Shekspiri ne Kukes

Shekspiri ne Kukes
Aktorët e rinj i dhanë publikut për tri net radhazi një shfaqje moderne, ku vepra e dramaturgut të madh anglez ishte përshtatur me teknologjinë dhe mentalitetin e sotëm. Shfaqja u ndoq me interes nga qindra artdashës të qytetit, të cilët mbushën sallën e teatrit si asnjë herë tjetër. Regjisori Zeneli ka punuar për rreth një muaj me nxënësit e shkollës së mesme "Havzi Nela" të Kukësit, të cilët siç thotë ai, nuk i kishte përzgjedhur sipas ndonjë kriteri shumë rigoroz, por që në skenë aktorët-nxënës fituan duartrokitjet e publikut si të ishin profesionistë. Publiku i Kukësit mirëpriti veprën skenike të Saimirit, sepse pa tek ajo "ëndrrën e vet" simbolike, të cilën nxënësit gjimnazistë e përcollën me energji dhe talent. "Zgjodha këtë vepër të Shekspirit sepse kisha menduar me kohë që t‘i bëja një dhuratë vendlindjes sime dhe jam i kënaqur që ia arrita qëllimit, falë talentit të nxënësve dhe mbështetjes që më dha bashkia", tha Saimir Zeneli.

Ai vjen me këtë komedi pas një përvoje disavjeçare me skenën kryeqytetase, në mënyrë të veçantë në skenat e "Top Channel". "Saimiri i solli buzëqeshjen qytetit tonë dhe për këtë i jemi mirënjohës atij dhe trupës me të cilën punoi", tha pas shfaqjes kryetari i bashkisë, Hasan Halili. Bashkia ishte në këtë rast sponsori kryesor, duke u treguar e ndjeshme ndaj një kërkese në rritje për sa më shumë art në qytetin verilindor. Njerëzit e gjykojnë si një "zgjidhje të qeses për artin" nga ana e bashkisë, pasi është rasti i parë që nga viti 1992 që sponsorizohet një vepër skenike e këtij lloji. "Në verën e nxehtë ishte me të vërtetë si një ëndërr e bukur", tha një shikues.
Zeneli theu kështu tabunë e artit dhe veprave të mëdha si ato të Shekspirit që mund të luhen dhe në qytete të vogla siç është Kukësi, si dhe mentalitetin e pritjes së gjithçkaje nga shteti. Ky i fundit mban në këmbë një armatë të tërë aktorësh dhe punëtorësh të prapavijës, por është nga rastet e rralla që në skenën e qytetit ngjitet një trupë me nxënës, të cilët ndonëse pa përvojë, i dhanë publikut variantin e tyre të veprës shekspiriane. Disa vite më parë ka qenë trupa e nxënësve të shkollës së mesme të "Bicajve" që vuri në skenë një teatër origjinal mbi barazinë gjinore, ndërsa Shekspiri duket se ka qenë për herë të parë mysafir në këtë qytet, të cilin e solli Saimir Zeneli.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama