Shala djeg kualifikimin per Rio 2016

Shala djeg kualifikimin për Rio 2016

Mundësi shqiptar Egzon Shala nuk ka arritur dot të sigurojë ditën e djeshme një biletë për t'u kualifikuar në Lojërat Olimpike "Rio 2016". Shala është renditur i pesti në peshën 97 kg të stilit të lirë, në turneun kualifikues për Lojërat Olimpike "Rio 2016" që u zhvillua për tri ditë me radhë në Zrenjanin të Serbisë.egzon-shala

Shqiptari arriti të kualifikohet deri në fazën gjysmëfinale, por në dy sfidat më të rëndësishme ai u mposht dhe nuk arriti të shkojë më tej edhe pse pati mundësinë e ripeshkimit dhe të merrte një medalje.

Gjithsesi, paraqitja e Shalës ishte e mirë, duke mposhtur dy mundës të fortë, por në momentet më delikate u mposht nga rivalët. Pra, dy fitore dhe dy humbje në këtë turne, që ishte një shans i artë për Shalën dhe mundjen shqiptare për të shkuar në Olimpiadë, pasi rivalët ishin të paktë dhe vetëm nga Europa.

Por Rio duket se edhe mundjen mbetet një tabu, të paktën për momentin. Në garën e parë mundësi shqiptar u përball me bjellorusin. Në duelin e parë, atë eliminator, Egzon Shala fitoi 4- 3 me bjellorusin Ivan Jankouski, në një sfidë të fortë, por shqiptari arrin të triumfojë në fund dhe shkon në çerekfinale.

Edhe këtu, mundësi kuqezi ka epërsi karshi rivalit gjerman Erik Sven Tiele, ndaj të cilit fiton 6-4, duke u kualifikuar për në gjysmëfinalet e peshës 97 kg. Këtu Shala përballet me turkun Ibrahim Bolukbasi, ndaj të cilit zhvillon një duel me dy pamje.

Shqiptari lëviz mirë në minutat e para, ku udhëheq, por shpejt lëshon terren dhe turku fiton 12-4, duke dalë në finale, ndërsa Shala duelon për vendet 3-5. Rivali i Shalës në "ripeshkim" është sllovaku Josef Jaloviar, që fiton 6-3 dhe merr vendin e tretë, ndërsa Shala renditet i pesti. Ka sfumuar në këtë mënyrë ëndrra e Shalës për kualifikimin në Lojërat Olimpike, ku vendi ynë nuk do të ketë asnjë sportist pjesëmarrës për mundjen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama