Vorë, dyshohet se konflikti ndodhi për një femër. Të plagosur, vëllai dhe kushëriri i viktimës. Ambientet e një pishine në Vorë u përgjakën dje, pasi një 19-vjeçar humbi jetën dhe katër të tjerë mbetën të plagosur, pas një sherri me thika. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme, kur frekuentuesit e pishinës po bëheshin gati për të ikur, teksa dy grupe të rinjsh janë konfliktuar me njëri-tjetrin, fillimisht me fjalë dhe më pas sherri degradoi në përdorimin e armëve të ftohta. Nga burimet e policisë mësohet se viktima është 19-vjeçari Klevis Disha, me banim në fshatin Nikël të Krujës. Ai humbi jetën në spital, pas plagëve të marra nga arma e ftohtë. Ndërkaq, të plagosur kanë mbetur vëllai i tij, Lorenc Disha, djali i xhaxhait të tij, G. Disha, 15 vjeç, M. Kupa, 23 vjeç dhe K. Doku.
Të rinjtë që janë plagosur u dërguan menjëherë për në spital dhe burimet spitalore bëjnë me dije se ndodhen në kujdesin e bluzave të bardha dhe se për momentin gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën, ndonëse disa prej tyre kanë pësuar gjakderdhje të shumtë. Policia nuk ka dhënë ndonjë pistë rreth autorëve apo motiveve të këtij krimi, ndërsa janë marrë në pyetje pronarët e pishinës, disa të pranishëm, si dhe janë administruar dëshmitë e të plagosurve që ndodhen në spital. Paraprakisht dyshohet se ai që ka qëlluar me thikë është një person i vetëm. Ndërkohë, ende nuk ka të dhëna për identitetin e tij dhe motivet. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së ambienteve përreth pishinës për të hedhur më shumë dritë mbi këtë ngjarje.
Sherri
Ngjarja është regjistruar pasditen e djeshme, pas orës 18:00, kur numri i frekuentuesve të pishinës në periferi të Tiranës ishte disi më i vogël se zakonisht. Nga sa mësohet prej burimeve të rezervuara policore, gjithçka ka ndodhur brenda pak minutave, pas një përplasjeje me fjalë të rënda mes dy grupeve të rinjsh, teksa paraprakisht dyshohet se shkak është bërë ngacmimi i një femre. Viktima, me banim në Nikël të Krujës, vëllai i tij dhe djali i xhaxhait, bashkë me shokët e tyre mësohet se dje kishin mbërritur në pishinë në orët e drekës. Nga dëshmia e administratorëve të pishinës, mësohet se sjellja e tyre ka qenë normale, deri në momentin e nisjes së sherrit me një të ri, që ishte bashkë me një grup tjetër në pishinë.
Ajo që shkaktoi shkëndijën e sherrit mes dy grupeve dyshohet të jetë shikimi i tepërt i një vajze dhe më pas acarime me vështrime mes të rinjve. Palët janë përpjekur që fillimisht të sqaroheshin me fjalë, por sharjet dhe fyerjet mes tyre ishin përgatitja për ngjarjen. Një i ri nga grupi tjetër duket se e kishte marrë seriozisht sherrin dhe dyshohet se i vetëm qëlloi pesë të rinjtë me thikë, duke mundur që më pas të largohet nga pishina. Nga burimet spitalore mësohet se 19-vjeçari Klevis Disha kishte marrë goditje të rënda afër zemrës dhe në bark dhe kishte humbur një sasi të madhe gjaku, rrugës teksa transportohej për në spital. Edhe të plagosurit e tjerë kanë plagë në bark dhe gjymtyrë, por burimet spitalore thanë se janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka shoqëruar disa persona, për të marrë dëshmitë e tyre, por ende nuk ka ndonjë të dhënë rreth identitetit të autorit të ngjarjes. Nga dëshmitë e të pranishmëve është mësuar se gjatë sherrit, të dyja grupet pretendonin për ngacmime vajzash dhe shikime prej të fortësh. Familjarët e të ndjerit dhe të plagosurve kanë dhënë deklarimet e tyre në polici, në lidhje me oraret e nisjes për në pishina apo të ndonjë dijenie rreth ndonjë mosmarrëveshjeje të të rinjve, me ndonjë person tjetër. Policia thotë se ka formuar një grup pune dhe ekspertë nga Krimet e Rënda dhe të Komisariatit Nr. 6, që ka nën juridiksion këtë zonë, nën koordinimin e Prokurorisë së Tiranës, dhe kanë nisur menjëherë punën për analizimin e dëshmive e të pamjeve filmike, ndërsa po punohet për grumbullimin e sa më shumë provave në vendin e ngjarjes, me qëllim mësimin e rrethanave dhe shkaqeve të vërteta për këtë ngjarje të rëndë.