Shendeti i tepert ben te pamundur radiografine

Shëndeti i tepërt bën të pamundur radiografinë
RREZET "X", TE PAMUNDURA - Ndër shumë raste, në kartelat e pacientëve të klinikës së fakultetit të mjekësisë "Vanderbilt University" në Nashville (Tennessee) figuron edhe emri i një gruaje që peshonte 400 kg, aq sa kishte provokuar edhe thyerjen e krevatit të spitalit, ndaj është dashur nevoja e zëvendësimit të tij, duke sjellë një tjetër të përshtatshëm me masën e saj. Një fenomen i tillë, sipas referimit të revistës "Radiology" dhe doktorit Raul Uppot, specialist radiolog në "Massachusetts General Hospital", është gjithnjë e në rritje tek amerikanët që janë dhjamosur aq shumë, sa nuk mund të bëjnë as radiografitë, pasi është e pamundur të kalojnë nëpërmjet makinës me rreze X. Tendenca e rritjes së peshës në SHBA ka kaluar prej kohësh nivelet normale (një fenomen që ka kohë që ka filluar të zhduket në Evropë) dhe tashmë është në sytë e të gjithëve. Ky fakt është i dokumentuar edhe nga "National Health Interview Survey", një studim i mbajtur nga qendra e kontrollit dhe parandalimit të sëmundjeve në departamentin federal të shëndetit, që ka analizuar gjendjen e shëndetit të amerikanëve nga vitet 1997-2005.

RRITJA - Sipas të dhënave të grumbulluara deri tani, në grupin e popullatës që ka kaluar 20 vjetët, numri i të dhjamosurve për këtë periudhë konsiderohet në rritje nga 19,4% në 25,4%. Edhe më kritike kjo situatë është për moshën nga 40 deri në 59 vjeç, me një përqindje të të dhjamosurve deri në 29,2%. Në të gjithë këtë grup popullate, nëse ndahen me kujdes të dhënat, të bie në sy se dhjamosja, në kundërshtim me atë që shumë njerëz kishin menduar, është një problem më shumë mashkullor. Edhe pse gratë për motive klinike dhe jo vetëm estetike duhet të humbasin peshë më shpejt, një në tre prej tyre ka një indeks të peshës trupore 30 kg për m/k të masës trupore. Nëse i grupojmë më pas shifrat, duke i veçuar në grupime atkine, zbulohet se dhjamosja godet më shumë hispanikët dhe akoma më shumë afrikano-amerikanët, ku 36,5% e grave i lëshohen dhjamosjes.

NDIHMA - Çfarë mund të bësh? Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtuar mjaft qendrat "Overeaters Anonymous" (OA), një program vetëndihmues, i cili është bërë prezent në rreth 60 vende e që ka lindur si derivat i shoqatës së njohur "Alcoholic Anonymous", e themeluar në vitin 1935 për të përballuar pavarësinë nga alkooli. Por ndryshe nga strategjitë komerciale, që me dietat kanë ndërtuar një biznes shumë të madh, "Overeaters Anonymous" është një komunitet pa limite dhe i hapur për të gjithë ata që njihen si ngrënës të palimitizuar. Nuk merret vetëm me problemin e dhjamosjes dhe jo të shitjes së një diete, por të adoptimit special të regjimit dietik. Funksioni i tij në të vërtetë është shprehja e formës kolektive të arsyeve psikologjike, motive dhe fizike, që janë edhe burimi i sëmundjes së rritjes në peshë. Në plan të kundërt (dhe politikisht të rrezikshëm) ka vendosur tashmë të reagojë presidenti i komisionit të shëndetit të Nju Jorkut, një spanjollo-amerikan që ka vendosur t‘u shpallë luftë atyre, që shumë i konsiderojnë si përgjegjësit kryesorë të dhjamosjes në nivele epidemike, lokaleve fast-food. Sipas Riveras, që është edhe këshilltar lokal për demokratët e Bonx, fushata duhet të përqendrohet në zonat më të varfra të qytetit, që janë dhe më të shtyra drejt të ashtuquajturave ushqime-plehra, me popcorn, patate të skuqura dhe natyrisht edhe hamburgerë.

FAST-FOOD - "Nuk bëhet fjalë, nënvijëzon Rivera, që ndryshe nga shumë spanjollë, t‘i shpallim luftë McDonald apo zinxhirit KFC, të mbretërisë së pulave të skuqura të "Kentucky Fried Chicken". Njerëzit zgjedhin ushqimet në fast-food, pasi janë me shumë shije dhe kanë një meny të pasur, e cila na jep mundësi zgjedhjeje për të ngrënë çfarë dëshirojmë. Mund, por edhe duhet, të edukojmë konsumatorët. Duhet t‘i bëjmë të kuptojnë se për shkak të këtij prakticiteti, hahet vetëm ky tip ushqimi i yndyrshëm, me kripëra, sheqer dhe për të përfunduar deri atje sa edhe etjen e shuan me qumësht kutie me 250 kalori, që përveç sheqerit të tepërt, në harkun e një kohe të shkurtër të shëndoshin në mënyrë të tmerrshme. Dhe me shëndoshjen rritet pashmangshmërisht rreziku i infarktit dhe diabetit". Cilat janë alternativat? "Të provojmë të bëjmë atë që bëhet në të tjerë sektorë, përgjigjet Rivera, për shembull me verërat dhe likeret. Në periferi mund të limitohet numri i licencave për dyqanet që shesin vetëm fast-food, që tashmë hapen çdo ditë ngjitur me njëra-tjetrën. Mund të studiohen edhe stimulantë, në mënyrë që konsumatori të drejtohet tek ushqimet më të ulëta dhe më të shëndetshme".

LIRIA - Jo të gjithë janë të bindur. Disa gazeta popullore (të shtyra edhe nga lobi i biznesmenëve të rrjeteve fast-food dhe të pijeve të gazuara që lëvizin edhe levat e publicitetit), janë hedhur në sulm me një kundërsulm, ku hamburgeri dhe qeset e kokoshkave, që shiten në kinema, së bashku me patatinat, të bëhen flamurët e rinj jo të shëndoshjes, por të lirisë së konsumatorit. Por specialisti vazhdon luftën e tij kundër mullinjve të erës të fast-food, duke mos pranuar akuzën se ai është një utopist fanatik. "Në shumë qytete të tjera amerikane, përgjigjet ai, këto forma ekzistojnë dhe kanë dhënë rezultate. Edhe me ndalimin e duhanit në lokalet publike, kur u adoptua tre vjet më parë në Nju Jork, shumë njerëz ishin kundër. Tani pjesa më e madhe është dakord dhe të gjithë marrin frymë lirisht. Me ushqimin-plehra fushata do të jetë shumë më e vështirë, por njerëzit do të arrijnë të kuptojnë se lufta kundër dhjamosjes është akoma shumë urgjente".

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama