Jo vetëm që ky plan nuk do të zbatohet, por do të përmbyset. Dje zyrtarisht bashkia e kryeqytetit ka deklaruar se do të lejohet qarkullimi i makinave në këtë shesh, madje në planet afatgjata kjo lëvizje do të jetë e lejueshme, pavarësisht se do të ketë edhe zona për këmbësorët si dhe gjelbërim.
“Bashkia e Tiranës po intensifikon punimet për rehabilitimin e sheshit ‘Skënderbej’ për të çliruar trafikun e rënduar që krijohet në qendër të kryeqytetit. Punimet do të mbarojnë së shpejti dhe do të krijojnë një aks të qarkullimit të makinave përreth sheshit ‘Skënderbej’. Kjo është zgjidhja emergjente për situatën e krijuar dhe bashkia është konsultuar me specialistët e fushës për kryerjen e këtyre punimeve”, - ka qenë deklarata zyrtare e bashkisë. Drejtori i përgjithshëm i Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli shpjegoi ndërhyrjen në sheshin “Skënderbej” dhe devijimin e trafikut.
“Bashkia e Tiranës po punon me ritme të larta për rehabilitimin e sheshit ‘Skënderbej’. Rehabilitimi ka të bëjë me ndërtimin e aksit të qarkullimit të makinave, për të shfryrë trafikun e rënduar këtu në qendër të Tiranës, që mbetet një burim i vazhdueshëm i stresit për qytetarët dhe i ndotjes së ambientit”, - tha Zeneli.
Sipas tij, kjo është menduar si zgjidhje dhe ndërhyrje emergjente. Ndërkohë që specialistët e bashkisë, inxhinierët, po shqyrtojnë mundësi të tjera për ndërhyrje afatgjata, në mënyrë që sheshi “Skënderbej” të ndihmojë në trafikun e Tiranës dhe në krijimin e lehtësirave për qytetarët dhe të mos kthehet në një pengesë apo problem për qytetarët.
Sipas Zenelit, sheshi “Skënderbej” do të ketë hapësira për këmbësorët dhe gjelbërim.
Do të bëhet hapja e sheshit “Skënderbej” për lëvizjen e trafikut në mënyrë të kontrolluar, duke vendosur sinjalistikën horizontale, vertikale, semaforët. Sheshi do të jetë i lirë për lëvizjen e trafikut. Dy anët e bulevardit kryesor dhe në të gjitha rrugët hyrëse në shesh do të kenë sinjalistikë që do të komandojë lëvizjen e trafikut, si të mjeteve të transportit urban ashtu edhe atij privat. “Pjesa e gjelbërimit do të jetë vazhdimi i sheshit dhe pjesë të tjera që nuk janë për trafik”, - tha Zeneli.
Mjetet e Bashkisë së Tiranës kanë nisur punën për asfaltimin e akseve që hyjnë në këtë shesh. Administrata bashkiake premton se shumë shpejt ai do të jetë në shërbim të komunitetit.
“Padyshim që procesi i planit urban jo vetëm nuk paragjykon, por as nuk mundet në asnjë moment të lidhë duart e bashkisë për veprime të menjëhershme. Sigurisht, këto janë veprime të cilat synojnë stabilizimin e situatës aty ku ajo është afër kolapsit për shkak të planifikimit të varfër apo mungesës së planifikimit nga ana jonë para tre, gjashtë apo 12 muajve kur nisi projekti aktual. Do t’ju informojmë edhe për ndërhyrjet të cilat bashkia po planifikon dhe së shpejti do të nisë të ekzekutojë për të normalizuar situatën e komplikuar apo afër kolapsit në akse të ndryshme të qytetit, në veçanti në qendër të tij”, - tha kryebashkiaku Basha dy javë më parë, në mbledhjen e grupit të punës për përmbajtjen e planit urbanistik të Tiranës.