Tensioni - Që kjo ndeshje do të ishte e luftuar, u duk që në të 5- ën minutë. Një ndërhyrje e Tairit ndaj Fukuit u shoqërua me një tjetër të Peposhit ndaj Muçës. Dhe për këtë të fundit pati karton. Por nervat nuk u shmangën në fushë, as në pankinë, kur Daja po ankohej te zyrtarët e ndeshjes.
Problemet - Gilman Lika ishte programuar si titullar, por duke qenë se ishte me temperaturë e detyroi Dajën që ta linte në stol. Në fushë u fut Muzaka, që kishte probleme në tendinë, megjithatë fati nuk ishte me mesfushorin, pasi në të 43-ën dëmtoi shpatullën dhe la fushën e lojës.
"Fanatics" - Ashtu sikundër premtuan, dje ishin në "Adush Muça". Tri autobusë u nisën në Ballsh dje për të mbështetur Tiranën. Por jo të gjithë tifozët u futën në kohë. Ata mbërritën 15 minuta para ndeshjes dhe u futën në stadium vetëm 5 minuta pasi loja kishte nisur.
Vapa - Me ngritjen e temperaturave, dje ishte e pamundur që loja të vijonte pa ndalesa. Në të 76-ën, Meta sinjalizoi pak sekonda kohë për lojtarët që të konsumonin ujë.
Shterpësia - Bylisi në katër ndeshje të këtij sezoni nuk i ka shënuar asnjë gol Tiranës. Edhe pse i ka marrë dy pikë, një në kryeqytet gjatë fazës së parë dhe ajo e djeshmja, sulmuesit hasin vështirësi në finalizim para këtij kundërshtari.
Drejtori - Dënimi prej 2 vitesh nga Disiplina nuk e ka penguar drejtorin e Tiranës, Sajmir Shehrin, që të ndjekë ndeshjen. Ai është ulur pranë tifozëve bardheblu për të parë këtë takim.
Vendimi - Hyrja për tifozët ballshiotë në pjesën ballore të stadiumit ka qenë falas. Por, rastësia bën që sa herë drejtuesit hapin portat, ekipi nuk mund të marrë pikët e plota. Kjo ndodhi edhe dje.