Tom Bird tregon përshtypjet e para nga trupa e TK-së dhe pritshmëritë që shpreson të prekë në Londër në muajin maj.
Çfarë përshtypjesh ju lë prova e tavolinës?
Sapo kemi parë një performancë pasiononte, të gjallë, intensive dhe tronditëse nga grupi i artistëve. Mbetet për t’u parë se si do të jenë në skenë. Por me sa shohim, shfaqja do të jetë një vizion i ri mbi veprën më të angazhuar politike të Shekspirit e cila nuk është shumë e luajtur.
Duke lënë mënjanë emocionet, çfarë ju flet më shumë, së paku nga aktorët?
Nuk kemi parë realizimin vizual të shfaqjes, sepse tani artistët janë përqendruar në punën me tekstin dhe familjarizimin me të. Por në këto prova tavoline shoh aktorë mjaft të përfshirë në karakterin e secilit, pavarësisht se janë personazhe që vijnë nga historia e Anglisë e shekujve të shkuar.
Në faqen e Festivalit tuaj trupat nga Maqedonia dhe Shqipëria paraqiten me disa farë klishesh. Këpucët ushtarake për Henrin maqedonas, dhe bunkeri për Henrin shqiptar. Nënkuptoni se ajo që ju prisni nga trupat ballkanike të jetë një jehonë e historisë së tyre?
Secila trupë është e ndryshme, për aktorët që ka, për këndvështrimet regjisoriale. Gjithçka do të jetë unike qoftë dhe brenda trilogjisë së Shekspirit. Pavarësisht se quhet një vepër “Henri VI”, secila prej tri pjesëve mund të merret fare mirë më vete.
Opinioni anglez i informuar për problemet e historisë së rajonit, është i interesuar të shohë interpretime dhe portrete nga kjo pjesë e botës nëpërmjet veprës së Shekspirit e cila flet pikërisht për luftën civile. Por ne nuk u kemi kërkuar trupave të bëjnë këndvështrime politike. Nëse ato duan t’i japin këto këndvështrime, le t’i japin. Më shumë se çdo gjë tjetër na intereson të shohim atë interpretim që trupa kombëtare e Shqipërisë do ta bënte për çdo skenë, pa marrë parasysh festivalin.
Globe to Globe është në prag, si po ecën deri tani, janë përmbushur ambiciet tuaja?
Më shumë nga ç’e prisnim. Kur e hodhëm idenë për festivalin dhe bëmë prezantimin në janar 2011, nuk e dinim si do ta prisnin njerëzit, nuk dinim kujt do t’i ngjallte interes, ndoshta vetëm studentëve. Ne morëm kontakte, përpos që na janë afruar vetë teatrot kombëtarë, regjisorë shumë të njohur teatri. Kjo na ngazëlleu dhe u kthye tashmë në një festival që do të shpalosë performanca nga më të mirat për Shekspirin.
Nga udhëtimi ynë në Ballkan kemi këto tre trupa që cilat premtojnë shfaqje të ndryshme, tri koncepte të ndryshme të një pjese po brenda Ballkanit. Është e vështirë ta përcaktosh si mënyrë ballanike të të interpretuarit të Shekspirit.
Padyshim, nga gjërat më të këndshme të këtij festivali janë prurjet nga të katër anët e botës, nga Amerika e Jugut, Afrika, Evropa dhe Azia, me stile kaq të ndryshme të bërit teatër.
Çfarë paragjykimi kishit për teatrin shqiptar?
E filluam festivalin duke marrë parasysh gjuhët që fliten në Londër, komunitetet e ndryshme që jetojnë aty. Në Britaninë e Madhe gjen shumë shqipfolës dhe ne menduam se do të ishte mirë që të kishim në festival një teatër që të fliste shqip. Kemi hyrë në kontakte me kaq shumë njerëz, akademikë të teatrit, gazetarë, dhe Adonis Filipi që punon në Teatrin Kombëtar na është sugjeruar si mundësia më e mirë. Sugjerim kemi pasur nga akademiku amerikan i teatrit John Blondell.
Kush është
Tom Bird, drejtor i Teatrit Glob të Shekspirit, ka një vit që udhëton nëpër botë për nga Armenia në Zanzibar në kërkim dhe vëzhgim të trupave që punojnë me veprën e Shekspirit. Ai ka punuar për Globe Theatre prej vitit 2007. Bird është dhe dramaturg aktiv. Ka studiuar në Universitetet e Edinburgut dhe Kopenhagenit.
Regjisori flet për trupën dhe zgjedhjet e aktorëve
Adonisi Filipi: Jemi në rrugë të drejtë
Festivali Globe to Globe prej 21 Prill 2012 dhe gjashtë javë rresht prezanton në Globe Theatre të Shekspirit, një program shumëgjuhësh të veprave të autorit anglez. Festivali organizohet në kuadër të Lojërave Olimpike Londër 2012. 37 kompani ndërkombëtare paraqesin nga një vepër të Shekspirit.
Shfaqja e trupës së Teatrit Kombëtar Shqiptar është parashikuar më 12-13 maj, në një sallë prej 150 vendesh. “Henri VI” luhet nga tri trupa ballkanike. Pjesa I nga Teatri Kombëtar i Beogradit me regjisor Nikita Mihajllovic dhe pjesa III nga Teatri Kombëtar i Bitolës, me regjisor John Blondell.
Pjesën II e “Henrit VI” i është besuar Adonis Filipit nga Shqipëria. Ai është zgjedhur nga Globe Theatre për “kontributin e spikatur në realizimet e tij artistike në një sërë trupash brenda e jashtë vendit, në bashkëpunimet me autorë si Pulaha, Shabani, Kuteli, Allen, Motoc, Ionesco, Chehov, Ëilliams, Sofokliu, Mamet, etj. Pjesëmarrës në një sërë festivalesh nëpër botë dhe i vlerësuar me çmime.”
Gjë të pabesueshme e quan regjisori pjesëmarrjen në Globe to Globe. Po ja që ndodh. “Henri VI” është vepra që ka numrin më të madh të personazheve, plot 67, por regjisori do të veprojë me 22-23 aktorë. Disa prej tyre luajnë dhe nga dy-tre karaktere. “Jam mbështetur në vlerat aktoriale që ka teatri ynë”, thotë Filipi, “aktorë si Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, por edhe aktorë të rinj që iu është besuar një ngarkesë e jashtëzakonshme. Do të kemi dy aktorë që meritojnë besimin.” Dhe pikërisht atyre, Indrit Çobanit e Ermira Hysajt Filipi iu ka besuar rolet kryesore, mbreti Henri VI dhe mbretëresha Margaritë.
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami ka një ndër rolet më të vështirë në vepër, Duka Glloçester, një nga figurat kyçe, siç e cilëson regjisori. Ndriçim Xhepa është në rolin e Kardinalit, figura e Xhek Kejdit rebel luhet nga Bujar Asqeriu; Dukesha nga Yllka Mujo, Bakingami nga Ahmet Pasha. Të tjerë janë Fatos Sela, Mehdi Malka, Arben Derhemi, Sokol Angjeli, Gjergj Mena etj.. Regjisori bën të ditur se vepra është redaktuar në bazë të një koncepti që ruan në fokus oborrin mbretëror dhe idenë që: “atje ku pushteti është i dobët dhe i administruar keq, fillojnë dhe minjtë hedhin valle, dhe ky pushtet e çon vendin në kaos”.
“Henri VI” është një dramë historike: Lufta e Trëndafilave midis familjeve të mëdha angleze. Për herë të parë është luajtur më 1594. “E para gjë që duhet të bëjmë, të heqim qafe të gjithë avokatët”, shkruan Shekspiri në krye të veprës.
Adonis Filipi thotë se problematike universale e dramës përputhet mjaft mirë sidomos me sfondin historik të Ballkanit, “ku korrupsioni, konspiraconi të prekshëm në veprën e Shekspirit pesë shekuj më parë, e çojnë vendin drejt kaosit dhe rebelimit popullor. Vepra do të jetë në një frymë ndërmjet klasikes dhe modernes.”
Performanca duhet të mbahet në 2 orë. Është një nga kërkesat e festivalit. Premiera është në Tiranë më 20 prill. Kostumografi nuk është përcaktuar akoma. Skenograf është Genc Shkodranit. Muzika e Fatos Qerimajt është live. Muzikanti do të jetë personazh. Teksti është përkthyer nga Shpresa Qatipi dhe Piro Tanku. “Jemi në një proces të drejtë”, thotë regjisori. “Të hënën hidhemi në skenë për të skicuar mizansenat.”
Duhet financim shtesë
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi e prezantoi personalisht lajmin për pjesëmarrjen e Teatrit Kombëtar në Festivalin e Shekspirit vjeshtën e shkuar. Ishte herët për të folur për kostot e këtij prodhimi. Tani që ekziston një preventiv, drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, me zor e pohon. Fillimisht thotë që kërkon një buxhet 5 milionë lekë e që do të dalë nga buxheti i projekteve të Teatrit. “Do të duhet dhe një financim shtesë nga ministria për të përballuar një pjesë të shpenzimeve të qëndrimit, sepse është një trupë shumë e madhe. Festivali ofron financim vetëm për 14 persona.” I pyetur për së dyti e për së të treti, Skrami thotë një shifër të dytë preventivi për “Henrin VI”: 7.4-8 milionë lekë. Është e frikshme për buxhetet e TK-së kjo vlerë! Gjithë fondi vjetor për projektet e Teatrit tonë Kombëtar është 10 milionë lekë. Më i ulëti i tre viteve të fundit. Do të duhet të bisedohet shtruar me MTKRS-në. Droja e drejtorit Skrami tregon që s’ka për të qenë e lehtë gjetja e atyre parave.