"Ajo për çka jam thirr unë është organizimi i këtij spektakli, ndërkaq për atë se kush do të marrë pjesë unë nuk e di, vetëm e di që vajza që fiton në këtë festival që do mbahet më 2 prill, do të jetë pjesëmarrëse në spektaklin "Miss Universe 2008" në Vietnam", ka thënë Blerim Gjoci për "Express".
Gjoci ka shtuar se ai është vetëm organizator, ndërkaq për dërgimin e vajzës në spektakël përgjegjës është Fadil Berisha, pasi ai e ka licencën për përfaqësimin e miss-it kosovar në këtë spektakël. Por, "Miss Kosova 2003", Agnesa Vuthaj, thotë se miss zyrtar i Kosovës është Yllka Berisha.
"Nuk e kuptoj pse duhet organizuar ndonjë miss tjetër kur Kosova e ka miss-in zyrtar të saj e cila e përfaqëson në të gjitha spektaklet ndërkombëtare. Ndërkaq, mendoj që Fadili nuk dëshiron që të dërgojë Yllkën por dikë tjetër", ka thënë Vuthaj. Sipas saj, organizatorët e spektaklit në Neë York, janë të njoftuar për Yllkën dhe që pikërisht ajo mund të konkurrojë. "Në dhjetor kur është mbajtur "Miss Kosova", bashkëpunëtor imi ka qenë edhe Fadili, dhe plani ka qenë që nëse pavarësohet Kosova, fituesja të përfaqësojë atë në "Miss Universe", sepse ai bashkëpunon me organizatorët e spektaklit dhe ai ka mundësi të nxjerrë licencë për ta dërguar vajzën atje". Por, si duket Fadil Berisha e ka prishur këtë marrëveshje.
Burime brenda spektaklit thonë se e tërë kjo luftë e Fadil Berishës është që në këtë garë të dërgojë vajzën e kompozitorit Naim Krasniqi, Zana Krasniqin e cila dy vjet më parë ka përfaqësuar Shqipërinë në "Top Model of the World".
Pyetja është: kush është i autorizuar që në Kosovë të organizojë një spektakël zyrtar të bukurisë, kur flitet se Vuthaj, gjithashtu përfaqësuese e Shqipërisë në një edicion të mëparshëm të "Miss Universe", nuk ka licencë për organizimin e zgjedhjes së miss-it zyrtar të Kosovës, - edhe pse ajo pretendon të kundërtën.
Vietnami nuk pranon "Miss Kosovën" në garë
Janë katër shtete që kundërshtojnë pjesëmarrjen e Kosovës në garën e bukurisë. Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Vietnami vendi organizator janë shprehur kundër nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në garë. Përfaqësuesja e Kroacisë, Snezhana Lonçaroviç ka kërcënuar me largim nga gara nëse Kosova merr pjesë në spektakël, ndërsa Vietnami ka paralajmëruar presidenten e kësaj organizate se nuk do ta lejojë bukuroshen kosovare që të marrë pjesë. "Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Vietnamin kështu që qeveria e këtij shteti nuk do të lejojë pjesëmarrjen Kosovës në këtë garë",- thuhet në një komunikatë të organizatorëve të "Miss Universe"-it në Vietnam.
Nga Gazeta Shekulli