Një vendimi i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor të Himarës për të ndaluar disa punime pa leje në një kishë historike të Dhërmiut, ka shkaktuar reagimin e ashpër të Kishës Ortodokse dhe OMONIA –s. Disa banorë të mbështetur nga kjo organizatë dhe kisha kanë tentuar ta pengojnë me forcë ndërhyrjen. Kisha Ortodokse akuzoi bashkinë e Himarës se do të prishë një objekt kulti që është në pronësi të saj.
E akuzon atë se po kryen një akt të paligjshëm dhe po vepron me tinëzari. Bashkia ka sqaruar se godina për të cilën ka ndërhyrë INUV është një objekt pa leje i ndërtuar mbi një kishë të vjetër, e cila do të rikonstruktohet me qëllim që të kthehet siç ka qenë më parë. Por Kisha Ortodokse ka qenë e ashpër.
Ajo i ka krahasuar veprimet e bashkisë si ato të diktaturës kur vendosi të prishë objektet e kultit. “Ngjarja dëshmoi një mungesë të thellë të respektit ndaj besimit dhe komunitetit fetar, të ngjashëm me atë të sistemit ateist komunist, që shkatërroi kishën për herë të parënë vitin 1972 dhe gurët i përdori për të ndërtuar depon e ujit. Në vitin 1992, në vendin ku kishte qenë kisha e vjetër, banorët ngritën një kishë të thjeshtë, e cila ka 23 vjet që ishërben si vend adhurimi komunitetit. Por përsëri dikush po përpiqet ta shembë, si 43 vjet më parë!” thuhet në një deklaratë të Kishës Ortodokse.
Kisha ka paralajmëruar se besimtarët “janë të gatshëm në çdo moment ta mbrojnë kishën e tyre nëse do të ritentohet të shembet ky vend i shenjtë. Edhe pasdite ata u mblodhën përsëri për të protestuar”.
Por këshilltari i kryeministrit, Artan Shkreli, publikoi disa fotot të vjetra të kishës së Dhërmiut në rrjetet sociale dhe tha se pas protestës për prishjen e ndërtimit pa leje nuk janë besimtarët, por organizata OMONIA. “Kisha historike e Shën Thanasit në Dhërmi, fatkeqësisht pëson deformime nga rindërtimi pa leje, duke detyruar INUV të Himarës të ndërhyjë. Kontestimi antiligjor dhe i paarsyeshëm që OMONIA po i bën ndërhyrjes së Policisë Ndërtimore ka të bëjë me faktin se ata injorojnë historinë e këtij vendi”, shprehet Shkreli.
Kisha ka qenë varri i Nilo Catalanos, një dijetari italian që ka shërbyer si kryepeshkop katolik në Durrës dhe Himarë, ku ka shërbyer në vitet 1677 – 1693.
Ai ka qenë një njohës i gjuhës shqipe, autor i një fjalori shqip-italisht dhe i një përmbledhje të këngëve arbëreshe.