Shahu ne shkolla Gerry Kasparov ne Shqiperi per te mbeshtetur programin

Shahu ne shkolla, Gerry Kasparov ne Shqiperi per te mbeshtetur programin

Në kuadër të programit inovativ “Sporti në Shkolla”, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me legjendën e botës së shahut Geri Kasparov, i cili ndodhet në Tiranë me ftesë të qeverisë shqiptare dhe nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë për Inovacionit dhe Administratën Publike. Në këtë takim të zhvilluar në kryeministri të ftuar ishin edhe të rinj e të reja, nxënës, sportdashës të shahut, mes të cilëve edhe ish kampionë shqiptarë të këtij sporti.

Kryeministri  Rama theksoi përkushtimin e qeverisë për të vënë në dispozicion të këtij programi inovativ gjithë kapacitetin e mundshëm material dhe njerëzor. Duke shprehur kënaqësinë për kontributin e një figure të mirënjohur si Kasparov në këtë program, kryeministri nënvizoi se ky është një investim i domosdoshëm për dijen dhe mirëqenien.  “Ne jemi shumë të interesuar që ta zhvillojmë këtë projekt. Ne jemi shumë të përkushtuar që të vendosim në dispozicion të këtij programi të ri dhe inovativ gjithë kapacitetin tonë të mundshëm material dhe njerëzor, duke filluar me një numër modest shkollash, 10 të tilla, por me ambicien që ta zhvillojmë me shumë më tepër shpejtësi. Sepse, ne besojmë që përfshirja e shahut në procesin e edukimit është investim i drejtpërdrejt në rritjen  e kapitalit njerëzor të gjeneratës tjetër.

Duke pasur dhe një mjeshtër legjendar që na mbështet dhe na inkurajon, në radhë të parë me dijet e tij në këtë projekt të rëndësishëm, ne ndihemi më të sigurt sepse tek  e fundit fare, unë dua të ndaj me ju një bindje; Vendet  e pasura dhe ato më të pasura, nuk dallohen nga çfarë pasurie iu ka dhënë Zoti apo natyra, por nga sa dinë. Kush di më shumë ka më shumë,  e kush di më pak, ka më pak. Sot, kush investon më shumë në dije, investon më shumë në mirëqenie, nesër. Kështu që, ky është një investim në dije, është dhe një investim në mirëqenie. Prandaj dhe për ne është një investim shumë i rëndësishëm, pikërisht për të bërë të mundur atë që fëmijët që të vegjël të fillojnë të mendojnë para atij ekranit, si e tha mjeshtri, jo vetëm mbi bazë numrash, por në bazë strategjish“, tha Rama.

Nga ana e tij, ish-kampioni i botës në shah Kasparov, duke vlerësuar këtë nismë të qeverisë shqiptare u shpreh se sporti i shahut është një instrument i përsosur në përgatitjen e brezit të ri për sfidat e arsimit modern. “Besoj shumë fort se shahu i përket sistemit të arsimimit dhe do të ndihmojë që të përmbushen sfidat e arsimit modern të shekullit të 21. Është një instrument thuajse i përsosur për fëmijët në shkollat fillore që të gatisin mendjen e tyre për të përballuar sfidat e arsimimit modern.” u shpreh Geri Kasparov.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama