Shefi i Antitrafikut ne pranga akuzohet per 200 mije leke ryshfet

Shefi i Antitrafikut ne pranga, akuzohet per 200 mije leke ryshfet

Një zyrtar i policisë së Fierit, i emëruar në krye të sektorit kundër trafiqeve pak kohë më parë, ka përfunduar në pranga si i dyshuar për korrupsion. Altin Haderi u arrestua pasditen e djeshme, pasi Gjykata e Fierit miratoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj shefit të Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme, detyrë të cilën e mbante prej rreth një muaji. Haderi akuzohet nga prokuroria se rreth katër vite të shkuara, kur punonte si specialist në këtë seksion, i ka marrë një shtetasi shumën e 200 mijë lekëve për t’i kthyer dokumentet e një automjeti, i cili dyshohej si i vjedhur.

 

Kallëzuesit P. Arapi e M. Mullaj kanë deklaruar se pasi ka kaluar një kohë e gjatë dhe ata nuk i kanë marrë dokumentet e mjetit, i kanë kërkuar Haderit kthimin e parave, por ai është përgjigjur se lekët ia ka dhënë prokurores së çështjes dhe se ai ka qenë vetëm ndërmjetës në këtë. Ky pretendim sipas prokurorisë është verifikuar dhe ka rezultuar i pabazuar. Burime pranë prokurorisë thonë se hetimi ndaj shtetasit Altin Haderi, me detyrë Shef i Seksionit të Luftës kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier ka nisur më 14 nëntor, pas kallëzimit të dy shtetasve që pretendojnë se Haderi iu kishte marrë shumën e 200 mijë lekëve katër vite të shkuara.

 

Kallëzimi është bërë në prokurori, dhe në konspiracion të plotë akuza nuk ka përfshirë në hetime strukturën e SHKB-së apo Drejtorinë e Policisë të qarkut, pasi i dyshuari ishte emëruar në këtë detyrë rreth një muaj më parë. Sipas dosjes hetimore rezulton se kallëzuesi P. Arapi, banor i qytetit të Fierit, ka pretenduar se përpara katër vitesh i kishte shitur një mjet tip “Nissan” shtetasit M. Mullaj, me akt shitje noteriale. Mjeti i tij, disa kohë më parë është ndaluar në postbllok, e konkretisht te rreth – rrotullimi i Lushnjës, nga oficeri i Policisë Gjyqësore, në seksionin e Luftës kundër Trafiqeve, Altin Haderi. Ky i fundit duke konstatuar mungesë të dokumentacionit të mjetit dhe duke patur dyshime se mjeti ishte i vjedhur, i ka referuar materialet në Prokurorinë e Fierit. Mjeti është sekuestruar dhe nga ana e Prokurorisë Fier i është lënë në ruajtje shtetasit M. Mullaj, por pa kthyer dokumentet shoqëruese të makinës. “Oficeri i policisë gjyqësore Altin Haderi dyshohet se i ka kërkuar dhe marrë shtetasve P. Arapi dhe M. Mullaj shumën e 200 mijë lekëve në këmbim të kthimit të dokumenteve të këtij mjeti.

 

Sipas shpjegimeve të dhëna nga kallëzuesit, kanë kaluar rreth 4 vjet dhe dokumentet e mjetit ende nuk u janë kthyer. Në këto kushte, kallëzuesit i kanë kërkuar Altin Haderit kthimin e lekëve. Po kështu rezulton se shtetasit  M. dhe R. Mullai, at e bir, kanë dijeni dhe kanë qenë të pranishëm në momentin e dorëzimit të lekëve”,- thuhet në dosjen e prokurorisë. Prokuroria thotë se nga hetimet e kryera ka dyshime të arsyeshme se oficeri i policisë Altin Haderi ka marrë shumën e 200 mijë lekëve në këmbim të kthimit të mjetit dhe dokumenteve të tij.

 

“I dyshuari refuzon të kthejë lekët, duke pretenduar se ato i janë dhënë prokurores së çështjes dhe ai ka qenë vetëm ndërmjetësi”, – thotë prokuroria. Altin Haderi është emëruar në detyrën e shefit të Sektorit kundër Trafiqeve të Paligjshme rreth një muaj më parë, në kuadër të ndryshimit të drejtuesve të policisë në rrethe, por ky fakt nuk pranohet nga asnjë prej zyrtarëve të policisë. E kontaktuar nga “Mapo”, zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, Enkeleda Allkanjari është shprehur: “Mos me pyet për këtë, se nuk të përgjigjem dot”. Ndërsa drejtori i Policisë së Qarkut Fier, Ervin Hodaj, i emëruar në këtë detyrë pak kohë më parë, tha se shefi i Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme e kishte marrë këtë detyrë disa muaj më parë, por pa mundur të thotë datën e saktë të emërimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama