Këshilli Kombëtar i Restaurimit ka vendosur të heqë shatërvanin që qëndron prej 30 vitesh në mes të sheshit “Nënë Tereza”. Arsyeja është rikonstruksioni i sheshit në kuadër të vizitës së Papa Françeskut më 21 shtator.
Me këtë rast është vendosur që sheshi “Nënë Tereza” të tjetërsohet duke u bazuar në projektin e italianit Gherardio Bosio, arkitektit të Tiranës i cili ka realizuar Sheshin në fjalë (por pa shatërvanin) Universitetin Politeknik, Universitetin e Arteve, Institutin Arkeologjik, Stadiumin “Qemal Stafa”, Kryeministrinë, Hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave me gjithë parkun e mobiliet unike të tij, si dhe skicoi trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar etj..
Ditë më parë arkitekti Artan Shkreli paralajmëroi një gjë të tillë, pavarësisht se zyrtarisht Këshilli Kombëtar i Restaurimit nuk ishte mbledhur për të diskutuar e më pas për të vendosur për rikonstruksionin e Sheshit “Nënë Tereza” e aq më shumë për heqjen nga “harta” të shatërvanit. Sheshi do të restaurohet në tërë elementët e tij; fasada e kompleksit, ndriçimi, shkallaret e dy Universiteteve (ai i Arteve dhe Politekniku) që janë pjesë e kompleksit, etj..