Kur flasim për konsumin e sheqerit a mund të na thoni në cilat produkte gjendet ai më shumë dhe a ndodh që industritë të abuzojnë me sasinë e sheqerit tek ushqimet e përpunuara?
Dr. Yllka Themeli: Në dyqane e markete vërehet një dyndje ushqimesh të përpunuara dhe të paketuara, kundrejt ushqimeve natyrore të tilla si mishi i parafinuar, peshku, frutat, perimet, arrat,etj. Ky fenomen është problematik, sepse pjesa më e madhe e ushqimeve të përpunuara përmban sasi të mëdha të sheqerit dhe të karbohidrateve të rafinuara, si dhe komponente shtesë artificiale, që janë potencialisht të dëmshme për organizmin tonë. Ky kontigjent ushqimesh është më i favorizuar nga industria e ushqimit, sepse ka kosto të ulët për t`u prodhuar, ka afat më të gjatë të skadencës dhe është projektuar posaçërisht për shije të mirë. Për të njëjtat arsye, këto ushqime janë më joshëse e më të preferuara nga konsumatorët, shoqëruar me përhapjen në përmasa të frikshme të patologjive të tilla si diabeti, depresioni, obeziteti, sëmundjet e zemrës dhe kanceri.
Sa i takon karbohidrateve të rafinuara përse janë një burim i fshehtë i sheqerit?
Në shumicën e rasteve, karbohidratet e rafinuara përftohen nga përpunimi i drithërave dhe janë deficiente në vlera ushqyese, si pasojë e largimit të embrioneve dhe krundeve të drithërave gjatë përpunimit. Përgjithësisht, sasia e lëndëve ushqyese të humbura është proporcionale me shkallën e përpunimit, dhe kjo është veçanërisht e theksuar për kompleksin e vitaminave B, fibrat dhe hekurin. Bazuar në këtë fakt, karbohidratet e rafinuara referohen shpesh si ushqime “pa kalori”, duke na tunduar t`i konsumojmë shpesh dhe për periudha të gjata kohore, madje duke zëvëndësuar me to ushqime realisht të shëndetshme. Në këtë mënyrë, organizmi ynë do të varfërohet në mënyrë të pashmangshme si në vitamina, ashtu edhe në minerale. Duke qenë se këto elemente janë te domosdoshme për funksionimin normal te trupit, kjo situatë mund të pasohet më fillimin gradual të sëmundjeve kronike.
Por cilat janë efektet negative që sjell sheqeri mbi shëndetin?
Janë të shumta por po përmendim më kryesoret. Mund edhe të habiteni, por ka ende njerëz që mendojnë se konsumimi i bukës dhe makaronave janë të shëndetshme për trupin. Për t`ju bindur për të kundërtën, po ju paraqes në vijim disa nga rreziqet kryesore që janë të lidhura zakonisht me konsumin e shpeshtë të sheqerit apo të karbohidrateve. Le të fillojmë me dëmtimin e procesit të rregullimit të nivelit të sheqerit ne gjak ushqimet që janë të pasura në sheqer ose karbohidrate te rafinuara, zbërthehen në organizëm në sasi të mëdha të glukozës, e cila hyn shumë shpejt në sistemin e qarkullimit të gjakut.
Kjo shkakton një rritje të shpejtë të nivelit të sheqerit në gjak, që provokon një çlirim të ekzagjeruar të hormonit insuline, që ka për qellim uljen e këtij niveli. Kur kjo situatë ndodh shpesh, sforcimi i vazhdueshëm i pankreasit për të prodhuar sasi shtesë të insulinës mund të dëmtojë aftësinë e trupit për të mbajtur një nivel të qëndrueshëm të sheqerit në gjak, duke çuar në rezistencë ndaj veprimit të insulinës dhe ne shfaqjen e diabetit te sheqerit të tipit 2. Mund të përmendim edhe obezitetin dhe shtimin në peshë sepse sheqeri është burimi ynë kryesor i energjisë dhe kur dhe kur konsumohet, ai mund të konvertohet në glikogjen dhe të ruhet në muskul ose në mëlçi për përdorim në të ardhmen.
Për shkak të këtij potenciali që kanë sheqeri dhe karbohidratet e rafinuara për të shkaktuar shtim në peshë, shumica e njerëzve që i konsumojnë vazhdimisht ato, janë dukshëm mbi peshë. Gjithashtu sëmundjet e zemrës dhe kanceri janë dy shkaqet kryesore të vdekjes në botë, me një përhapje gjithnjë e më të madhe në vitet e fundit. Është konstatuar se shfaqja dhe zhvillimi i tyre janë të lidhura ngushte edhe me konsumin e sheqerit dhe të karbohidrateve të rafinuara.
Nëse do ndaleshim më gjatë në këtë argument, kjo lidhje është konstatuar mjaft e fortë në rastet e infarktit të miokardit, aterosklerozës dhe sëmundjeve të zemrës në përgjithësi. Kjo shpjegohet me faktin se konsumi i sheqerit rrit nivelin e tij në gjak, duke provokuar më pas dëmtimin e indeve dhe inflamacion në murin e brendshëm të arterieve të zemrës.
