punë e tij, e realizuar në Turqi, disa vite më parë kur disa burra shtyjnë një autobus. Kjo vepër reflekton një realitet që mund të ndodhë kudo në botë, si Indi, Amerikë, Gjermani, Itali, duke treguar një gjendje të shoqërisë. Këta njerëz, me ekonomi të dobët, e shohin veten në pasqyrën e autobusit, si një reflektim të situatës së rëndë ekonomike që shihet në shumë vende sot. Artisti që frymëzohet ende nga Goya, ashtu si ai di t’u japë dritë krijimeve të tij, duke e bërë më të lehtë reflektimin e gjendjes që do të përcjellë te shikuesit.
Në një intervistë më poshtë për gazetën “Shqip”, Xhafa flet për rrugëtimin e tij artistik. Nga kujtimet që e çojnë në shtëpinë e dikurshme në Pejë, te realiteti i sotëm artistik…
Si e kujtoni lidhjen tuaj me artin?
Arti është emergjencë.
Jeni lindur në qytetin e Pejës. Si ishte fëmijëria juaj?
Mes djalit të Hastretit dhe mëhallës kobra duke jetuar me tri motra. Në shtëpi ka qenë një demokraci e vërtetë. Nuk kam pasur asnjë prioritet tjetër veç motrave, kështu gjithçka ka qenë në një ekuilibër. Falënderoj nënën për aspektin emocional e praktik me të cilin na ka rritur dhe babanë për disiplinën akademike dhe praktikimin e kureshtjes…
A i besoni shprehjes se e shkuara është pjesë e pandashme e rrugëtimit artistik të një artisti? Cili është raporti juaj me të shkuarën?
Romantizmi është pjesë e ëndrrës me sy hapur që mundet të shndërrohet në një kënaqësi pasive. Realiteti definon ekzistencën.
Ju u larguat nga Kosova në vitet ’80, atëherë kur ishit vetëm 20 vjeç? Nga represioni i pushtetit të atëhershëm te pavarësia sot, si vjen Kosova te ju?
Kosova është fryt, ndërsa trevat shqiptare janë pemët dhe rrënjët e saj të pandashme të këtij kopshti. Natyra nuk ka kufij.
Shqiptarët në të dyja kahet e kufirit janë përfshirë shpesh në debate mbi identitetin. Ju si e shihni këtë debat?
Identiteti është aktiv, lëvizës. Nuk është statik. Askush nuk e posedon. Vetëm koha në të cilën jetojmë na konfirmon identitetin, por ajo është lëvizëse. Ne nuk duhet që të mendojmë, ose të humbim kohë rreth gjeografisë. Ne duhet të krijojmë historinë bashkëkohore që na bashkon dhe të krijojmë një kohë të re. Kjo është një sfidë.
A duhet t’i ushqejë një vend tonet patriotike. Të qenët nacionalist sa na ndihmon?
Prostitucioni kulturor dhe mediokriteti janë armiqtë më të mëdhenj sot. Si në politikë, ekonomi, muzikë, art, teknologji, në sistemin e drejtësisë, arkitekturës etj. Sot dallueshmëria e kualiteti i mentalitetit kombëtar matet me aftësitë e konkurrimit në të gjitha sferat, posaçërisht në arenën ndërkombëtare. Duke filluar prej produkteve vendore dhe origjinalitetit të tyre, pastaj në artin narrativ, pra në film, në dizajn dhe vlerën shtesë të saj në kreativitetin ekonomik, në hulumtime shkencore dhe arkeologjike, sport, poezi, politikë, në muzikë, në artet pamore etj. Krenaria si pasojë e aftësisë individuale dhe respekti që sot kualiteti i mentalitetit zhvillohet me kohën. Kjo konfirmon sot patriotizmin e shëndoshë.
Çfarë provokon një gjendje artistike te ju?
Nuk jam i vetëdijshëm.
Ju udhëtoni shumë, si është qasja juaj ndaj kulturave të ndryshme?
Me respekt, indiferencë dhe me dyshim.
Cilët kanë qenë piktorët që ju kanë frymëzuar? Ose ata që ju frymëzojnë ende sot?
Goya.
Në cilën galeri do të doje të qëndroje gjatë si vizitor?
Rugova, bukuria e Thethit, malet e Valbonës dhe Malësia e Gjakovës. Natyra në asnjë vend të botës nuk të zhgënjen. Bjeshkët e Nëmura janë krenaria e pakufishme, ma pushton imagjinatën dhe më lë pa fjalë.
Ju jetoni në Nju Jork. Nëse do të flasim për tendencat e artit bashkëkohor sot, si i shihni ato?
Arti është një gënjeshtër, varësisht sa e marrin seriozisht ata që e konsumojnë.
Jeni komentuar shpesh si radikal? A janë punët tuaja radikale?
Unë jam i pafajshëm. Radikal sot është mohimi për ujë të pijshëm, papunësia dhe padrejtësia. Radikal është mohimi i praktikimit të lirisë dhe fjalës, mohimi i shkollimit falas për fëmijë për të gjitha moshat dhe mohimi i emancipimit gjinor në shoqëri. Kidnapimi i kureshtjes është akti më radikal. Unë ende jam i pafajshëm.
Punët tuaja duken se ngjizen nga situata të njohura të realitetit shqiptar. Si priten ato nga një publik ndërkombëtar?
Vlera e mentalitetit kombëtar është një pasuri. Por, kualiteti, pasuria e mentaliteti dhe praktikimi personal i kureshtjes krijon “atrit”, që duhet të definohet. Kjo është natyra, mentaliteti dhe evolvimi i saj kohor me botën sot që jetojmë.
A ka arti pasaportë?
Pasaporta është një gjë materiale, ndërsa arti është udhëtim shpirtëror.
Si e shihni artin pamor shqiptar?
Relacion mes mizës dhe arushës.
Nëse do të ndaleshim tek arti i realizmit socialist dhe debati që bëhet për të shpesh në Tiranë, cili është mendimi juaj?
Është vlerë kohore dhe historike që duhet të respektohet. Ne nuk mund ta mohojmë ose ta kthejmë kohën pas, ajo është dëshmi dhe pasqyrë e një kohe që populli reflekton vuajtjet, trishtimin dhe krenarinë. Por kjo tendencë estetike i takon një periudhe kohore, ndërsa tani ne duhet ta krijojmë kohën tonë. Kohën që jetojmë duke kërkuar një qëndrim të ri, me stimulime të freskëta dhe ta shpikim një kohë të re si dëshmi ekzistenciale. Kjo është sfidë.