Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte sot në Shëngjergj, ku prezantoi administratorin e kësaj njësie, Shpëtim Sina. Duke folur në ceremoninë e prezantimit, Veliaj u shpreh se Shëngjergji do shndërrohet në një destinacion tërheqës turistik për të gjithë turistët e pasionuar pas natyrës, sporteve ekstreme apo produkteve vendase bujqësore.
“Deri në fund të këtij mandati, Shëngjergji do të ketë një emër që nuk e ka pasur deri më sot dhe besoj se do kthehet në një destinacion të lakmueshëm për turistët dhe banorët e Tiranës që parapëlqejnë ajrin e pastër, jetesën sa më pranë natyrës, në periferi, ku jetohet shëndetshëm në një ambient fantastik, siç e ka Shëngjergji”, u shpreh Veliaj.
Kreu i bashkisë së Tiranës tha se drejtuesit e njësisë administrative dhe strukturat e bashkisë duhet të bashkëpunojnë për të hartuar një strategji të përbashkët konkrete për promovimin e turizmit të zonës.
“Dua që të kemi një kalendar të posaçëm që ta zhvillojmë në ditët në vijim në të mirë të zonës. Në tetor do të organizojmë garat me makinat rally dhe duam që për turistët e huaj që do të vijnë, kjo të shërbejë për promovimin e Malësisë së Tiranës, përfshi edhe zonën e Shëngjergjit”, u shpreh Veliaj.
Një tjetër synim i kryetarit të Bashkisë mbetet edhe turizmi që mund të organizohet me anë të promovimit të produkteve origjinale tipike të zonës. “Duam që të organizojmë disa festa dhe aktivitete tipike të Shëngjergjit, siç është ajo për domaten e vonë, karakteristikë e zonës. Këto janë mënyra për të mbledhur njerëzit bashkë, janë mundësi se si ne mund të promovojmë turizmin dhe besoj që secili prej këtyre ngjarjeve do të shërbejë si një pretekst për të sjellë sa më shumë njerëz nga Tirana, për ta njohur zonën e më pas për ta promovuar atë”, tha Veliaj.
Veliaj theksoi se administrata që ai drejton do jetë në mbështetje të plotë të çdo nisme që ka për qëllim zhvillimin e zonës. “Bashkia do të investohet shumë për të pasur një kalendar aktivitetesh, në mënyrë që Shëngjergjin ta promovojmë si një aset të jashtëzakonshëm turistik për Tiranën. Sepse Shëngjergji është ‘bahçja’ malore e Tiranës”, theksoi Veliaj.