Sherr mes prokuroreve Hajdari konflikt me zv/prokuroren

Sherr mes prokuroreve, Hajdari konflikt me zv/prokuroren

Mbledhja e prokurorëve të të gjithë vendit, për zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Shkollës së Magjistraturës, u shoqërua mesditën e djeshme me një incident mes dy prokurorëve drejtues të Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, Shkëlqim Hajdari dhe Ida Ahmetlliu. Kjo e fundit gjatë diskutimit për zgjedhjen e anëtarit të bordit kërkoi shkarkimin e kreut të shoqatës, Hajdari. Në kohën kur Llalla kërkoi të hidhen kandidaturat për anëtarin e ri të Bordit të Shkollës së Magjistraturës, sekretarja e Shoqatës së Prokurorëve ka dorëzuar një mocion mosbesimi ndaj kreut të kësaj shoqate, Shkëlqim Hajdari. Në mocion mësohet se ishin firmat e disa prokurorëve të cilët kishin kërkuar shkarkimin e Hajdarit. Ky i fundit, kërkoi që mocioni të mos futet në rendin e ditës me argumentin se mocioni duhej bërë 30 ditë përpara që të shqyrtohej. Mësohet se është depozituar ndërkohë shkresa me firmat e të paktën 20 prokurorëve të cilët kanë kërkuar shkarkimin nga ai pozicion i Hajdarit, ndërsa Ida Ahmetlliu, bëhet me dije se ka kërkuar të lexojë edhe motivin përse kërkohej largimi i kreut të kësaj Shoqate.

Incidenti

Ka qenë pikërisht ky momentit i acarimit mes palëve por gjithçka ka përfunduar në çastin që Llalla ka ndërhyrë për të shuar zënkën mes tyre. Mirëpo, ndërsa debati ka vijuar, por me tone të ulëta, janë propozuar dy kandidaturat dhe është nisur me procesin e votimit. Pasi kanë votuar rreth 40 prokurorët e parë, të cilët grupe-grupe kanë dalë nga salla për të biseduar me njëri-tjetrin, atëherë tonet janë ngritur mes Hajdarit dhe sekretares së shoqatës, Ida Ahmetlliu, të cilët kanë hedhur akuza dhe fyerje ndaj njëri- tjetrit lidhur me mocionin e mosbesimit. Duke qenë në proces votimi, mësohet se për të shuar debatin ka ndërhyrë vetë kryeprokurori Adriatik Llalla që ka kërkuar largimin e tyre nga salla. Sipas burimeve nga takimi i djeshëm, bëhet me dije se kreu i organit qendror të akuzës iu ka kërkuar dy prokurorëve të largohen nga salla dhe të sqarohen jashtë saj. Mësohet se i pari është larguar nga salla Hajdari, ndërsa pak më vonë ka dalë edhe Ahmetlliu. Por, menjëherë incidenti është transmetuar si një konfrontim fizik mes Hajdarit dhe kryeprokurorit. Për kundër këtij fakti zyra e shtypit dhe madje edhedisa prej të pranishmëve në sallë mohuan të ketë pasur konfrontim fizik mes tyre.

Reagimi zyrtar për incidentin

“Prokuroria e Përgjithshme sqaron një incident të ndodhur gjatë mbledhjes së përgjithshme të Prokurorëve, të zhvilluar gjatë ditës së premte, ku do të zgjidhej anëtari i Bordit të Shkollës së Magjistraturës nga radhët e Prokurorisë. Gjatë momentit të votimit, dy prej anëtarëve të Kryesisë së Shoqatës së Prokurorëve, e cila është një organizëm jofitimprurës jashtë institucionit zyrtar, kanë debatuar në afërsi të Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla. Duke qenë se tonet e debatit ndërmjet anëtarëve të Kryesisë së Shoqatës kanë qenë të larta, Prokurori i Përgjithshëm ka kërkuar nga dy diskutantët që të largohen nga salla për të qetësuar situatën e debatit dhe gjithçka vijoi në normalitet. Prokuroria e Përgjithshme duhet të sqarojë medien dhe opinionin publik se Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, nuk ka qenë i përfshirë në diskutime dhe në incident”.

Procesi

Mbi 220 prokurorë nga gjithë vendi janë mbledhur ditën e djeshme për të zgjedhur anëtarin e Bordit drejtues të Shkollës së Magjistraturës. I pranishëm dhe njëherësh drejtues i mbledhjes ka qenë numri një i akuzës, Adriatik Llalla, i cili pasi ka kërkuar nga vartësit e tij, që emri që të dalë prej tyre të jetë një person me integritet të lartë, ka lëshuar edhe vërejtjet, detyrat, lavdërimet dhe madje ka bërë edhe një rezyme të qartë të punës që i pret me dy veprat penale më të përhapura në vendin tonë; krimi i organizuar dhe korrupsioni. Ndërsa Llalla ka kërkuar nga prokurorët angazhim maksimal për këto dy akte që ende hetimi nuk ka arritur te pritshmëria e opinionit publik, ai nuk ka harruar të thur lavde për prokurorinë e Gjirokastrës dhe të Shkodrës për hetimet ndaj trafikut të drogës. Mirëpo ndërsa lëvdata ka shkuar edhe tek hetuesit e luftëtarëve të xhihadit, kryeprokurori i vendit ka harruar të ndalet, veçanërisht në Shkodër tek moria e atentateve të pazbardhura sidomos në dy vitet e fundit. Por, ndërsa ka kërkuar të punohet me ritme të larta mbi dosje, Llalla ka paralajmëruar se do të ushtrohen kontrolle të rrepta në lidhje me shfrytëzimin e orarit të punës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama