Sherifi ne perkthimin e Ibrahim Rugoves

Sherifi në përkthimin e Ibrahim Rugovës
E ka titulluar thjeshtë poezi, por në të vërtetë është një bashkim i dy veprave “Lojë e kundërmojë” dhe “Oksigjen”. Kjo vepër vjen si ribotim pas atij të vitit ‘80, janë poezi të përkthyera në shqip nga Ibrahim Rugova. “Ky libër ka lindur kur kam takuar Ibrahim Rugovën në vitin 1976 në Prishtinë, ku më priti mjaft mirë. Për përkthimin e kësaj vepre së bashku kemi p[punuar për gati katër vjet. Unë jam i pari autor që më ka përkthyer nga frëngjishtja në shqip dhe këtë e ka bërë jo për përfitime, por nga shpirti i tij kombëtar”, shprehet Sherifi. Botimi i ri vjen nga shtëpia botuese “Faik Konica” dhe poezitë që janë përfshirë në të janë të shkruara nga vitit 1976 deri në vitet ’90.


Sipas Ramadan Musliut, teksti poetik i veprës së Skënder Sherifit shtron disa nga problemet që pak a shumë janë të pranishme në poezinë tonë, qoftë si inicime problemore të imponuara nga kontaktimet e saj me vlerat standarde të poezisë evropiane, qoftë si tendenca origjinale të shfaqura nga kushtet e zhvillimit të saj në kohë, kur çdo vlerë dhe jo vlerë i nënshtrohet gjykimit të serishëm dhe verifikimit më konkret. “Fjala është për kompleksitetin e kushteve shoqërore e historike dhe kontekstualizimin e artit të sotëm brenda përbrenda këtij konteksti. Prandaj çështja e fenomenit letrar mbetet si një problem i diskutueshëm për shumë arsye. Për këtë poezi edhe për librin në përgjithësi është interesant se vepron, së pari, si formë e përjetësimit të kësaj jete dhe së fundi si rezonim ndaj situatave jetësore. Prandaj subjekti, madje edhe ai që mund të ketë statusin e personazhit lirik, është ai që u nënshtrohet ligjeve të caktuara, por manifeston shkallën e lartë të vetëdijesimit ndaj situatës përkatëse”, shkruan ai. Botimi ndodhet në librari të ndryshme shqiptare dhe kushton 3 euro.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama