Sheshi Skenderbej brenda 15 nentorit hapet per makinat

Sheshi 'Skenderbej', brenda 15 nentorit hapet per makinat
Asfaltimi i sheshit “Skënderbej” po shkon drejt përfundimit dhe brenda datës 15 nëntor do të hapen të gjitha akset për qarkullimin e automjeteve. Dy ditë më parë ka përfunduar plotësisht asfaltimi i rrugës para hyrjes së Bibliotekës Kombëtare, si dhe po përgatitet për asfaltim aksi para Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë që në të gjitha akset e sheshit kanë përfunduar punimet për nivelimin dhe shtrimin e shtresës së fundit para asfaltimit. Bashkia e Tiranës po vijon intensivisht punimet për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, ndërhyrje që pritet ta bëjnë qendrën e kryeqytetit të kalueshme nga kalimtarët dhe mjetet.

Vijimi i punimeve me këto ritme do të bëjë të mundur që muajin e ardhshëm, sheshi të jetë i hapur për trafikun, sipas një skeme të hartuar nga ekspertë. Rishikimi i planit urbanistik do t’i japë zgjidhjen përfundimtare planifikimit afatgjatë të sistemimit të sheshit. Për hapjen e sheshit “Skënderbej” për automjetet, në dy anët e bulevardit kryesor dhe në të gjitha rrugët hyrëse në shesh do të vendoset sinjalistika për lëvizjen e trafikut.

Pas asfaltimit të sheshit pritet të ndërhyhet për estetikën e tij, punime që do të kryhen brenda 31 nëntorit. Punimet për pjesën estetike të sheshit po kryen paralelisht me procesin e asfaltimit të akseve rrugore për qarkullimin e makinave. Aktualisht janë piketuar trotuaret dhe pritet brenda pak ditëve të shtrohen edhe pllakat dekorative.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama