Ish-futbollisti i njohur ukrainas, Andri Shevçenko vlerësoi paraqitjen e treguar nga Kombëtarja shqiptare e futbollit në miqësoren e mbrëmshme në Bergamo, duke uruar që kuqezinjtë të shkojnë sa më larg në finalet e Europianit që pritet të fillojnë pas pak ditësh në Francë.
Edhe pse kuqezinjtë humbën me rezultatin 1-3 me Ukrainën, Shevçenko tha se ndeshja ishte e ekuilibruar dhe e fortë.
"Shqipëria ka ndryshuar shumë, skuadra ka bërë progres. Trajneri De Biasi po punon shumë mirë, futbollistët gjithashtu. Ndeshja ishte shumë e ekuilibruar dhe e fortë, ne ishim më pranë fitores dhe ia arritëm. Unë e uroj Shqipërinë që të ecë sa më shumë në europian.",-ka thënë ai për mikrofonin e "Supersport".
Zëvendëstrajner aktual i Ukrainës tha se Shqipëria është një realitet në futbollin evropian dhe kjo kuptohet edhe nga emrat e futbollistëve që luajnë në kampionatet të rëndësishme në Evropë. "Janë vërtet lojtarë shumë të mirë.",-tha 39-vjeçari.
Ndërsa shprehu mirënjohje për pritjen që i dhuruan tifozët shqiptar në stadiumin "Atleti Axurri" të Bergamos: "Do të doja të shtoja diçka tjetër. Jam pritur shumë mirë këtu nga tifozët shqiptarë dhe për këtë gjest dua t'i falënderoj dhe t'u them që do të mbështes Shqipërinë në "Francë 2016".