Fakte të hidhura për sheqerin e ëmbël
Në fillim të viteve 1800, një amerikan konsumonte mesatarisht 5,4 kg sheqer në vit. Sipas statistikave të publikuara nga Shoqata Amerikane e Diabetit, konsumi mesatar vjetor i sheqerit u rrit në më shumë se 67,9 kg për person deri në vitin 2000. Në këtë mënyrë, sheqeri përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të kalorive ditore të një pjesë të madhe të popullatës. Gjithashtu statistikat tregojnë se çdo personi qe konsumon 5,4 kg sheqer në vit, duke respektuar një dietë me të vërtetë te shëndetshme, të bazuar kryesisht në ushqime natyrale, i korrespondon një tjetër person i cili konsumon 60 here me shume. Pra, egzistojnë individë që konsumojnë më tepër sheqer në një javë të vetme sesa individë të tjerë në një vit të tërë. That’s scary! Kjo është e frikshme!
Varësia ndaj sheqerit, më problematike sa varësia ndaj kokainës
Shumica e njerëzve përjetojnë ngritje të shkurtër të humorit dhe të energjisë menjëherë pas konsumimit të sheqerit apo karbohidrateve te rafinuara. Pra, është mëse e qartë që konsumi i sheqerit ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi humorin. Endokrinologia Yllka Themeli shpjegon se njerëzit kanë tendencë të kenë dëshirë më të forte për sheqer dhe karbohidrate te rafinuara sesa për ushqimet e tjera, dhe kjo dëshirë shpesh shoqërohet me ndjesinë e lodhjes, ankthit, apo depresionit.
Studime bashkëkohore kanë konstatuar një lidhje mjaft të ngushte ndërmjet konsumimit të sasive të mëdha të sheqerit dhe rritjes së prevalencës së depresionit. Kërkime të shumta të realizuara tek minjtë kanë provuar shkencërisht se egziston vërtet varësia ndaj sheqerit. Ashtu si edhe përdorimi i drogave çlodhëse, sheqeri rrit përqendrimin ne tru te dopamines dhe opiateve, të cilat kanë një ndikim te madh mbi humorin. Veç kësaj, kur sheqeri konsumohet me tepricë, ai pengon çlirimin e acetilkolines, e cila zgjat oreksin dhe stimulon ngrënien me shumë dëshirë.
Gjithashtu, konsumi i shpeshtë i sheqerit ul ndjeshmërinë ndaj dopaminës dhe opiateve, dhe prodhon simptoma të tërheqjes, të tilla si ankthi dhe depresioni, te cilat janë të gjitha në përputhje me karakteristikat e varësisë nga droga. Në fakt, një studim i kohëve të fundit ka treguar se varësia ndaj sheqerit është edhe më problematike se ajo ndaj kokainës.
Këshilla
Për një jetë më të mirë pa sheqer
Për shkak të shijes së ëmbël dhe të natyrës droguese të sheqerit, shumë njerëz e kanë mjaft të vështirë ta eliminojnë ate nga dieta e tyre, pavarësisht dëmit që mund t`u shkaktojë.
- Kontrolloni gjithmonë në amballazhin e produkteve ushqimore që blini, listën e komponenteve që përmbajnë. Sigurohuni që të mos përmbajnë glukoze, sukrozë, fruktozë, apo shurup drithi me përmbajtje të lartë fruktoze.
- Evitoni konsumin e shpeshtë dhe në sasi të mëdha të ëmbëlsirave, veçanërisht të atyre me sherbet.
- Preferoni ëmbëlsirat e përgatitura në shtëpi, sepse janë më të freskëta dhe më të shëndetshme, pasi kanë nivel të kontrolluar të sheqerit të procesuar.
- Konsumoni 5-6 vakte në ditë (çdo 3 orë), në mënyrë që të mos jeni të uritur në vaktin e radhës.
- Konsumoni në vaktet e vogla (snack) ushqime që përmbajnë sheqer natyral, të dobishëm për organizmin, siç janë frutat dhe zarzavatet e freskëta.
- Konsumoni lëngje që nuk kanë ose kanë sasi të pakët të sheqernave të procesuara, si uji, qumështi me pak yndyrë, sasi të kufizuara të lëngut te frutave të freskët (të përgatitur ne shtëpi), dhe njëkohësisht evitoni pijet me gaz si soda, cola, pijet energjike, etj.
- Evitoni ushqimet fast-food, përdorni mustardën në vend të majonezës, përdorni salcën e domates në vend të salcës së bardhë.
- Evitoni bukën e bardhë, makaronat e bardha, orizin e bardhë, salcën e bardhe.
- Pini sa më shumë ujë gjatë ditës, të paktën 8 gota ujë në ditë, mundësisht menjëherë para ngrënies së ushqimit, në mënyrë që të evitoni ngrënien e tepërt.
- Kryeni të paktën 30 minuta aktivitet fizik në ditë, gjithmonë nëse jua lejon gjendja juaj shëndetsore.
- Regjimi i mësipërm, si dhe evitimi i streseve dhe i njerëzve me energji negative për ju, sigurisht që do t`ju mbajnë larg sëmundjeve.