Shtyrja e ndeshjes ndaj Bylisit për ditën e hënë i ka dhënë më shumë kohë skuadrës së drejtuar nga Ndreu për t'u përgatitur. Duke folur për këtë takim delikat, qendërmbrojtësi Arjan Sheta e ka vënë theksin te qetësia dhe vlerësimi që laçianët duhet t'i bëjnë këtij takimi.
Vetë lojtari do t'u mungojë kurbinasve në këtë përballje, pasi ka mbushur numrin e kartonëve të verdhë. Por, përveç tij, një tjetër mbrojtës nuk do mund të vihet në dispozicion të Ndreut. Fjala është për Emiljano Çelën, i cili gjithashtu është i pezulluar.
"Ndaj Bylisit ekipi do të ketë një sfidë të vështirë, e cila duhet luajtur më shumë kujdes. Më vjen keq që nuk do mund të jem në lojë sepse kam tre kartonë të verdhë, por djemtë e dinë se çfarë duhet të bëjnë në fushë. Ka ardhur momenti që të kërkojmë pikë në transfertë. Nuk jemi të qetë, pasi zhvillimet e fundit në kampionat na rrezikojnë edhe ne", u shpreh lojtari.
Mungesat
Në prag të takimit të ditës së hënë, Laçi do të jetë pa dy nga titullarët e repartit difensiv. Por, probleme për trajnerin Ndreun do të ketë edhe në sulm, pasi do të jetë i detyruar që të gjejë një lojtar që të finalizojë aksionet. Sulmuesit, ende nuk po dalin në lojën e tyre, edhe në takimet e Kupës ndaj Skënderbeut shënoi Cetkoviç.
"Rëndësi ka që të mos pësojmë. Nëse unë dhe Çela mungojmë, skuadra ka të tjerë lojtarë kualitativë, që do të bëjnë më të mirën. Një barazim në Ballsh na mban larg fundit. Humbja në këtë ndeshje do të ishte fatale", ka përfunduar Sheta.
Përgatiti: Isuf Myrtaj