“Në të vërtetë, zbulimet tona konfirmojnë atë çka kemi mësuar në kopsht apo atë çfarë na thoshe gjyshja, por tani kemi edhe prova shkencore”, - shpjegon për “Wall street Journal”, Jeffey J. Froh, docent i psikologjisë në Universitetin Hofstra të Hemsteadit, në shtetin e Nju Jorkut. Bashkë me kolegët e tij, Froh ka studiuar humorin dhe gjendjen shpirtërore të më shumë se një mijë studentëve, duke verifikuar se kush provon ndjenjën e falënderimit dhe mirënjohjes arrin të marrë nota më të mira në shkollë dhe ka një numër më të madh miqsh në krahasim me materialistët, më të pakënaqur nga ekzistenca e tyre. Rezultate të ngjashme, edhe pse me pak ndryshime të dukshme, dolën edhe nga një kampion prej 221 fëmijësh me moshë nga 12 deri në 13 vjeç.
Ajo që tregohet nga kërkimet e Universitetit Hofstra nuk është një risi, por mbi të gjitha një konfirmim i asaj që teoricienët e psikologjisë pozitive po mbështesin prej kohësh. Në veçanti, një studim i kërkuesit të Universitetit të Majamit, Micheal Cullough, i shfaqur në vitin 2003 në revistën “Journal of Personality and Social Psychology”, ka treguar se të mbash parasysh motivin dhe njerëzit ndaj të cilëve duhet të jemi mirënjohës na ndihmon të ndihemi më mirë.
Ndoshta jo më kot amerikanët, por edhe italianët celebrojnë Festën e Falënderimeve. “Njerëzit duhet ta dinë se t’u thonë faleminderit atyre që i kanë ndihmuar kur ata kanë pasur nevojë, i ndihmon ta kenë ndërgjegjen të pastër, madje edhe të ndihen mirë. Kjo është e rëndësishme për jetesën në komunitet”, - tregojnë specialistët e këtij studimi. Por, duke e marrë si të mirëqenë faktin se të jesh mirënjohës ndaj atyre që të kanë ndihmuar e të kanë bërë ndere të bën të ndiheni më mirë, pyetja tjetër që shtruan psikologët ishte: “T’i vlerësosh të tjerët është diçka që mund të mësohet?”.
Mendimi më i përhapur mes studiuesve është se për rreth 50 për qind të njerëzve kjo varet nga “trashëgimia” e tyre gjenetike, por hapësirat për të punuar mbi 50 përqindëshin tjetër ekzistojnë. Megjithatë, kjo prirje mund të kultivohet. “Ushtrimi” më efikas i sugjeruar nga profesor Froh, si të rriturve, ashtu edhe fëmijëve është që të shkruajnë vazhdimisht në një ditar të gjitha episodet pozitive të ditës, sepse kështu do e kenë më të lehtë të dallojnë ato që duhet të vlerësohen. Shumë efikas do të ishte edhe fakti i lënies mënjanë të turpit dhe t’u thuhet atyre që e meritojnë se sa mirënjohës u jemi dhe se si do t’ua shpërblejmë, duke evituar kështu që të jemi shumë kritikë si me të tjerët ashtu edhe me veten. Në fund të fundit duhet ta mendojmë se si do të ishte jeta jonë pa ata që zakonisht nuk i përmendim fare: partneri, fëmijët dhe puna.
Intervista
Jeffrey Froh, autor i studimeve të fundit për psikologjinë pozitive
“Për të qenë mirë nuk vlejnë mashtrimet”
Telefonata nis me një sërë falënderimesh reciproke. Jeffrey Froh, profesor i psikologjisë në Universitetin Hofstra dhe bashkautor me Robet Emmons, i studimeve të fundit mbi efektet pozitive të mirënjohjes, vendos në praktikë atë që jep mësim.
Profesor, është e lehtë të vlerësojmë atë që na jep jeta dhe të tjerët?
Jo, aspak. Është e vërtetë që të gjithë mund ta bëjnë, por është gjithashtu e vërtetë se bëhet fjalë për një ushtrim të përditshëm. Për më tepër, duhet të jemi të ndershëm në atë që bëjmë. Nuk funksion nëse nuk ka reciprocitet.
Efektet e mendimit pozitiv ishin bërë të ditura vetëm për të rriturit, çfarë tregon studimi juaj për kërkimin tek fëmijët adoleshentë?
Mbi të gjitha, në punën me adoleshentët verifikuam se ka një lidhje të ngushtë mes aftësisë për të qenë mirënjohës dhe integrimit në komunitet. Ndaj, t’i mësosh një fëmije të thotë ‘faleminderit’ dhe të njohë meritat e të tjerëve, projekton efektet pozitive të një sjelljeje të tillë në të gjithë shoqërinë. Të jesh mirënjohës ndaj diçkaje është një ndjenjë që nuk mund të fshihet, ndaj të shtyn për të kthyer nderin.
Mendimet pozitive vijnë më shumë gjatë kohës së krizës?
Ndoshta ka më shumë nevojë, megjithatë duhet të them se nuk bëhet fjalë për ndonjë mashtrim, por për një disiplinë që duhet praktikuar.