Dy efektivët e policisë rrugore të Tiranës, të përfshirë në videon që po qarkullon së fundmi, do të qëndrojnë të pezulluar, derisa Drejtoria e Standardeve në Policinë e Shtetit, të marrë një vendim përfundimtar për fatin e tyre. Nga ana tjetër, 40-vjeçarja Alma Martini, e cila është palë në këtë konflikt, është shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Deri më tani, akuza e vetme që rëndon mbi dy rrugorët është ajo e shkeljes së etikës së komunikimit me qytetarët, ndërsa gruaja nga Lezha është përgjegjëse për akuzën e kundërshtimit të forcave të policisë. Që në minutat e para, pasi videoja u publikua në televizionin “News 24″, një valë reagimesh dhe mendimesh ka përfshirë si opinionin publik, i cili është i ndarë në dy rryma, ashtu edhe vetë efektivët e policisë rrugore. Vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e komunikoi lajmin e pezullimit nga detyra të policëve dhe indirekt mbajti anën e qytetares. Në fjalinë e parë të reagimit të tij, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, thuhej se “pavarësisht çdo rrethane, punonjësi i policisë duhet të sillet sipas ligjit”. Ndërkaq, gjatë fazës kur efektivët do të qëndrojnë të pezulluar, deri në marrjen e një vendimi gjatë kësaj jave, do të verifikohen edhe rrethanat e gjobitjes së qytetares, për të parë nëse ajo kishte të drejtë për reagimin e ashpër apo masa administrative ishte abuzive.
Videoja
Në orët e vona të së shtunës, televizioni “News 24″ shfaqi një video, ku dukej një sherr mes dy policëve rrugorë dhe një gruaje. Pamjet ishin të qarta, por zëri jo, teksa biseda e rënduar u paraqit me titra. Teksa drejtonte një mjet tip “Renault”, Alma Martini, 40 vjeçe, nga Lezha, ishte ndaluar afër stadiumit “Dinamo” nga dy efektivët, për një shkelje administrative. Siç duket, qytetarja nuk e pranon gjobitjen dhe e hedh në tokë fletën e gjobës, ku bashkë me të ra edhe leja e drejtimit, e cila merret nga njëri prej policëve. Gruaja, teksa kërkon patentën, lëshon fjalë fyese, të cilat nuk dëgjoheshin mirë në audio, por sipas titrave, ishin tepër të rënda. Më pas, ajo pështyn në fytyrë njërin nga policët dhe skena shoqërohet me një shpullë që ajo e mori në fytyrë. Sherri vazhdon me policin tjetër dhe një qytetar ndërhyn për t’i ndarë. Skena filmohet nga një tjetër qytetar.
Reagimet
Masat e para që u morën pas publikimit të videos kishin të bënin me pezullimin e menjëhershëm të dy policëve. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në statusin e tij në “Facebook”, shkruante se “pavarësisht çdo rrethane, punonjësi i policisë duhet të sillet sipas ligjit. Falënderoj policinë për reagimin e menjëhershëm me pezullimin e punonjësve të policisë, deri në sqarimin e plotë dhe marrjen e masave për çdo shkelje të rregullave gjatë ushtrimit të detyrës. Falënderoj ‘News 24′ për kontributin. Kemi shumë rrugë deri në përsosjen e Policisë së Shtetit për ta kthyer në institucionin që duam, duke reflektuar korrektesë, etikë, profesionalizëm dhe respekt maksimal ndaj ligjit.
Dhe në këtë rrugë, duhet të jemi të gjithë bashkudhëtarë, institucione, media dhe mbi të gjitha qytetarë”. Ndërkaq, burimet e policisë bëjnë me dije se Drejtoria e Standardeve po analizon situatën, për të marrë një vendim për fatin e mëtejshëm të policëve, gjë e cila pritet të bëhet me dije në ditët në vijim. Nga ana tjetër, të njëjtat burime shtuan se referuar materialit të publikuar, ndaj efektivëve është ushtruar një presion dhe trysni që përbënte elemente të kundërshtimit me forcë. Nga ana tjetër, për sjelljen dhe reagimin e policëve, të njëjtat burime shtuan se situata mund të menaxhohej më me qetësi, duke lajmëruar shërbimet mbështetëse, si autopatrullat “Shqiponja”, për të mundësuar shoqërimin e menjëhershëm të gruas në polici. Duke parë rrethanat, Drejtoria e Standardeve mësohet ta mbajë këtë çështje në nivelin e trajtimit me masa administrative apo të aplikueshme brenda sistemit të policisë, pa e referuar dosjen te Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, çka do ta rëndonte pozitën e dy efektivëve të policisë rrugore.
Videoja me policët
Salianji: Dora që goditi gruan, dora e sistemit që ngriti Rama
Përmes kreut të departamentit të denoncimeve, Ervin Salianji, Partia Demokratike ka reaguar dje lidhur me publikimin e videos me policët e qarkullimit rrugor që keqtrajtojnë një femër në rrugë. Për Salianjin, dy policët në video janë fytyra e arrogancës së Kryeministrit Edi Rama dhe sistemit policor që ai ka ngritur gjatë qeverisjes së tij. “Brutalitet i neveritshëm! Nuk ka qelizë trupi që nuk të dridhet nga përçimi i këtij brutaliteti shtetëror. Fytyra e arrogancës e ka një emër, e ka dhe një fytyrë, fytyra është fytyra e Ramës. Dora që godet këtë zonjë është dora që ka ngritur në sistem dhe godet cilindo shqiptar që nuk ka mundësi. Me këto skena përballen çdo ditë qytetarët shqiptarë. Me poshtërim, përbuzje, burgosje pa arsye dhe pa respektuar asnjë të drejtë njerëzore. Tiranitë më të mëdha nuk do të guxonin të godisnin një zonjë në mes të qytetit. Këta guxojnë, guximin prej të marri e gjejnë tek adoleshenti Kryeministër që sillet si gangster i papërgjegjshëm. Por lotët dhe goditjet që po u jep shqiptarëve do t’i kthehen pas si ortek shuplakash”, tha Salianji.